Modeli, uniku, magjiku!…

Modeli, uniku, magjiku!…

 

Dashnor Dosti

 

 

Për një trill të fatit kam hyrë në shkollë kur isha vetëm 5 vjeç. Për më tepër që atëherë fëmijët e fillonin klasën e parë 7 vjeç.

 

 

Pra gjithmonë kam qenë 2 vjet më i vogël nga shokët e mi të klasës e të auditorëve. Mbase për këtë më quanin të veçantë, por në të vërtetë nuk isha aspak. Thjeshtë isha një fëmijë i zakonshëm, por dy vjet më i vogël se shokët e klasës dhe kisha avantazhin të shikohesha jo vetëm me dashuri, por edhe me dhembsuri prej mësuesve.

 

 

Derisa shkova në klasën e gjashtë, në ëndërrat e mia kishte kaluar çdo profesion. Kisha provuar të bëhesha inxhinier, mësues, mjek, aktor, këngëtar, futbollist, agronom, elektricist etj, por askund nuk po gjeja karar.

 

 

Ëndrra ime nuk zgjaste më shumë se një jave. Pasi mërzitesha me një profesion, kaloja tek tjetri, më pas tek tjetri, rikthehesha tek dashuria e vjetër, largohesha përsëri e kështu me radhë. Kështu vazhdoi deri në klasën e gjashtë, kur mësues i matematikës në shkollën time erdhi magjiku Neshat Dyrmishi.

 

 

Mu deshën vetëm fare pak javë që t’i jepja dum: “Do të bëhem mësues matematike”. Kisha provuar në të shkuarën të bëhesha mësues dhe kisha dështuar, por specifikisht mësues matematike kurrë.

 

 

Pas këtij vendimi fëminor, truri im i ndërpreu ëndërrimet. Isha mirë me profesionin tim të ri mësues matematike, isha mrekullisht mirë edhe me mësuesin tim të matematikës, derisa përfundova klasën e tetë. Më pas, pasi shkova nxënës në shkollën pedagogjike, ku gjeta plot mësues të mrekullueshëm, mjeti im matës vazhdoi të ishte mjeshtri Neshat Dyrmishi.

 

 

Nëse unë sot jam vërtet një mësues matematike, sigurisht që nuk është vetëm rastësi. Sipas rregullave të kohës më duhej të shkruaja tre preferenca për vazhdimin e studimeve dhe unë të parën shkruajta “Matematikë”.

 

 

Pavarësisht se nuk ishte prezent, mua gjithmone me duket se kur shkruajta këtë fjalë magjike dorën ma mbajti mësuesi im i dashur Neshat Dyrmishi.