Nevruz Gjergjova, një trim që nuk i tegoi kurrë plagët

Nevruz Gjergjova, një trim që nuk i tegoi kurrë plagët

Nevruz Gërxhani

 

Ka qenë një njeri me vlera të larta njerëzore dhe intelektuale, i njohur më shumë se në krahinën e tij të Skraparit, në Tiranë, Durrës dhe në të gjithë Myzeqenë. Edhe pse kanë kaluar shumë vite dhe janë ndërruar breza të tërë njerëzish, ai ende sot përmendet me respekt e nderim në këto zona dhe në këta qytete.

Ka lindur në vitin 1918. Ka vazhduar Internatin e Vërzhezhës në vitin 1929. Pasi ka mbaruar vitin e parë të kësaj shkolle me rezultate shumë të mira, ka shkuar për të ndjekur dy vitet të tjera 6-vjeçaren në Kolonjë. Më pas mbaroi shkollën 1-vjeçare në Tiranë për pyje.

Pas përfundimit të kësaj shkolle, filloi si nëpunës pyjor në Berat.

 

Në vitin 1940, nën komandën e oficerëve italianë, dërgohet në frontin e Luftës Italo-Greke, ku nuk ndenji shumë, pasi bashkë me disa shokë dezerton dhe shkon në Athinë. Këtu e arrestojnë dhe e çojnë në burgun e Kretës.

 

Pas disa ditësh mund të largohet nga ky burg, i fshehur në një anije shkon në Korfuz, në Sarandë dhe më pas në Vlorë.

Si person në kërkim, arrestohet në Vlorë dhe përfundon në burgun e Durrësit. Pas disa muajsh guerrilasit e Durrësit e ndihmojnë të arratiset nga burgu.

 

Me ndihmën mikut familjar, atdhetarit të mirënjohur, Medar Shtylla, lidhet më komunistët e Durrësit. Punësohet në bashkinë e qytetit në ndarjen e triskave të bukës. I favorizuar nga natyra e punës në terren, u muar me misione nga njësiti gueril. Pas disa kohësh ra në sy të atoriteteve të kohës dhe arrestohet. Nuk vazhdon gjatë dhe me ndërhyrje të miqve të tij, del nga burgu dhe shkon në çetën partizane të Pezës.

 

Që në aksionet e para u shqua për trimëri e guxim, prandaj shpejt fitoi vëmendjen dhe zemrat e të gjithë bashkëluftëtarëve të çetës dhe më pas kur kjo çetë u zgjerua, në Grupin e Pezës dhe në Brigadën e 22 –të Sulmuese partizane.

 

Në këto formacione ai njihet me Myslim Pezën (Babë Myslimin) dhe me Heroin e Popullit Kajo Karafilin.

 

Qëlloi që në pranverën e vitit 1944 ai të jetë me batalionin e sigurimit të Kongresit të Përmetit, në fshatin Odriçan, ku shoqëroi Myslim Pezën për në Kongres.

 

Pas Kongresit, në kthim, Nevruzi shoqëron komandantin e tij, mikun e madh, në Kreshovë të Përmetit dhe më pas në Gjergjovë. Aty bujtën në shtëpinë e Qenam Mustafallarit, i cili i priti me nderime të mëdha.

 

Po atë vit, pas dy muajsh, Nevruzi me batalionin e tij partizan ka ndihmuar delegatët e Rinisë për shkuar në Helmës, në Kongresin e BRASH-it.

 

Në mëngjesit e 29 nëntorit të vitit 1944, Nevruzi me batalionin e tij, pjesë e Brigadës së 22 të Sulmuese, gjenden në Shkodër dhe më pas në tokat Jugosllave në ndjekje të armikut.

 

Në vitin 1945, ai gradohet Kapiten i Parë, ndërsa në vitin 1946 i akordohen Medaljet e Kujtimit dhe të Trimërisë.

 

Në vitet e para pas çlirimit ai punoi në administratën shtetërore të Lushnjes deri edhe sekretar i Komitetit të Ekzekutiv të rrethit të Lushnjes.

 

Fatkeqësisht, më pas, diku apo dikush e pa me dyshim gjithë atë kontribut që kishte dhënë, duke rrezikuar disa herë jetën e tij si partrizan, dhe e lanë në harresë.

 

U nda nga jeta në viti 1989, i prekur nga një indeferencë e pa merituar, siç ndodhte atëhere, por me një mirënjohje dhe nderim të veçantë nga miqtë dhë dhe shokët që ia njihnin meritat.