Nga krijimtaria popullore: “I gjori Demo, zavalli Demo”, kryevepër e folklorit
Vepror Hasani
Gjithkush që e shihte atë njeri që udhëtonte me një gomar, ndjente keqardhje. Ishte bërë për t’i qarë hallin. Edhe e shoqja e tij rrinte e sëkëlldisur. I vinte keq për të. E dinte kush ishte Demoja. Ai kishte luajtur nga fiqiri. Demoja nuk e kuptonte dot, s’kish sesi. Gjezdiste pareshtur vend më vend. Njerëzit e shihnin dhe qeshnin. Demoja thoshte: “Sa shumë më duan mua!”
Ai thoshte marrëzira, njerëzit e duartrokisnin. Demoja thoshte: “Gëzohen me mençurinë time!” Ai mburrej me pasurinë që kishte, njerëzit lotonin. Demoja thoshte: “E kanë nga lumturia!” Kudo që shkonte, thoshte të njëjtat fjalë. Njerëzit e shikonin me habi. Demoja thoshte: “Unë do të habit gjithë botën!”
Kur dikush i thoshte se hajvani ku kishte hipur nuk ishte kalë, por gomar, Demoja thoshte: “Mos e besoni, ai është i çmendur, e ka vendin në burg!” Bëmat e tij nuk kishin të sosur. Demon shqiptar nuk e gjen dot në asnjë vend të botës. Edhe Servantesi do të kishte zili.
Mëngjeseve i hipte gomarit dhe nisej për udhë.
Demoja thoshte:
Kam një kalë me shalë,
e rrinte Demoja kapardisur,
e shoqja rrinte sëkëlldisur
I shkreti Demo,
i gjori Demo, zavalli Demo
As e shoqja nuk e besonte. Gruaja e tij e dinte që Demoja nuk kishte një kalë me shalë, por një gomar të çalë. I shkreti Demo! Qante gruja e tij për të: si nuk e kuptonte dot i shkreti Demo, kush ishte gomari dhe kush ishte kali.
Donte të çudiste gjithë dynjanë me “kalin” e tij, por gomari i Demos nuk nuk kishte as samar, nuk kishte as litarë. Demoja thoshte: “Kali im i ka të gjitha!“ Njerëzit e shihnin dhe qeshin. Demoja thoshte: “Më kanë zili, në asnjë vend të botës nuk gjen si kali im!”
Sa herë takonte njerëz të njohur e të panjohur, ndalte gomarin dhe niste t’u tregonte: Demoja thoshte: Kam një palë shtëpi saraje! – dhe e ngrinte kokën përpjetë, dhe mbahej fodull, dhe mbahej hijerëndë, të gjithë njerëzit kanë pallate, por sarajet e mia janë shumë të larta, ato prekin qiellin, unë llafosem me Zotin!
Edhe bota nuk ka parë saraje si të miat! Demoja ecën përpara, bota e ndjek pas!” Pastaj godiste gomarin me themrat e këmbëve dhe nisej përsëri për udhë. Të gjithë e dinin që Demoja nuk kishte sarje, por kasolle me kashtë, ç’binte brenda binte jashtë. I gjori Demo! Demoja largohej me gomarin dhe njerëzit e ndiqnin me sy e me keqardhje.
Bashkë me gomarin e tij shkonte fshat më fshat. Gomari ecte ngadalë, por atij i dukej sikur ecte me revan. “Fluturon kali im!”,- thoshte Demoja. Njerëzit i kishin ngritur një këngë:
Fshat më fshat gjezdiste,
copëra buke mblidhte,
të shoqes ia shpinte.
I Shkreti Demo!
Për Demon ato nuk ishin copëra buke, por simite të ngrohta të sapodala nga furra!
Kur zbriste nga gomari, shikonte gjurmën e këmbës që linte mbi baltë. Dhe Demoja thoshqet:
“Kam një palë opinga me proqe!” Të gjithë njerëzit e shihnin me habi. Është marrosur Demoja apo si?! Këto që ke veshur, i thoshin njerëzit, nuk janë opinga me proqe”, por Demos nuk i mbushej mendja. “Janë me proqe, – thoshte ai, unë kam lënë shumë gjurmë mbi baltë. Ndiqni gjurmët e mia dhe do të gjeni Demon! Kush ndjek gjurmët e mia, shkon larg! Ja shikoni, çfarë gjurmë lënë opingat e mia në baltë.
Njerëzit shkonin gjurmën, shikonin dhe Demon, seriozisht e kishte ai, apo u besonte syve vërtetë:
Këto nuk janë gjurmë me proqe,
janë kështu, se ke vënë lëkurë pe shoshe,
i shpjegonin njerëzit.
Po Demoja nuk bindej: “Janë me proqe, nuk e shikoni që kam edhe silahe telatine“. Dhe ikte me gomarin i shkreti Demo.
Edhe fëmijët e dinin:
Demoja nuk kishte silahe tealtine,
Kishte veshur një lëkurë pe dhije.
Pasi kishte shëtitur vend më vend, shikonte orën për të parë kur duhej të kthehej në shtëpi. “U ngrys thoshte, po perëndon dielli, por unë kam orë florishte”!
Njerëzit nuk dinin s’i t’ia thoshin:
Ajo nuk ishte orë florishte,
Se një patkua gomari kishte.
Dhe një poet i madh i tha:
Në vendin tim
E në vendin tënd
Një i çmendur një vend çmend.
Dhe që nga ajo ditë kënga nuk është harruar kurrë, sepse gjithnjë ka një Demo.