Nga Lindja e Mesme…tek xhepat tanë

Nga Lindja e Mesme…tek xhepat tanë

 

 

Fatos Muçaj

 

 

Në pamje të parë, përplasja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit na shitet, ditën për diell, si çështje sigurie:

 

Armë bërthamore, kërcënime botërore, kërcënime rajonale dhe stabilitet.

 

 

Në realitet, sipas mendimit tim, është një luftë për fuqi, kontroll energjie dhe dominim global.

 

Por kjo nuk është një luftë që mbetet në hartë, atje larg.

 

Është një luftë që hyn në xhepin tonë, në kuzhinën tonë, në faturat e tona, në jetën tonë të përditshme.

 

 

Nafta,  “zjarri” që po djeg botën.

 

E dini besoj që nafta ka llagapin edhe Ari i zi.

 

Ari i zi, Ari i zi, por njerëzimin po e çon dalë-ngadalë vërtet në zi!

 

 

Kur tensionet rriten në Lindjen e Mesme, bota nuk shqetësohet vetëm për raketat.

 

Shqetësohet për naftën.

 

 

Ngushtica e Hormuzit, një pikë strategjike ku kalon një pjesë e madhe e furnizimit global botëror, është kthyer në “butonin e panikut” të ekonomisë botërore.

 

Mjafton një bllokim dhe zinxhiri global i energjisë tronditet.

 

 

Rezultati është i pamëshirshëm:

 

 

Çmimet e naftës rriten me shpejtësi, bursa e naftës nga 780 $/Ton më fund Shkurti, shkoi në datën  30.03.2026 gati 1,500 $/Ton, një rritje gati 2 fish.

 

 

Karburantet shtrenjtohen në çdo vend dhe në vendin tonë nafta nga 173 lekë/litri, që ishte në fund Shkurti, tani është 218 lekë/litri, pra rritur me 45 lekë/litri.

 

 

Në se në fund të shkurtit në Doganë, shteti merrte përnjëherësh, taksa në shumën 94 lekë/litri, sot merr 104 lekë/litri, pra 10 lekë/litri më shumë.

 

 

Transporti po bëhet edhe më i kushtueshëm.

 

 

 

Ushqimet po rriten, po e shikojmë të gjithë, sepse çdo gjë varet nga kjo energji që vjen nga Lindja e Mesme.

 

 

Shajmë, mallkojmë, ulërisim: Hajdutët, oligartët, mashtruesit, po na vjedhin.

 

E këto i kemi në majë të gjuhës ne, jemi të pa parë për kështu gjërash.

 

 

Por jo:

Duhet të dimë si funksionon kjo gjëja (dhe jo vetëm kjo), të iluminohemi, të llogjikojmë, arsyetojmë pastaj gjuhën ta lëshojmë.

 

 

Kjo është arsyeja pse një luftë mijëra kilometra larg, përkthehet në një realitet të thjeshtë: Jeta jonë po bëhet më e shtrenjtë për të gjithë.

 

Pasojat nuk ndalen vëtëm tek energjia.

 

 

Ato përhapen si valë:

 

Inflacioni rritet në gjithë botën.

 

Ekonomitë ngadalësohen.

 

Investimet bien.

 

Rritet rreziku i recesionit.

 

 

Organizata si OECD paralajmërojnë qartë:

 

Në kriza të tilla, nëse qeveritë nuk ndërhyjnë, qytetarët do të goditen drejtpërdrejt dhe pabarazia do të thellohet.

 

Pra, kjo nuk është më një krizë rajonale.

 

Është një krizë globale me pasoja të rënda sociale dhe ekonomike afatgjata.

 

 

E dini çfarë është OECD-ja??

 

Joooo!!!

 

OECD është një organizatë ndërkombëtare ekonomike që bashkon rreth 38 vende të zhvilluara të botës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia etj.

 

 

Çfarë bën konkretisht?

 

OECD nuk është qeveri dhe nuk merr vendime detyruese, por ka rol shumë të rëndësishëm sepse:

 

Studion ekonomitë e vendeve anëtare dhe botës.

 

Jep rekomandime për politikat ekonomike.

 

Analizon inflacionin, taksat, pagat, energjinë, krizat globale.

 

Sugjeron çfarë duhet të bëjnë qeveritë për të mbrojtur qytetarët.

 

 

Pra, më thjeshtë:

 

OECD është si një “këshilltar i madh ekonomik global”.

 

Nuk të detyron, por nëse nuk e dëgjon, zakonisht e pëson.

 

 

Ne si Shqipëri: Goditje e dyfishtë.

 

Shqipëria nuk është në luftë.

 

Por ne po paguan çmimin e saj dhe ndoshta më rëndë se të tjerët.

 

 

Pse?

 

Sepse jemi të varur 100% nga importi i karburanteve.

 

Sepse ekonomia jonë është tepër e ndjeshme ndaj luhatjeve globale.

 

Sepse çdo rritje çmimi reflektohet menjëherë në treg, sa hap e mbyll sytë.

 

 

Por problemi nuk qëndron dhe nuk mbaron vetëm këtu.

 

 

Mosveprimi që kthehet në kosto.

 

 

Ndërsa vendet fqinje si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia dhe shtete të tjera europiane kanë marrë masa:

 

Kanë ulur taksat mbi karburantin.

 

Kanë ulur akcizën.

 

Nuk e kanë taksën e qarkullimit pjesë të çmimit.

 

Kanë ulur TVSH-në.

 

Subvencionojnë qytetarët.

 

Ndërhyjnë për të stabilizuar tregun.

 

 

Në Shqipëri ndodh një heshtje e rrezikshme:

 

Çmimet rriten, por analiza dhe kontrolli i vërtetë mungon.

 

Taksat mbeten shumë të larta.

 

Ndërhyrja është e kufizuar, ose e vonuar, ose aspak dhe pa asnjë rezultat.

 

 

A e dini se barra fiskale në doganë për 1 litër naftë është:

 

Në Kosovë, 0.67 euro/litri.

 

Në Mal të Zi, 0.55 euro/litri.

 

Në Maqedoninë e Veriut, 0.58 euro/litri.

 

Në Shqipëri 1.16 euro/litri.

 

 

Pra në Shqipëri barra fiskale është më e lartë në rraport me Kosovën 0.49 euro/litër.

 

Ky është fakt dhe jo trakt.

 

 

Rezultati:

 

Unë do të isha i pari qytetar që do shkoja ta furnizoja makinën time në këto vende, po të isha banor i Kukësit, Shkodrës, Pogradecit apo Librazhdit.

 

 

Kjo do të thotë se qytetari shqiptar goditet dy herë:

 

Nga kriza globale (faktor objektiv) dhe nga mungesa e reagimit qeveritar (faktor subjektiv).

 

Dhe kjo nuk është më vetëm çështje ekonomike.

 

Është çështje drejtësie sociale.

 

 

Si përfundim:

 

Një botë në krizë, një shoqëri në provë.

 

Kjo luftë nuk është thjesht një konflikt mes shtetesh.

 

Është një test për gjithë sistemin global.

 

A do të dominojë interesi i fuqive të mëdha?

 

Apo do të mbrohen qytetarët e thjeshtë dhe zakonshëm?

 

 

Sepse e vërteta është e hidhur:

 

Ata që nuk e kanë nisin luftën dhe nuk janë pjesë e saj, janë ata që e paguajnë më shtrenjtë.

 

Dhe për vende si ne, Shqipëria, rreziku është edhe më i madh:

 

Të mos jemi vetëm viktima të krizës globale, por edhe të paaftësisë për ta përballuar atë.

 

Kjo nuk është më një histori larg nesh.

 

Është realiteti që po na troket çdo ditë në xhepin tone…