Nga misioni i Themistokli Gërmenjit te kryengritja kundër administratës së Esad Toptanit, një kapitull i trazuar i historisë së Skraparit
Gjergj Qafoku
Qysh në muajin janar të vitit 1914, në Skrapar nisën të zhvilloheshin ngjarje me rëndësi historike: Themistokli Gërmenji thirret në Vlorë dhe emërohet me detyrë të veçantë, të krijonte një korpus me vullnetarë dhe të hynte në Kolonjë e në Korçë.
Mbërriti përsëri në Skrapar dhe organizoi një forcë prej 500 vetash, të quajtur ‘vetëdashës’ (kështu quheshin vullnetarët në atë kohë), por për të kryer misionin zgjodhi vetëm pak veta.
Më 11 (24) janar, Themistokliu kaloi një natë në Backë dhe, prej andej, shkoi në Panarit për t’u bashkuar me Sali Butkën”. (Themistokli Gërmenji, Piro Tako, f. 150, botimi i vitit 1988).
Në detyrën e nënprefektit të Skraparit u caktua Iliaz Qafoku (Dervish Iliazi). Qysh në prill të vitit 1914, pas hyrjes në Frashër, andartët grekë u futën edhe në territorin e Skraparit. Kosta Beçorri, pas barbarive të kryera në Koprënckë, shkoi në Vërzhezhë, ku u prit nga shqiptarët e fshatit.
Sipas dëshmisë së sjellë nga Kosta Papa Tomorri, ai u prit me të gjitha të mirat, me mishra të pjekur e me mikpritje. Kishte shkuar i shoqëruar vetëm nga tre veta të tjerë. Por, siç shkruan autori, Beçorri synoi të çnderonte të zotin e shtëpisë, duke kërkuar të merrte me vete vajzën e tij. I ati e kuptoi qëllimin dhe dërgoi të birin për të lajmëruar fshatin. Pas kësaj, Kostë Beçorri u qëllua në ballë dhe ra përtokë.
Sipas rrëfimit, fjalët e tij të fundit qenë: “Me efegan i allvani”, që përkthehen: “Më hëngrën shqiptarët”. (Kosta Papa Tomorri, Barbaritë greke në Shqipëri, botimet “Naimi”, 2012).
Në maj të vitit 1914, andartët grekë hynë në Çepan, Rogë, Çorovodë, Rovicë, Vëndreshë e në fshatra të tjerë të Skraparit.
Pas tërheqjes së andartëve grekë, në fund të vitit 1914 dhe në fillim të vitit 1915, shpërtheu lëvizja antiesadiste. Kjo lëvizje mori përmasa të gjera dhe, përveç Skraparit, përfshiu edhe Tomorricën, duke kërcënuar madje edhe qendrën e prefekturës, Beratin.
Në krye të kësaj lëvizjeje ishin Ali Koprëncka, Sakoll Radëshi, Asllan Çehoani, Riza Vlusha, Ali Çipjani, Hysni Vëndresha, Gani Vërzhezha, Pasho Hysi, Xake Backa etj.
“Numri i të arratisurve ishte shtuar shumë. Në ditët e para të vitit 1916, ai u shtua edhe me 40–50 vetë. Çeta e Sakoll Radëshit ishte rritur shumë”. (G. Shpuza, Kryengritja fshatare e Shqipërisë së Mesme 1914–1915, f. 419, botimi i vitit 1986).
Një ditë të enjte, ditë pazari, u organizua një miting në Çorovodë. Pas këtij mitingu, sipas dokumentacionit të kohës, u kërkua të mos njiheshin autoritetet civile dhe ushtarake të Esad Toptanit dhe të mos zbatoheshin urdhrat e tyre. Rreth këtij propozimi u bashkua populli i Skraparit dhe i Tomorricës.
Pas mbledhjes, u larguan të gjitha autoritetet, me përjashtim të nënprefektit. U ndërprenë linjat telegrafike me Beratin dhe u ngrit flamuri kombëtar.
Çeta e Sakoll Radëshit, e cila ishte rritur në 200 veta, zbriti në qendrën e nënprefekturës. (AQSH, fondi 866, raport i nënprefektit të Skraparit, Iliaz Qafoku, drejtuar prefektit të Beratit).
Kundër kësaj lëvizjeje u tregua mjaft aktiv prefekti i Beratit, Sami bej Vrioni, kunati i Esad Toptanit. Ai i dërgoi një telegram nënprefektit të Skraparit, Dervish Eljaz efendiut, ku, ndër të tjera, shkruante: “… Duhet të ecni në udhë të Xhelal beut e t’i jepni porosi të vëllait të tij, Aliut, e disa të tjerëve, se asgjë nuk përputhet me rrjedhën e politikës … dhe se turbullirat në Skrapar e Tomorricë mund të rrezikonin Shqipërinë”. (AQSH, fondi 886, kutia 2, dosja 12, dokumenti 76212, telegram i Sami Vrionit drejtuar Dervish Eljaz efendiut, 9 janar 1915).
Më vonë, prefekti i Beratit iu drejtua popullit të Skraparit me këto fjalë: “Flamuri i Shqipërisë nuk ngrihet me duart e përgjakura e të egra të Sakulit në vendin e tij të lartë. Heronjtë e atij flamuri janë persona të tjerë”.
I mbështetur nga forcat e Esad Toptanit, prefekti i Beratit hyri në Skrapar dhe ushtroi terror mbi popullsinë vendase.
Sipas shtypit demokratik të kohës, u dogjën shtëpi dhe u varën djem të Skraparit, sepse përpiqeshin për flamurin kombëtar. (Shqiptari i Amerikës, viti II, nr. 64, 19 dhjetor 1923).
Lëvizja e viteve 1914–1915 mbetet një periudhë e historisë së Skraparit që meriton studim të mëtejshëm.
Gjatë leximeve dhe kërkimeve të mia për këtë periudhë, kam ndeshur shumë shkrime dhe emra të cilëve u është dhënë cilësimi “patriotë”, por që, fatkeqësisht, nuk i kam gjetur të përmendur në shkrime të tjera apo në dokumentet arkivore të kohës që kam konsultuar.
Kjo e bën edhe më të domosdoshëm hulumtimin e kujdesshëm të dokumenteve, krahasimin e burimeve dhe ndarjen e fakteve të dokumentuara nga interpretimet e mëvonshme, në mënyrë që historia e Skraparit të kësaj periudhe të rindërtohet sa më saktë.
