“Ngrehuni dëshmorë një çikë, të shikoni prapësitë …”!

“Ngrehuni dëshmorë një çikë, të shikoni prapësitë …”!

Ilmi QAZIMI

 

Ata janë shtatë. Numër mitik legjendash dhe  folklorik. Përjashtuar njërin që  sa kish kaluar shifrën  tre në dekadën e tetë, por tregon si kur të jetë shtatdhjetë e shtatë vjeç, të tjerët  janë nën tetëdhjetë  e mbi shtatëdhjetë vjeç. Të gjithë të shkurtër nga një metër e gjashtëdhjet e shtatë deri një e shtatëdhjet e nëntë centimetra. Janë të pensionuar, me kokën e zbukuruar prej dëborës së thinjave; edhe atyre dyve që i kanë lejuar flokët të largohen nga koka, u ndrijnë  pak qime  vetëm të bardha.  Veç njërit që kish mbetur kooperativist i denjë me arsimin e kohës, të tjerët janë  pajisur me arsim të lartë  që në kohën e  demokracisë proletare në Shqipëri.

 

Të tërë janë Ish-a. Njëri ish-mësues  historie; tjetri ish-farmacist; i treti  ish-kuadër i lartë deri në qyngje të partisë që s’është më; vijon  më tutje ish-inxhinier pyjesh; ai i qethuri shkurt  ish-punonjës i arsimit dhe i shtati, ish-oficer i lartë që tashmë i drejtohen ‘kolonel në pension.

 

Nga pikpamja sociale, grupi ka diversitet të plotë: tre komunistë të thekur, një përfaqësues i forcave  të mirëfillta atdhetare nacionaliste, një i paorganizuar kund,një me origjinë fshatar i varfër por me bindje krejt të djathta, dhe tjetri nip dëshmori e bir kulaku.

 

Sa për emrat? Po ja: Takja, Nurua, Nikua, Ledi, Kuçua,Malua dhe Gazi. U mblodhën në një lokal të gjerë gjysmëperiferik, me aromë mish keci të pjekur e me kameriere të bëshme. Nismëtari është i fundit sepse ai kishte edhe sebepin: “Sot, nisi ligjëratën ai, do t’i sharrojmë lisat e halleve. Nuk do flasim as për luftën në Ukrainë e as për krizën ekonomike. Na ndau kovidi. Na ka marrë malli! Hajdeni të çprehemi, se kam botuar edhe një libër me personalitete!”

 

Dhe, mbasi u ulën, po ai, organizatori, deklaroi: “Do të pimë raki, do këndojmë, do llafosemi e do çmallemi!” Trokëllitën gotat dhe filloi përtypja e ngadaltë sipas  ritmeve të  moshës së nofullave dhe  gjendjes së dhëmballëve.

 

Vazhdoi  muhabeti për të kaluarën.  Secili rrëfente diçka  ku me nostalgji, ku me krenari , diku me  shqetësim e gjetkë me  nënkuptim, por gjithnjë me dashamirësi e  çiltërsi. Mbasi erdhën paksa “në terezi” ia morën  një kënge popullore. Vajti gjym. Rifilloi biseda treshe e dyshe kryesisht për shëndetin, peripecitë e kovidit-19, ecurinë e kohës, klimës dhe përsëri te kënga.

 

Anëtari më i shkurtër i grupit, nip dëshmori e bir kulaku, ia mori këngës kuptimplote: “Ngrehuni dëshmorë një çikë,/ të shikoni …”. Mirëpo, në vijim, ai e ndërroi tekstin  e vargut të dytë duke e shqiptuar me melodi “…të shikoni prapësitë,/broçkullat e qeverisë,/i vunë minat Shqipërisë.”

 

Dikush desh ta ndërpriste po  ‘kryetari’ i bëri shenjë që të mos e prishte muhabetin dhe këngën, por të vazhdohej isua deri në fund. Gjëmuan urimet “si goja zemra!”; “të lumtë ajo gojë sa mirë ia more!” Njëri e ledhatoi me një kritikë: “shumë na e rëndove qeverinë, o mik!”

 

Ai që sapo këndoi, pasi falënderoi me shenja e me gotë në dorë shqiptoi: “ju e dini që populli i thjeshtë nuk e do  një qeveri që na dëndi me taksa, me çmime të larta dhe me gënjeshtra…”, dhe shtoi: “hajde, paçim njeri-tjetrin, paçim unitetin dhe shëndetin!”

 

I fuqishëm ky këngëtar! Ngre dolli për ato tri gjëra aq të shtrenjta që pa na i zbeh kapitalizmi i allasojtë shqiptar. U ngritën dolli e mirësi me rregullat  klasike dhe me  ato moderne. U trokitën gota edhe për ata që  na kanë ikur, se nuk na bën goja të themi ‘vdekur’. Më hokatari duke pirë dollinë për inxhinierin e pyjeve iu drejtua: “Qofsh i pa harruar ti, se pyjet u dogjën!”

 

Ia dhanë të gjithë të qeshurit! Kryetari i tavolinës, Gazi, duke bërë bilancin e punës,  nënvizoi se  vatanin nuk e lëmë të dobësohet, gjakun e dëshmorëve nuk e lëmë të harrohet, ja edhe këtu në libër kemi   shkruar për ta, edhe pyjet do të rimbillen, mbasi ne nuk shuhemi kurrë se na mban gjallë zemra dhe fryma shqiptare….