Niko Çuni: Dasma në gusht!… Përtej një bestytnie shqiptare

Niko Çuni: Dasma në gusht!… Përtej një bestytnie shqiptare

Niko Çuni, poet

U bënë disa vite që gushti vjen disi më ndryshe se më parë. I zhurmshëm, plot ngjyra, me lëvizje njerëzish që vijnë e shkojnë, por sidomos me dasma pambarimisht të shumta. Eh, këto dasmat e gushtit! Sa shumë gëzime, por edhe dhimbje mbartin mbi vete, sa amanete të patretur, sa vite të gjata pritjeje, sa kundërshti! Të tilla, veç ato e asnjë dasmë tjetër.

 

Në këto dasma martohen e gëzojnë ata, të bukurit, mall-përvëluarit, që vijnë nga larg e s’i mbajnë dot lotët; që bien në gjunjë e dhimbshmërisht puthin tokën. Vijnë…e rrugët tona mbushen plot zhurmë, oborret me zëra gazmorë, odat me këngë e valle, konakët me dritë e jetë.

 

Sot, gushti është i mirëpritur nga të gjithë për dasmat e bijve tanë, por kohë më parë nuk ka qenë kështu. Vargjet e një kënge popullore muzikuar nga G. Malaj dhe kënduar prej Artur Lamçes, rrëfejnë kaq thjeshtë për një zakon që takohej shpesh qëmoti në shumë treva shqiptare: Ishte dikur një zakon / ardhur deri vonë/ krushku të vinte një kusht/ nuk dua dasmën në gusht…

 

Nuk dihet si dhe kur lindi ky zakon, por dihet mirë si erdhi deri tek ne, ashtu siç përcillet një amanet, odë më odë dhe gojë më gojë, nga babai tek djali, nipi. Ndonëse asgjëkund nuk ka patur diçka të shkruar për të, prapë ai ndodhej gjithmonë aty, në mes të krushqive, teksa njëra ose tjetra palë e kërkonte atë si kusht parësor në caktimin e datës së dasmës.

Nuk dua dasmë në gusht! Po përse?! Përse vallë mënjanohej nga dasmat gushti, ky muaj kaq i bukur, i artë, plot diell? Muaj që në gjithë botën e mbajnë si të preferuarin për pushime verore.

 

Është gjynah! – thoshin gjyshet dhe nënat tona. Gjynah, përse? Çifti që martohet në gusht nuk lind djem – thoshte dikush. Nuk lindin fare fëmijë – plotësonte një tjetër. Martesa nuk ecën mbarë, nuk trashëgohet çifti, nuk…. – dhe kështu gjynahet shtoheshin dhe bëheshin mal i rëndë, mbi supet e brishta të dy të rinjve që do guxonin të shkelnin këtë tabu, me rrënjët thellë në shekuj. Asokohe, askush nuk mund të kundërshtonte autoritetin atëror e mëmësor.

 

Dhe kështu, të rinjtë që do të lidhnin jetën së bashku, ndonëse mund të ishin mjaftueshëm të shkolluar e të qytetëruar, prapë i bindeshin këtij zakoni plot mister. Ndërmjet këtij të fundit dhe dy të rinjve, ishte meraku dhe përgjërimi i prindërve, por edhe një lloj frike tek vetë të rinjtë, nga ndonjë ndëshkim i mundshëm.

 

Ndëshkim?! Po nga kush? Nga gjithkush. Mjafton të kujtosh se të mbetesha pa djem, apo më keq akoma, pa fëmijë (mos e dhëntë Zoti!), dy dekada më parë e tutje, ishte një kafshatë që s’kapërdihej lehtë për mentalitetin shqiptar të asaj kohe. Dhe të mbeteshe I tillë dikur, do të thoshte që: një trung të thahej, një derë të mbyllej, një trashëgimi të mos trashëgohej, një zinxhir brezash të këputej.

 

A mund të pranoheshin të gjitha këto atëherë? Kurrsesi jo. Për këtë, gushi u privua nga bërja e dasmave dhe mosbërja e tyre fitoi një status pashkelshmërie, u bë normë, një rregull i pashkruar por i zbatuar thuajse nga të gjithë. Ishin fundjavat e korrikut, shtatorit dhe tetorit, ato të preferuarat për një dasmë dikur.

 

I tillë, gushti mbetej i shurdhët, pa zë dhe dukej sikur dremiste, me ethe gushti në trup. Po kush ia prishi gjumin gushtit, kush i fali atij nur? Zakoni i vjetër i mosbërjes së dasmave në gusht, që si një mur i lartë gjynahesh e mëkatesh ishte ngritur nga të parët tanë mbi asgjënë, u shemb pa shumë bujë e fjalë. Ishin bijtë tanë, djemtë levendë e vajzat lastare, që mërguan nëpër botë për një jetë më të mirë. Ata, që me një dasmë të thjeshtë e të bukur, plot këngë e valle, nuk iu bindën më këtij zakoni dhe i thanë – Ndal! Deri këtu munde të vije. Më tej s’është koha jote.

 

E kërkuan këta bijë gëzimin e dasmave në gusht dhe e gjetën atë bukurisht të çelur, aty, në fundjavat dhe ditë-netët e këtij muaji – zemër e stinëve. Në fillim prindërit hezituan disi, dhe e thënë më shkoqur, thellë në shpirt nuk i miratuan këto dasma, por as i kundërshtuan. Më pas, me kalimin e viteve, britmat e këtij zakoni të vjetër filluan të meken, të kthehen në rënkime e të struken diku, për tu shuar fare atje. U shua britma e tij, se përballë ishte zëri i bijve tanë, që ndonëse të rinj, folën me zë burri, hodhën firmë e vunë vulë që dasmat të bëhen në gusht, duke e vendosur këtë muaj në vendin më të bukur, në zemrat dhe dasmat e tyre.

 

Këta bij kanë kaluar çaste të vështira në jetë, ndaj dinë të gëzojnë e të lumturohen, të bëjnë edhe të tjerët  të ndjehen të tillë.  Ata janë gjaku ynë, kurrë s’i harruan babë e nënë, asnjëherë s’ia kthyen kokën mënjanë Shqipërisë.

 

Këtu vijnë e pushojnë, këtu tresin mall e qajnë hall, këtu martohen dhe kur dikush e lë këtë jetë…këtu e sjellin të prehet. Janë të tillë bijë që me vendlindjen ëndrrat i shohin, me të në sy diellin e presin dhe me të mbyllin qerpik.

Kur vjen gushti vijnë edhe ata që ia prishën gjumin atij, dhe atëherë pushon lemza e nënës, si luleshqerra çelin dasmat, mesditë bëhet nata, ditën tona ecin me ritmin e tyre. Falë këtyre bijve, sot nuk është mëkat të bësh dasma në gusht, mëkat është të mos i bësh.

Ja, dhe gushti erdhi përsëri. Ata, po vijnë.

Shqipëri, priti bijtë!