Nishica në LANÇ

Nishica në LANÇ

 

 Resmi Bregu

 

Secili që flet apo shkruan për luftën, në radhë të parë bën bilancin e asaj zone për të cilën flet, për pasojat ekonomike dhe humbjet njerëzore që la pas Lufta e Dytë Botërore.

 

 

Në këtë rast po flasim për fshatin tim, Nshicën e Skraparit. Nishica, fshati ynë, gjatë viteve të luftës (1939-1944) pati humbje të konsiderueshme; 4 bij ranë dëshmorë të Atdheut; 20 të tjerë u vranë si viktima të luftës; 30 shtëpi  dhe 38 kasolle u dogjën, mijëra kokë bagëti të imta dhe qindra krerë gjedhë u therën dhe u dëmtuan.

 

 

Për vetë pozicioni ngjeografik Nishica është si urë lidhëse midis dy krahinave, Skraparit e Përmetit. Krahas përparësive të tjera që ka si terren, për mirë apo për keq, ajo  është i përshtatëshme për zhvillimin e luftimeve në kohë të ndryshme historike, si nga mbrojtësit vendas ashtu edhe nga arimku. Kështu ka ndodhur gjatë pushtimit, osman, në Luftën e Parë Botërore, në Luftën Italo- Greke, si dhe së fundmi, në Luftën e Dytë Boterore.

 

 

Disa herë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Nivica duke qënë fushë veprimi luftarak, për t’iu shmangur masakrave dhe raprezaljeve prej armiqve, banorët u detyruan të largoheshin nga vendbanimi dhe të shkonin si muhaxhirë nëpër fshatrat e Skraparit, Përmetit, dhe deri në qytetin e Beratit.

 

 

 

Largimet nga vendbanimi ishin të stërmundimshme, në rrugë e pa rrugë, me ngarkesa në shpinë, fëmijët në krah e përdore, gra shtatzëna dhe pleq e plaka që mezi lëviznin. Gjatë rrugës i ndiqte meraku për pjesëtarët e familjes që nuk ishin me ta, gjëja e gjallë e shpërndarë, shtëpitë, plaçkat, prodhimet bujqësore, që ishin në mëshirën e fatit.

 

 

Nga bombat e lëshuara nga avionët luftarakë gjetën vdekjen Alije, Xhevri, Medine, Xheke, Ferruze, Sose, Vezire e Jonus Spahiu; Petref Musabelliu dhe dy fëmijë, Flamur e Hikmet Spahiu, u plagosën. Momentet e goditjes ishin tragjike. Ndodhi që nëna kishte vdekur nga copat e bombave, duke mbuluar trupin e fëmijës, i cili shpëtoi për mrekulli.

 

 

Nga fundi i vitit 1942, në Nivicë u ngrit skuadra e mbledhjes së ndihmave për luftën, që përbëhej kryesisht nga gra, të cilat i drejtonte Xhevahire Musabelliu. Kjo skuadër kishte si përfaqësuese në çdo lagje: Dile, Hatixhe, Sulltana, Halime, Nasipe e Begzo Spahiu, Kadushe, Qerime, Feruze e Bajame Bregu; Esma, Sulltana, Kajame, Hanëme, Shefiko,Vasieko, Xhite, Fize, Selime, Zenepe e Nadire Musabelliu; Deko e Hava Mali, Zadeko e Hanko Pëllumbi, Nasibe, Nasipe, Këze e Shaze Muka, Peme Pajo, Biko Burimi, etj.

 

 

Këto gra mblidhnin ndihma ushqimore dhe veshmbathje, lanin e andronin rroba për partizanët, përgatisnin triko, jelekë, çorape, doreza e kokore prej leshi dhe sipas rastit, ua dërgonin njësive partizane.

 

 

Sa për humanizmin e tyre, po sjellim një shembull kuptimplotë: Ishte dimri 1943. Dëbora e madhe kishte mbuluar gjithçka, trashësia e së cilës ishte mbi një metër. Partizanët, të drejtuar nga komandant Zylyftar Veleshnja, Hero i Popullit, ndodheshin prej disa ditësh në zonën Tenda e Qypit-Qafa e Murrizit-mali i Spatharës. Ishin veshur keq dhe mbetur pa ushqime. Komandant Zylyftari i dërgoi një letër këshillit antifashist të fshatit Nishicë, në të cilën kërkonte ndihmë për të kaluar atë situatë të rënduar. Këshilli, me organizimin e brendshëm aktivizoi skuadrën e mbledhjes së ndihmave dhe për gjithë natën u siguruan ndihmat e nevojshme.

 

 

Gratë e fshatit përgatitnin ushqimet dhe gjatë natës nën dritën e zbehtë të kandilit, bënë me duart e tyre pesë triko leshi, 12 palë çorape, 3 kokore dhe 4 palë doreza, të cilat u dërguan menjëherë te partizanët.

 

 

Shumë inkurajuese ishin veprimet e grave trimresha: Xhevahire, Esma, Sulltana, Vasieko, Xhite, Fize e Selime Musabelliu; Sulltana, Halime, Leko, Dile e Nasipe Spahiu; Kadushe, Qerime, Ferruze e Bajame Bregu, të cilat, përveç halleve të tyre, u morën edhe me mjekimin e partizanëve të plagosur. Gratë e fshatit pothuajse të gjitha ndihmuan të rregullonin partizanët e vrarë dhe i qanë sipas zakonit të krahinës.

 

 

Në 2 korriku 1943 batalioni partizan “Riza Cerova” luftonte në Qafën e Kiçokut. Lufta ishte e rreptë, italianët lanë 200 fashistë të vrarë. Muaji korrik në atë kohë për fshatrat e Skraparit ishte më i vështiri, drithra për bukë familjet prodhonin për 7-8 muaj, pjesën tjetër e blinin në pazar dhe ditët e fundit merrnin borxh te njëri-tjetri, derisa të fillonte lëmi i tyre. Të gjitha gratë të ndara sipas lagjeve, mblodhën sasinë e nevojshme të miellit.

 

 

Skena ishte shumë prekëse kur shikoje ato nëna, gra e motra, që me përparëset e çantat në duar sillnin bukë, miell, vezë, patate, qepë, gjizë, gjalp apo pulën e sapopjekur.

 

 

Janë pikërisht ato nëna, gra e motra të fshatit Nishicë, të cilat prisnin dhe përcillnin 36 burra dhe djem të fshatit, që kishin dalë partizanë dhe ndodheshin në njësi të ndryshme. Ato gra i prisnin pa vënë gjumë në sy gjithë natën derisa ata ktheheshin pranë familjeve, duke kaluar shumë rreziqe e spiunime. Familjet i lanin, i andronin, i ushqenin dhe kur partizanët largoheshin pë te shokët, çantat i kishin plot me ushqime dhe ndërresa për vete dhe për njësinë luftarake.

 

 

Nënat e fshatit, me fjalët e ngrohta të mirëseardhjes, prisnin dhe përcillnin me bujari drejtuesit dhe komandantët e luftës të qarkut Berat dhe më gjerë, si Mehmet Shehun, Kahreman Yllin, Zylyftar Veleshnjën, Neshat Hysin, Njazi Çepanin, Iljaz Sevranin, Qerim Gjinecin, Luan Qafzezin, etj. Midis atyre grave ishte edhe Dile Spahiu, e cila përfaqësoi kontributin e gjithë grave të fshatit Nishicë në Kongresin e Parë të BGASH në Berat, nëntor 1944.

 

 

Fshati Nishicë gjatë viteve të luftës (1939-1944) pati humbje të konsiderueshme; 4 bij ranë dëshmorë të Atdheut; 20 të tjerë u vranë si viktima të luftës; 30 shtëpi  dhe 38 kasolle u dogjën, mijëra kokë bagëti të imta dhe qindra krerë gjedh u dëmtuan, duke u përdorur si ushqime nga ushtritë ndërluftuese. Edhe atëherë, kur magjja nuk kishte fare miell, ato gra të mrekullueshme i drejtoheshin natyrës, arave, lëndinave, pyjeve dhe ditën të gatuanin lakra e barishte të egra, të cilat i shpëtuan familjarët e tyre prej vdekjes së urisë.

 

 

Brezi im ato gra i ka patur gjyshe e nëna. Ne i pamë me sy dhe i dëgjuam mirësitë dhe sakrificat e bëra prej tyre, i respektuam sa ishin gjallë dhe tani e kemi të shenjtë kujtimin e tyre liridashës.