Një foto e rrallë historike e pinjojve të Familjes Shtylla
Gjashtë pinjollë të familjes së madhe korçare, Mehmeda Panaritit (Shtylla):
Nga e majta jonë, lart, Riza Shtylla (diplomuar në shkencat e Natyrës, Bolonjë), Remzi Shtylla (diplomuar për Histori Gjeografi, Romë), Fuat Shtylla (fakulteti Juridik, Firence) dhe, poshtë, Veli Shtylla (Akademia Ushtarake, Modena e Torino), Tahir Shtylla (fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, Romë) e Skënder Shtylla (Akademik i Rojes së Financës, Romë).
Të gjashtë personalitete të shquara në fushat e tyre, që kanë dhënë shumë për Shqipërinë, edhe pse sistemi komunist i përndoqi politikisht.
Poshtë, në qendër, është figura e Tahir Shtyllës, fëmija i dytë nga nëntë fëmijët e Mehmedajt dhe Fatimesë nga Moglica.
Tahiri ka qenë një personalitet i madh i diplomacisë shqiptare, në vitet ’20-’30, duke shërbyer me devotshmëri në poste të ndryshme jashtë vendit si: në Bukuresht (1926), Beograd (1927-1929), në Romë (1928-1933), në Athinë (1933), në Sofje (1933-1934), në Bari (1934-1937), në Beograd (1937-1939).
Në vitin 1941, ai u caktua Ministër Shteti i Tokave të Çliruara në Kosovë.
Vdiq në Romë, në rrethana të dyshimta, në qershor të vitit 1942. Trupi i tij u soll në atdhe dhe u përcoll me nderime të mëdha, në Teqenë e Turanit, Korçë.
Edhe pasardhësit e tyre kanë ecur me vendosmëri në rrugën e të parëve, për shkollim e atdhetari të rrallë, duke u dhënë emër të madh, vendlindjes, Korçës dhe atdheut.
Postim i historianit Petrit F. Zeneli