Një foto e rrallë që më çoi në Poliçan, në vitet më të bukura të jetës sime!…

Një foto e rrallë që më çoi në Poliçan, në vitet më të bukura të jetës sime!…

 

Hysen Binjaku

 

Rastësisht, duke “gërmuar” në arkivin tim, gati sa nuk bërtita, kur më doli fotoja e mëposhtme:  Më në fund e gjeta!, –  thashë pastaj qetë e qetë. E fërkova me gishta si një gjë të çmuar, sepse më çoi në një kohë kaq të dashur dhe mbresëlënëse për mua , siç ishin vitet ’80, kur unë punoja dhe banoja në Poliçan.

 

 

Në këtë foto, pesë shokë dhe miq të mi të atyre viteve, krenari e Poliçanit, por edhe e jetës artistike të të gjithë Skraparit, kanë dalë në shkallët e Pallatit të Kulturës (para sheshit të qytetit).

 

Janë pesë artistë, tre “vendas”, punonjës të “Kinokubit të Punëtorëve”, siç quhej atëhere Pallati i Kulturës dhe dy artiste, miq të ardhur aty për aktivitet.

 

Po i prezantoj me radhë:

 

Agim Ceno:

Përgjegjës i Kinemasë që ditën që filloi të funksionojë kinemaja dhe Pallati i Kulturës në Poliçan dhe deri sa u nda nga jeta (në mënyrë krejt të papritur) para ca vitesh. Një njeri popullor, artsit i lindur për çdo llojë gjëje, roli dhe pune në objektet dhe skenat kulturore.

 

 

Të kujtoj me mall, shoku Gimi!

 

 

Novruz Zaimi :

Më i riu në rreshtin e parë, insrumetist, skenarist, regjizor, dirigjent, kompozitor, libretist dhe drejtor i Pallatit të Kulturës Poliçan deri sa nuk kishte çfarë të bënte mē aty!…

 

Të përshëndes, shoku im, Noke!

 

 

Ramis Hamzollari

Ai mes dy më të moshuarve, dirigjent (një nga më të mirët e kursit të tij). Aq vite sa punoi në Poliçan bëri sa mundi dhe la gjurmë të thella pune krijuese.

 

 

Dy miqtë,

 

Demir Zyko, Artist i Popullit:

 

E kam njohur që herët, që fëmijë katërmbëdhjet vjeç, kur rrija pranë tyre, tek Kërcunjtë në Gjerbës, duke pritur ndonjë makinë për në Çorovodë.

 

Më vonë, kur u rrita dhe fillova punë, u njoha dhe u bëra shok me djemtë e vajzat e tij. Xha Demiri kishte në Poliçan djalin e tij të madhi, Arshinin. Kush nuk e njihte atë njeri enerjik, punëtor, i komunikueshëm, i shakasë dhe i muhabetit. U nda nga jeta tepër herët.

 

I paharruar, shoku im Arshin Zyko!

 

 

Neshat Hebibasi: 

Është pritësi i parë i këngës së Xha Demirit. Më pas dolën edhe të tjerë. Kishte në Poliçan djalin e madh dhe një vajzë: Djali i tij, Shkëlqim Hebibasi ishte i pari stomatolog i Skraparit dhe një nga më të mirët e asaj kohe, ndërsa vajaza, mësuese, ishte martuar me shokun dhe kolegun tim, Bajram Dalipaj, mësues për shumë vite në Shkollën e Mesme të Poliçanit.

 

 

Të paharruar do të mbeteni në kujtesēn time, dyshja e këngës polifonike Tomorricare, Dëmir Zyko dhe Neshat Hebibasi!