Një histori me dhëndurrë dhe lamtumira e Gert Bogdanit

Një histori me dhëndurrë dhe lamtumira e Gert Bogdanit

 

 Zylyftar Hoxha

 

Aty nga vitet 2005, kur me poetin Xhevahir Spahiu nxirrnim gazetën “Dielli i Tomorrit, pjesën më të madhe të kohës rrinim te kafe “Evropa”, madje aty, në tavolinë, bënim edhe planin e gazetës, zgjidhnim shkrimet, bënim intervistat, nxirrnim tematikat e numrit të ardhshëm etj.

 

 

Na vinin shumë njerëz, na përshëndetnin dhe uleshin në qejfin e tyre. Dikush bënte ndonjë batutë apo shaka dhe ikte në tavolinën e vetë.

 

 

Një ditë, dikush thotë: “More Xhevo, sa shumë paskeni qenë ju skraparllinjtë”!

 

“Dëgjo , – i tha Xhevoja, – se ma ke zënë edhe një herë tjetër në gojë këtë gjë. Ne nuk jemi shumë, por jemi cilësorë, që dukemi shumë. Dhe, mos harro se ne kemi edhe një skalion tjetër kalorësish rezervë, që i mbajmë fshehur në pyll, që janë dhëndurrët tanë. Provo të zësh me ne, – i tha Xhevoja me të qeshur dhe shikon ç’të gjen”!…

 

 

Dhe vërtet, në traditën shqiptare, në një farë mënyre dhëndurrët bëhen pjesë e shtëpisë.

 

Në Skrapar, por edhe kudo në Shqipëri, dhëndërrit i thonë që “je nga fshati i gruas”, sepse vërtet, për hir të gruas, për hir të fëmijëve, vendi i gruas atij i bëhet si vendlindja e tij.

 

Mu kujtua sot ky episod, pas lajmit të shuarjes së një ylli, që s’ishte vetëm një personalitet i lart i nderuar dhe respektuar, s’ishte vetëm një djalë denbabaden tiranas, por edhe një nga kalorësit më të mirë të “skalionit të dhëndurrëve” tanë skraparllinj.

 

 

 

Ai ka qenë dhe do të mbetet dhëndërr i një dere të madhe në Skrapar, një derë luftëtarësh e patriotësh, siç ishte Njazi dhe Bukurie Çepani;

 

siç është vjehrri i tij, Çlirim Çepani, ish-ambasador me një karrierë të gjatë në diplomacinë shqiptare;

 

siç është kunat i tij, Arbër Çepani, një emrër i njohur publik;

 

siç është bashkëshortja e tij, Edlira Çepani, një intelektuale dhe aktiviste e shquar shoqërore.

 

Ai ka qenë dhe do të mbetet edhe tash e tutje, një kalorës i nderuar i “skalionit” të dhëndurrëve të Skraparit!

 

 

“Orakujt e Tomorrit” gjejnë rastin, t’i shprehin ngushëllimet më të sinqerta të dyja familjeve, bashkëpunëtorëve, miqve dhe shokëve të tij  të shumtë!

 

Paqe e qetësi Parajse për Gertin!