Viktor Bakillari

 

Myzeqarët janë barkgjerë dhe kjo fjalë do të thotë zemërgjerë dhe zemërgjerë do të thotë bujar, pra dhe shkurt: mikpritës.

 

 

Myzeqeja ka qenë si njëfarë Tirane e qindvjetëshit që kaluam dhe e këtij në të cilin jemi. Ajo ka pritur shqiptarë nga të gjitha viset: kosovarë, çamë, vlleh, oparakë, skraparas; veriorë, jugorë, lindorë e perëndimorë pa fund.

 

 

Ju flas me kompetencë se skraparasit tanë në Myzeqe e kanë ndierë vetën bash si në barkun e Shën Mrisë. Janë respektuar, janë nderuar veçanërisht. Kjo ka ardhur thjesht, sepse këta si bujtës kanë ditur të sillen model, në mënyrë shembullore.

 

 

Për të mund të flasin papushimas skraparas të ngulur në Dushk (Lu.), në Divjakë (Lu.); Portëz, Roskovec e Libofshë (Fier) e në ishujth të tjerë me skraparas.

 

 

Për të mund të flasë me kompetencë mësues Përparim Hysi, skraparas nga Vërzhezha, banuar në Petovë, mund të flasë ushtarak Demir Korita (Fier), artisti – skulptor Haxxh Kalluçi (Fier), poeti / shkrimtari Visar Zhiti (Lushnjë) e të tjerë, e të tjerë (Demir Korita e Haxhi Kalluçi i njohin gati të gjithë të mëdhenjtë skraparas të Myzeqesë).

 

 

Më bëri përshtypje një pjesë etnografike e shkruar nga korifeu i etnografisë shqiptare shkodrani Rrok Zojzi qysh në vitet 1960 (Rr. Zojzi: Shkodër, 16 nëntor 1910 – Tiranë, 1995)

Ja se çfarë shkruan etnografi ynë Rr. Zojzi për myzeqarët dhe për skraparasit:

 

“Toskët i kemi të përhapun në të gjithë Myzeqenë; sa në të madhen, aq në të voglën, por për myzeqarët e vjetër emni toskë ka një kuptim të ngushtë: ata si toskë të vërtetë njohin vetëm Skraparin e Oparin dhe vetëm banorët që zbritën prej tyne i quajnë “toskë” ose “toskllarë”, kurse të tjerët i quajnë me emna të veçantë si “shpatarakë”, “verçenj”, “lubesharë”, “ mallakastriotë” etj.

 

Ata që zbritën nga rrethi i ngushtë i Beratit i quajnë edhe “Arbënesh” ose “Baltëza e kuqe”. Numri i toskëve që zbritën në Myzeqe asht ma i madh se i çdo kategorie tjetër që nguli banim këtu.”

 

 

_____________________

 

 

Burimi: Rrok Zojzi, Etnograf: “Ndamja krahinore e popullit shqiptar”, (ribotim), f. 125

Akademia e Studimeve Albanologjike

Instituti i Antropologjisë kulturore dhe i studimeve të artit

Departamenti i Etnologjisë

Tiranë, 2020 (Ribotim)