Një jetë e ndërprerë, endѐ pa filluar mirë …

Një jetë e ndërprerë, endѐ pa filluar mirë …

 In Memoriam

 

Prof. Asoc. Dr. Hysen BINJAKU

 

Nuk di cili është fshati që ka nxjerrë më shumë mësues në vitet e vrullshme të zhvillimit të arsimit (vitet 1945 – 1990) në Rrethin e Skraparit por kam mendimin se duhet të jetë Gjerbësi.

 

Në Tomorricë Gjerbësi është fshati më i madh (si numër shtëpish dhe numër banorësh) dhe po ashtu fshati që ka patur që herët shkollë fillore, shtatë (tetë) vjeçare si dhe i pari fshat që ka patur Shkollë të Mesme (me shkëputje nga puna).

 

Numri i mësuesëve është i madh, por unë do të përmend ato emra që më kanë mbetur në kujtesë dhe sidomos ata që më kanë dhënë mësim apo janë të moshës time. Të tillë janë: Servet Carkanji, Ilmi Carkanji, Sejdine Carkanji (Çela) Lutfi Carkanji, Caush Carkanji, Idari Carkanji, Resmie Carkanji (Breshani),  Agim Carkanji, Shpresa Carkanji, Sokol Alushani, Hysnie Alushani , Nasipe Alushani, Resul Alushani, Manushaqe Alushani , Diana Alushani, , Genci Alushani, Hysen Flamuri, Pëllumb Flamuri, Përparim Flamuri, Servet Flamuri, Mirëdita Flamuri, Hëna Flamuri, Shaban Lajthija, Albert Lajthija, Dilaver Zyko, Majlinda Zyko, Këze Çaushllari, Natasha Çela, Xhevrie Dhoga (Bendo), Agim Dhoga, Agron Dhoga, Edlira Hebibasi, Liri Çinari, Xhevdet Ismaili, Mehmet Omeri,Vladimir Omeri, Liri Omeri etj.

Me të gjithë kam patur njohje, disa i kam patur mësues, me një pjesë të tyre kemi punuarë bashkë, por më i afërt ka qenë Resul Alushani. Me Resulin kemi qënë bashkë në Konviktin e Gjimnazit “Ramis Aranitasi” Çorrovodë, në vitet 1964-1967. Kur unë fillova Gjimnazin, Resuli ishte në vitin e dytë, pra tre vite i kemi kaluarë së bashku në konvikt dhe shkollë. Që me hapjen e Gjimnazit në Çorrovodë në vitin shkollor 1959 – 1960, i pari nxënës i këtij Gjimnazi (dhe i Konviktit të Çorrovodës) që filloi dhe mbaroi studimet në Degën e Matematikës në Universitetin e Tiranës (vitët 1965 – 1969) ishte djali simpatik dhe i mrekullueshëm Xhaferr Ibro nga Backa (i paharruar shoku dhe kolegu im).

 

Në vitin arsimor 1966 – 1967 nga Gjimnazi i Çorrovodës nuk shkoi njeri për studime në degën Matematikë, ndërsa në vitin 1967 – 1968 filluanë studimet Resul Alushani dhe Petrit Xhaja. Në vitin arsimor 1968 – 1969 nga Gjimnazi “Ramis Aranitasi”  Çorrovodë filluan studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës Dega Matematikë edhe tre maturantë të Gjimnazit të Çorrovodës, Syti Hysko, Elmas Guga dhe Hysen Binjaku. Aty u ritakuamë me Xhaferr Ibro, Resul Alushani dhe Petrit Xhaja. Meqënëse me Resulin ishim nga e njëjta zonë dhe kishim qënë edhe për tre vite në konvikt patëm lidhje shoqërore më të madhe aq sa edhe shokët e ngushtë të Resulit (Muhamet Mesi nga Shkodra, Luigj Gjoka nga Mirëdita, Gjelosh Toma nga Lezha, Kudret Hankollari nga Tepelena, Pashk Leka nga Puka e të tjerë) u bënë  shokë edhe për Mua, madje dy prej tyre, Luigj Gjoka dhe Pashk Leka edhe kolegë në Universitetin e Tiranës për shumë vite.

 

Resuli mbaroi studimet e larta në Qershor të vitit 1971 me rezultate të mira dhe u diplomua “Mësues i Matematikës për Shkollat e Mesme”, duke qënë kështu (së bashku me Petrit Xhajën) nxënës të Gjimnazit Çorrovodë dhe një ndër dy-tre të parët mësues të Skraparit  që ka përfunduarë Universitetin e Tiranës në Degën Matematikë  (Zija Zaimi dhe Qemal Zaimi kanë përfunduarë më parë Universitetin e Tiranës për Matematikë, por nuk janë nxënës të Shkollave të Mesme të Skraparit, ata kanë mbaruarë Shkollën e Mesme jasht Skraparit).

 

Nuk i di rrethanat por, mbasi mbaroi studimet, Resuli u emërua mësues i matematikës në shkollën 8-vjeçare Dobrenj, kur në shkollën e Mesme Poliçan jepte Matematikë një mësuese pa diplomën përkatëse (me diplomën e Institutit 2-vjeçar të Shkodrës). Në vitin shkollor 1973-1974 u transferua në Shkollën e Mesme Bujqësore “Ismail Alushani” Gjerbës duke mbajtur edhe detyrën e N/Drejtorit të kësaj shkolle. Po në vitin shkollor 1973-1974, Unë fillova punë si Mësues i Matematikës në Shkollën e Mesmë Mekanike Poliçan. Takohesha me Resulin në Gjerbës, kur shkoja me lejë në shtëpinë time në fshatin Çerricë të Tomorricës,  si dhe në seminare të ndryshme që organizonte Seksioni i Arsimit të Rrethit Skrapar.

Në vitin shkollor 1979 – 1980  punuamë së bashku në një Ekip Kontrolli, që organizohej nga Organizmat e Arsimit në Rreth në shkollën 8-vjeçare “Zylyftar Veleshnja” Çorrovodë. Ky ka qënë edhe takimi im i fundit me shokun dhe kolegun tim. Më 14 Mars 1982 një sëmundje e rëndë dhe e papritur ndërpreu, ende pa filluar mirë, jetën e Resul Alushani, një mësuesi i devotshëm dhe drejtuesi i aftë.

 

Resul Xhemal Alushani lindi më 29 Prill 1950. Ai ishte fëmija i dytë dhe djali i madhe i Xhemal dhe Zenepe Alushani, të cilët lindën gjashtë fëmijë, tre vajza (Nasipe, Mona, Diana) dhe tre djem (Resul, Xhelil, Muharrem). Shkollën 7-vjeçare e kreu në vendlindje, Gjerbës. Në sajë të rezultateve të arritura në këtë cikël shkollor iu dha mundësia për të vazhduar Shkollën e Mesme të Përgjithëshme (me konvikt) Çorrovodë, Skrapar.

 

Kur ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme, sapo kishte mbushur 15 vjeç, më 11 tetor 1965 i vdes Babai.  Edhe në këtë cikël shkollimi, falë pasionit dhe punës arriti rezultate të larta dhe për këtë iu dha e drejta e studimit (me burs) në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë. Në vitin 1968, mbasi martohet motra e madhe Nasipe Alushani (Shameti), Resulit i duhet të mbështesë Nënën dhe dy motrat dhe dy vëllezërit e vegjël. Diplomohet dhe merr titullin “Mësues i Matematikës në Shkollën e Mesme” në Korrik 1971.

 

Në dy vitet shkollore  1971-1973, Resuli u emërua mësues i matematikës në shkollën 8-vjeçare Dobrenj, shumë larg shtëpisë. Në Korrik 1973 martohet dhe  transferohet në Shkollën e Mesme Bujqësore  “Ismail Alushani” Gjerbës duke mbajtur edhe detyrën e N/Drejtorit të kësaj shkolle.

 

Në vitin 1975 krijon familjen e Tij por pa harruarë kujdesin edhe për Nënën, motrat dhe vëlezërit më të vegjël. Jeta, edhe pse me vështirësi, po buzëqeshte edhe për Resul Alushanin, Ai bëhet Baba me Ermelinda  (17.02.1975) dhe Najada (15.05.1979). Por nuk thonë kot “Jetimit nuk i qesh buza”, më 14 Mars 1982, pas një sëmundje të rëndë, jeta e Resul Alushanit këputet ende pa filluarë mirë.

 

Barrë dhe brengë e madhe bie mbi shpatullat e Nënë Zenepes. Vajzat e Resulit u rritën nën kujdesin e Nënës së tyre. Vajza e madhe Ermelinda është diplomuarë për  Letërsi, është mësuese në Gjimnazin e Lushnjes, ka dy djem të diplomuar për Shkenca Kompiuterike. Vajza e dytë, Najada është diplomuarë për Juridik, punon Përmbaruese në Tiranë, ka dy vajza. I paharruar shoku dhe kolegu im, Resul Alushani!

Hysen Binjaku