Një klerik bektashian i lënë në harresë, i përçmuar dhe i diskriminuar deri në dhimbje

Një klerik bektashian i lënë në harresë, i përçmuar dhe i diskriminuar deri në dhimbje

 

Gjergj Qafoku

 

Gjithmonë që vinte në Vërzhezhë, nuk shkonte nga rruga e zakonshme, por i binte gjatë, merte rrugën automobilistike që të çonte në fshat. E bënte këtë rrugë  për një qëllim të vetëm: të shkonte nga mekami i Dervish Kamberit, aty ku kishte shërbyer për shumë kohë.

 

 

Kur vinte në Qafokë, do bënte vizitë në çdo familje.

 

Ne, fëmijët mblidheshim rreth tij, ai nxirte nga xhepat e mbushur plotë e na qëraste me sheqerka.

 

 

Syrja Qafoku, i biri i Ismaiit dhe Hasimes, vëllai i Sulos, Nekiut, Ramadanit, Sherifesë, Konxhes, Fatimesë dhe Hatixhesë lindi më 13 mars 1913, në Vërzhezhë. Aty mbaroi arsimin fillor dhe shkoji në medresenë e Sukës, në Përmet.

 

 

Duke ecur në udhën e xhaxhait të tij, Dervish Iliazit, shkoi të studiojë për teologji në Stamboll. Nuk dihet për ç’ rrethana i la studimet përgjysëm. U shkrua dervish në moshën 30 vjeçare, në  vitin 1940, në teqenë e Dervish Iliazit, Kulmak nga Baba Ali Skëndo. Ai aty shërbeu fillimisht për disa vjet dhe më pas në disa teqe në rrethin e Ersekës.

 

 

Arrestohet dhe dënohet me dy vjet burg në vitet 1948-1949(!), një goditje e rëndë që nuk i dihet arsyeja, por që qe goditja e parë, që solli shumë pasoja të rënda në jetën e tij të mëpasshme.

 

 

Mbas daljes nga burgu përsëri iu përkushtua bektashizmit. Shërbeu në mekamin e Dervish Kamberit në Vërzhezhë deri në vitin 1953.

 

Nga 1953 e deri më 1964 shërbeu në Kryegjyshatë. Nga viti 1964-1967, vit kur u prishën teqetë, shërbeu si ndihmës i Baba Pajo Dervish Zhepës në teqen e Çërricës, Tomorricë.

 

Heqja me ligj e fesë në Shqipëri, ashtu edhe si shumë klerikë të tjerë të feve, degëve dhe tarikateve të tjera, tronditi përsëyti  mendërisht dhe psikologjikisht edhe shenjtin Dervish Syrjaiin. I mbetur në rrugë të madhe, vjen në Çorovodë dhe fillon punë në ndërmarrjen komunale, në pastrim gjelbërim.

 

 

Jetoi në në një barake druri në cep të lagjes “2 Dhjetori”, i braktisur, i harruar, i tallur dhe bullizuar nga njerëz injorantë, të cilët nuk e ditën kurrë se kush ishte dhe se çfarë niveli kuturor dhe fetar kishte, arritën të krijonin opinion negativ për të.

 

 

Edhe në këtë kohë të vështirë dhe të mjeruar për të, asnjëherë nuk i mungoi përkrahja nga vëllezërit, nipër e mbesat, miqësia dhe shoqëria e shëndoshë dhe e qytetëruar, por e ai zgjodhi vetë mënyrën e jetesës, për të qenë i shkëputur dhe për të mos ngatërraur njeri  “për atë që kishte qenë në burg”, por edhe për atë rrjedhë tragjikomike që kishte marrë jeta e tij.

 

 

Vdiq në Çorovodë, i përcjellë me shumë nderime nga pjesa më e shëndoshë dhe e civilizuar e qytetit, që nuk e quajti “Aqo”, por Dervish Syriaji.

 

 

Institucionet e larta fetare bektashiane, duhet t’i kthehen edhe një herë jetës dhe veprimtarisë së Dervish Syriait, t’i heqin baltën e hedhur padretësisht dhe, brenda mundësive të atyre rregullave dhe normave që kanë, ta nderojnë, ta kujtojnë dhe ta përjetësojnë me ndonjë përkujtimore  të çfardollojë qoftë, por të jetë dinjitoze, siç qe e tërë veprimatria dhe jeta e dhimbshme e këtij Shenjti.