Një kujtim i bukur: Ermonela Jaho, mes një surprize mikpritje skraparllinjsh, në një prej restoranteve më të çuditshëm të Tiranës

Një kujtim i bukur: Ermonela Jaho, mes një surprize mikpritje skraparllinjsh, në një prej restoranteve më të çuditshëm të Tiranës

 

 

 Zylyftar Hoxha

 

Në prill të vitit 2004, Ermonela Jaho, sopranoja e famshme, me origjinë nga Skrapari, kumboi pas shumë vitesh nëpër botë, edhe në Tiranë, në operën “Eliksiri i Dashurisë”.

 

 

Me këmbënguljen e akademikut Xhevahir Spahiu në atë kohë vendosëm që të shkonim të organizuar ta ndiqnim këngëtaren në opera. U bëmë gati 100 e ca veta skraparllinj, por edhe miq të tjerë të shoqatës “Tomorri” dhe zumë vend në sallën e shfaqjeve të Teatrit të Operës dhe të Baletit.

 

 

Sa u hap skena, shpërthyen duartrokitjet, të cilat vazhduan gjatë. Pas daljes në skenë të Ermonelës përsëri duartrokitje që e detyruan këngëtaren të ndërpresë interpretimin dhe të falënderojë pjesëmarrësit.

 

 

Natyrisht, u përlot ajo, por edhe ne. Shfaqja mbaroi me sukses.

 

 

Siç edhe e kishim lënë me Ermonelën dhe me Zhanin (Ciko) pritëm sa ajo hoqi rrobat e skenës dhe u nisëm të gjithë drejt një bujtine, që besojmë se e mbajnë mend të gjithë, mbrapa “Gropës së Hadin Sejdisë”, përballë 9-katsheve, me emrin “Selita”, që ne i thoshim Kashta, sepse ishte me kallama.

 

 

Një lokal rruge, provizor, popullor, ku shpesh herë gjeje edhe pijanecë të rëndomtë, por ne e kishim mik pronarin e saj, Mehdiun nga Shëngjergji, drejtor shkolle, dhe sa herë që kishin nevojë na e vinte lokalin në dispozicion. Kështu bëmë edhe kësaj here.

 

 

Ermonela me të atin, Hetemin, mbesën, Pantesilenën dhe Xhevahir Spahiun

 

Sa hyri brenda Ermonela u befasua me prezencën e të atit, Hetemit, të vëllait, Fatosit, të kunatës, Enriketës, të mbesës, Pantesilenës dhe njerëzve të tjerë të afërt të saj, që ishin lajmëruar që më parë për veprimtarinë, por që ishte lënë si një surprizë për Ermonelën.

 

 

Një koktej me raki Skrapari e dërguar enkas nga Malo Çuni nga Sevrani, fotografi e shëndete për Ermonelën, për miqtë e ftuar aty.

 

 

Vëllai i Ermonelës, Fatosi dhe e kunata e saj, Enriketa

 

Mbrëmja filloi e ngrohtë. Ermonela takohet me të gjithë. Pastaj fillon kënga. Ia merr një kënge popullore të Skraparit i ndjeri Sulo Pipero, babai i prof. Pëllumb Piperos dhe pas i vjen mrekullia vetë, Ermonela.

 

 

 

Çast i bukur, emocionues, i regjistruar edhe në foto.

 

 

Shoqata “Tomorri” tregoi vëmendjen e saj, midis të ftuarve edhe drejtori i TOB, Zhani Ciko, kompozitori nga Prishtina Rauf Dhomi, poeti shquar Pano Taçi, përfaqësues të degës së Shoqatës në Durrës etj.

 

 

Poeti Pano Taçi

 

Poeti ynë i njohur, Xhevahir Spahiu i jep Ermonelës dokumentin si Anëtare Nderi i Shoqatës “Tomorri”, ndërsa Ermonela i dhuron shoqatës libretin e operës “Eliksiri i Dashurisë”.

 

 

“Zëri i Ermonelës tonë, tha Xhevahir Spahiu me këtë rast, shpërndan nëpër botë aromat e luleve të Tomorrit. Ermonela e qeshur, babai i saj këtu. Dy herë për t’u përlotur”, vazhdon me gotë në dorë Xhevahir Spahiu.

 

 

Unë vërtet u largova nga Shqipëria, por Shqipëria nuk u largua kurrë nga unë“, thotë ajo me lot në sy.

 

 

Dhe vazhdon:  “Ju dua shumë”!…

 

 

Edhe ne të duam shumë, Ermonela, se solle një mal me mall dhe more një mal me dashuri!…

 

 

 

Shënim:

Ky shkrim është botuar në Gazetën “Dielli i Tomorrit”, Nr. 10, prill 2004