Një lajm vërtet i gëzueshëm: Nis të ndërtohet  aksi Berat – Këlcyrë, një nga rrugët më të vjetra dhe më të shkelura të Shqipërisë

Një lajm vërtet i gëzueshëm: Nis të ndërtohet  aksi Berat – Këlcyrë, një nga rrugët më të vjetra dhe më të shkelura të Shqipërisë

Investim madhor që nxit zhvillimin e ekonomik dhe turizmin në këtë zonë të mrekullueshme natyrore, historike dhe kulturore me 150 mije banorë

Rruga nga Berati në Ballaban me gjatësi 58 km përfshin 55 fshatra  me 150 mijë banorë, 4-5 bashki dhe dhe  dy qarqe, Beratin dhe Gjirokastrën.    

 

 

Në ditët e para të korrikut, përgjatë segmentit rrugor Ballaban-Buz, të rrugës së hershme Këlcyrë-Berat, janë parë të lëvizin mjete dhe makineri të rënda ndërtimi.

 

 

Ata pak njerëz që kanë mbetur atyre anëve dalin e shohin tërë çudi e kërshëri. Sepse në një shekull e ca, qysh nga momenti i ndërtimit të kësaj rruge, janë parë të qarkullojnë lloj-lloj mjetesh; tanket dhe autoblindat e kohës së luftës, “Satat” e udhëtarëve dhe mjetet e ndryshme të transportit të mallrave deri nga fundi i viteve ’70 të shekullit të kaluar, traktorët me zinxhirë apo “Zisat” dhe “Gazet” e ish kooperativave bujqësore, autoveturat e viteve të Demokracisë, etj.

 

 

Makineri e mjete të tilla ndërtimi, si këto që kanë filluar të grumbullohen në afërsi të fshatit Ballaban, s’kanë parë kurrë. Diçka kishin dëgjuar, por nuk u besojnë syve. E kishin dëgjuar nga media, e kishin lexuar në gazeta. Dhe prapë u duket sikur janë në ëndërr. Sa shumë kanë ëndërruar për këto ditë!

 

 

Tenderin e zhvilluar, për segmmentin Ballaban – Buz, nga katër subjekte, fitues doli “Albavia” sh.p.k., e cila në datën 27 qershor 2023 ka lidhur edhe  kontratat e kryerjes së punimeve, madje edhe ka filluar punimet.