Pse kaq indiferent dhe mosmirënjohës ndaj firmëtarit të vetëm të Skraparit në Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë!?…
Zylyftar HOXHA
Edhe pse para 12 vjetësh, me rastin100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, u bënë përpjekje për të rehabilituar disa nga figurat historike të Qeverisë së Vlorës, përsëri për disa të tjerë ende heshtet.
Historianët e dikurshëm, të detyruar nga ideologjia komuniste apo ndonjë motiv tjetër, të cilën e dinë vetëm ata, kanë fshirë faqe të tëra historie dhe emra, kanë retushuar fotot apo firmat e protagonistëve në këtë ngjarje të madhe, duhet të kishin kurajën, në mos ata, kolegët e tyre, të ndreqnin atë që është prishur dhe manipuluar keqas me të vërtetat historike.
Duke mos u zgjatur shumë, unë po marr në shkrim vetëm një emër, atë të Xhelal Koprënckës, që ka firmën në dokumentin e njohur të Shpalljes së Pavarësisë, por edhe që është në 18 emrat e Pleqësisë të zgjedhur dy ditë më vonë pas formimit të qeverisë.
Po shikoj nëpër gazeta dhe botime të ndryshme, që ende u referohen dy bibliografive, për mua jo serioze, të hartuar që në periudhën komuniste me dokumentet e prodhuara të Qeverisë së Vlorës, ku mungojnë thesare të tërë. Fatkeqësisht, emrin e Xhelalit nuk e gjen gjëkund, në këta libra jo e jo, por edhe në asnjë dokument tjetër.
Fshirja e emrit të tij është bërë sipas logjikës se “u bashkua me forcat reaksionare të Ahmet Zogut dhe i shërbeu atij me besnikëri” dhe se “ka qenë bej”, kur, në të vërtetë-në të vërtetë, ai është vrarë në vitin 1919, katër vjet para se Zogu të hipte në fuqi, si bashkëpunoi ai me Zogun(?!). Por edhe po të kishte bashkëpunuar, pse duhet fshehur e vërteta?
Kanë kaluar 112 vjet dhe firmëtarët e historisë janë ndarë, ca që kanë njerëz, të nënës; të tjerët që s’ka kush interesohet, të njerkës, të baltosur, të harruar.
Është për të ardhur keq, por edhe Skrapari, të cilin ai e ka përfaqësuar në formimin e shtetit shqiptar para 112 vjetësh dhe që di të nderojë e respektojë bijtë e tij luftëtarë, çuditërisht në këtë rast hesht. Nuk ka shpjegim tjetër, veç paragjykimit që ai si bej me titull ishte përfaqësues i krahut radikal, krah që skraparllinjtë nuk e kanë me qejf.
Por kohët kanë ndryshuar dhe padrejtësitë historike duhet ndrequr. Firma e Xhelal Koprënckës në aktin e pavarësisë nuk është vetëm firma e tij, nuk është personale, ajo është hedhur me vullnetin dhe dëshirën e tërë popullit të Skraparit, të të vdekurve, por edhe të të gjallëve. Ndaj të gjallët të ndreqin padrejtësitë e të vdekurve, ta nderojnë Xhelalin, si një figurë madhore të kësaj krahine, një figurë e denjë për respekt e vlerësim.
I vetmi që ka hedhur disi dritë mbi këtë figurë dhe që ka sjellë shumë të dhëna arkivore e dokumente të pakundërshtueshme ka qenë i ndjeri Izet Dyrmishi, i cili ka shfrytëzuar dosjen e Xhelalit në Arkivit Qendror të Shtetit dhe askush tjetër nuk është marrë seriozisht me këtë figurë.
Një shkrim që qarkullon në internet (dhe që është ky që po botojmë në këtë rast) është herë pa autor dhe herë me autor një mikun tim që e ka vjedhur dhe e ka botuar në portalin Memoria.al dhe askush tjetër i fushës, një historian serioz nuk është marrë me të, të krijojë njohje, të krijojë opinion për të, në mënyrë që të veprohet nga organet kompetente për simbolika përkujtimore, siç veprohet për të gjitha figurat historike të këtij kalibri.
Por çka është më urgjente, se koha kalon dhe bëhet edhe më e vështirë, është gjetja e eshtrave në Gostënckë të Skraprit dhe të çohen për një prehje më të qetë, atje ku i takojnë.
Bejlerët e Koprënckës, Mançet
Nga gojëdhënat, e më pas nga dokumentet historike, saktësohet se kjo familje nga mesi i shekullit të 19-të, deri në vitet ’30 të shekullit të 20-të, ka pasur në zotërim mijëra hektarë tokë buke, livadhe, kullota, kryesisht verore dhe pyje.
Këto toka kanë qenë në Gostënckë, Leshnje, Vlushë, Kapinovë, Krastë (Bërsakë), Potom, Çorovodë, kullotat verore të Ostrovicës, Shtyllës, Sherës, Qafës së Martës, Gorrulit, Bulgarecit të Korçës si dhe tokat e fshatit Cërrunjë të Gramshit Brezi i Xhelalit, ku edhe do të ndalemi në këtë shkrim, mban për mbiemër Koprëncka dhe përfaqësohet nga Xhelali dhe tre vëllezërit e tjerë, Hasani, Zalua dhe Abdyli (Dulja) si dhe nga katër motra.
Pas shkëlqimit të kësaj dere të madhe, të njohur dhe të respektuar edhe jashtë krahinës së Skraparit, vjen rënia dhe shpërndarja. Djegia e sarajeve nga greku i 1914-ës në Koprënckë, i detyroi të ndërtoni një shtëpi të përkohshme në Gostënckë, ku kishin dajallarët, pastaj shkuan në Çorovodë dhe Korçë, në pronat e dikurshme.
Atdhetarë dhe arsimdashës
Duke ndjekur rrugën e rilindësve më të shquar, pjesëtarët e kësaj familjeje në vitet 1900-1909 iu kushtuan veprës mëmëdhetare, çeljes së shkollave shqipe. Më 1908 çelen tri shkolla shqipe nga Hasan Dalip Koprëncka, në Koprënckë me 53 nxënës, në Gostënckë me 57 nxënës, 34 të ditës dhe 23 të natës dhe, në Çorovodë, me 43 nxënës. Këto shkolla mbahen financiarisht nga vetë Hasani.
Një vit pas Kongresit të Manastirit mbahet Kongresi i Elbasanit, nga data 2 deri më 8 shtator të vitit 1909, ku merr pjesë edhe Dulja (Abdyli). Siç mësohet nga dokumentet arkivore, ata kanë kontribuar me të holla për çeljen e Normales së Elbasanit.
Më 6 maj 1909, në Çorovodë u formua klubi “Pellazg”, me kryetar Abdylin, që u quajt edhe klubi i “Dramës”. Me iniciativën e dy vëllezërve, në fillim të vitit 1910, u bënë përpjekje për mbajtjen e një mitingu në Koprënckë, por meqenëse në këtë miting ishin ftuar vetëm myslimanë të sektit bektashi, mitingu u anulua dhe u la një datë tjetër, ku u ftuan edhe të krishterë nga zona e Frashërit, Përmetit dhe Kolonjës.
Kështu që mitingu tjetër u zhvillua më 25 maj të vitit 1910. Në këtë miting, që u drejtua nga Hasani dhe Abdyli morën pjesë 3000 vetë dhe u fol për gjuhën dhe shkollat shqipe.
Hasani ka qenë aktiv edhe më vonë, si pjesë e administratës të nënprefekturës në Çorovodë.
E gjithë veprimtaria e vëllezërve Koprëncka, që përshkruam shkurt më lartë, është pasqyruar nga shtypi i kohës, veçanërisht nga gazeta “Liria e Selanikut”.
Po kush ishte Xhelali?
Ai ka lindur në Koprënckë në vitin 1876. Mësimet e para fillore i mori në Korçë. Më pas vazhdoi studimet në Robert-Kolezh të Stambollit. Studimet e larta i kreu po në Stamboll, në shkollë ushtarake, ku edhe u dallua për rezultate të mira dhe cilësi të veçanta të karakterit të tij.
Pas përfundimit të studimeve, shërben në repartet ushtarake të Selanikut. Në vitin 1911 emërohet komandant i qarkut të Janinës. Edhe pse oficer i lartë, ai përfshihet në lëvizjen kombëtare të Rilindjes. Koordinon që nga Selaniku dhe Janina punët për përhapjen e gjuhës shqipe me vëllezërit e tij, Dulen e Hasanin.
Në këtë kohë ai mban lidhje të ngushta me botuesit e “Kalendarit Kombëtar” dhe gazetës “Liria e Selanikut” si dhe merrte rregullisht gazetën e Jani Vretos, “Rrufeja”.
Në krah të Ismail Qemalit
Ngjarja që mblodhi dhe vuri në lëvizje të gjithë ajkën e patriotëve shqiptarë, ishte Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ata erdhën aty nga ishin e nga s’ishin. Në këto ditë të shënuara dhe të shumëpritura nga i gjithë populli shqiptar, krahas shumë figurave të njohura, gjejmë në Vlorë edhe Xhelal Koprënckën.
Ai përfaqësonte krahinën e Skraparit, dhe në emër të saj, ka firmosur dokumentin përfundimtar dhe historik të Shpalljes së Pavarësisë. Në procesverbalin e Kuvendit për ngritjen e flamurit ai mban numrin rendor 13, ku shkruhet: “Nga Berati mori pjesë Xhelal bej Koprëncka…”
Në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës Xhelalin e gjejmë në dokumentet e kohës në Vlorë, nga 28 nëntori i 1912-ës deri më 27 dhjetor të 1912-ës, me detyrë specifike nga Qeveria e Vlorës organizimin e ushtrisë përkrah ministrit të Mbrojtjes, Mehmet pash Dërhallës, organizimin e xhandarmërisë në Lushnjë si dhe organizimin e frontit të luftës kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e territoreve që mbaheshin të pushtuara edhe pas formimit të shtetit shqiptar, kryesisht në jug, nga shovinistët grekë.
Gjatë këtyre ditëve, në rangun e një zëvendësministri i Mbrojtjes, që përgjigjej për kufirin jug-lindor të asaj zone që përfshinte Qeveria e Vlorës në atë kohë, ai mban lidhje me zonat me Mahmut Ali Pashën në Delvinë, Selam Koprënckën në Skrapar, Hazis Vrionin në Berat etj.
Në frontin e luftës
Detyrën e ngarkuar nga Qeveria e Vlorës për ndalimin andartëve grekë në territoret e Korçës, Kolonjës dhe Skraparit në vitet 1913-14 Xhelali e kreu më së miri. Ai bashkoi çetat e Skraparit dhe zuri shtigjet më të rëndësishme.
Krahas detyrave ushtarake, Xhelali në këtë kohë caktohet edhe me detyrën e prefektit të Skraparit. Ai gëzonte respekt të veçantë dhe shihej me besim nga Ismail Qemali. Kjo gjë vërtetohet me letërkëmbimin dhe korrespondencën e tyre të pasur.
Në një telegram të qershorit të vitit 1913, Xhelali e gëzon plakun e Vlorës kur informon se 1500 vullnetarë bashkë me ushtarët e vendit “janë tue kontrollue grykat e qafat e Skraparit”. Rezistenca zgjati mbi pesë muaj, megjithatë ajo ngeli në kuadrin lokal dhe greket arritën kohë pas kohe deri në Berat.
Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore zhvillimet politike në Shqipëri morën rrjedha të tjera. Në këtë periudhë ka tërhequr vëmendjen e forcave patriotike veprimtaria antikombëtare e Esat pash Toptanit. Ai në këtë kohë shtriu pushtetin e tij deri në Skrapar. Xhelali organizon në shtëpinë e tij një mbledhje me të gjithë krerët e Sraparit, ku vendoset organizimi i një kryengritjeje antiesadiste.
Kryengritja filloi më 27 dhjetor 1915 dhe forcat esadiste u shtynë deri matanë lumit Devoll.
Xhelal Koprëncka ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Durrësit, ku më 25 dhjetor të vitit 1918, kryeministër u zgjodh Turhan Pasha. Ky i fundit u ngarkua edhe me detyrën e kryetarit të delegacionit që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Por, krahas Turhan Pashës, pa mandat përfaqësimi shkoi edhe Esat pashë Toptani, i cili, duke shfrytëzuar dobësitë, mori atribute të vetëpërfaqësimit.
Kjo e revoltoi shumë Xhelalin, ndaj në fillim të janarit të vitit 1919, nga Berati ai i dërgon një protestë telegrafike Konferencës së Paqes në Paris për të mos e pranuar Esatin si përfaqësues të Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon atribute përfaqësimi.
Pas 10 ditësh, ai organizon një miting në Çorovodë ku marrin pjesë mbi 2000 vetë për të kundërshtuar përfaqësimin e Esat pash Toptanit. Pas mitingut, 100 burra nga paria e Skraparit, midis tyre Rakip, Rustem e Ali Gostëncka, Sinan e Taulla Leshnja, Riza Vëlusha, Riza Gradeci, Mehmet Radëshi, Mahmut Zaloshnja, Hasan Gërmënji, Baba Meleq Staravecka etj., firmosin një peticion dhe e dërgojnë me postë në Paris. (AQSH, dosja nr. 28, fleta 13, 14, viti 1919).
Vrasja, që mbeti enigmë
Nga mesi i vitit 1919 Korçës iu hoq statusi i Republikës Autonome, dhënë nga gjenerali francez që komandonte trupat ndërluftuese në këtë rajon. Mirëpo Korçës iu shfaq një rrezik tjetër, ai i pushtimit nga shovinistët grekë.
Në këtë kohë patriotët dhanë alarmin për të mbrojtur Korçën. Xhelali vihet në krye të forcave të Skraparit dhe niset për atje. Para se të shkojnë në Korçë, bëhet një takim edhe me forcat e tjera në Gjergjevicë. Duke u kthyer prej andej, në vendin e quajtur Dëllinjë, në lindje të Qafës së Martës, më 21 tetor 1919, Xhelali vritet në pritë.
Vrasja ishte e pamotivuar në ato rrethana. Thuhet se ajo u krye për hakmarrje. Në këto rrethana u krijua një pështjellim i madh, forcat u përçanë. Përkrahësit e Xhelalit shkuan në Leshnje për t’u hakmarrë. Mirëpo ndërhynë forcat e moderuara patriotike si Shefit Krasta, Avni e Muço Kapinova, Sinan Leshnja, Ali Koprëncka, kushëri i Xhelalit dhe, mbasi e arrestuan atentatorin, bënë pajtimin.
Xhelali u varros në Gostënckë pranë shtëpisë së dajallarëve, pas një vrasjeje tepër të dyshimtë se, qenë vërtet motivet e mësipërme apo ndonjë plan tjetër nga kundërshtarët e tij.
Misteri i vdekjes së tij ende nuk është zbardhur.
Shënim: Ky shkrim risillet për “Orakujt e Tomorrit”, është botuar më parë në gazetën DITA