Një ndër luftëtarët e asaj dite të zezë
7 prilli 1939 nuk pati vetëm një Mujo Ulqinak hero, pati edhe 13 të tjerë që derdhën gjakun si ai dhe që sot janë Dëshmorë të Atdheut, edhe qindra “Ulqinakë” të tjerë luftëtarë që i dolën zot atdheut në atë ditë të vështirë.

Një ndër këta luftëtarë ishte edhe Smail Alia nga Vëndresha e Skraparit.
“Në vitetet 1935 – 1939, Ismail Aliaj ka shërbyer në ushtrinë e rregullt shqiptare të mbretërisë së Zogut me pagesë. Ai ka qenë pjesë e eskortës së tij, jo në oborrin e largët, por brenda shtëpisë së Mbretit.
Ishte një nder i madh, në konteksin kohor dhe historik, të ishe i përzgjedhur në rrethin e parë, afinitiv, nga vetë mbreti dhe mbretëresha, i vetmi nga jugu, që i vunë edhe emrin “Toskë” kur e thërrisnin.
Më 7 prill 1939, rrugët mes Mbretit, që mori arratinë dhe ushtarit të tij besnik, u ndanë.
Ndërsa Mbreti shkoi në mërgim, Ismail Alia më 7 prill, me një grup shokësh të repartit të tij, zunë Kepin e Rodonit, duke bërë rezistencë ndaj ushtrisë pushtuese italiane, sikurse vepruan edhe shumë kolegë të tjerë të tyre, mes të cilëve edhe Mujo Ulqinaku.
Pas kësaj ai u arrestua dhe u torturua në burg. E internojnë në Bari të Italisë bashkë me të gjithë skudrën e tij. Aty ka kryer 8 muaj internim.
Në vitin 1941, gjatë Luftës Italo-Greke, arrestohet nga ushtria italiane si i dyshimtë dhe pjesë e rezistencës në Skrapar.
Më pas në vitin 1943 – 1944 u rreshtua në Grupin e Tretë partizan të Skraparit, ku është plagosur dy herë (dhe për këtë kishte statusin e invalidit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare);
një herë në betejën e Tendës së Qypit dhe një herë tjetër në Balibardhë të Berati, ku ishte bashkë me të vëllanë, Rizanë, i cili u vra në krah të tij, dhe sot është Dëshmor i Atdheut.
Duke qenë pjesë e eksortës së Mbretit, për arsye ideologjike dhe të ndonjë trajtimi ndryshe, veprimtaria në oborrin e Mbretit, bashkë me të edhe rezistenca e antifashiste e Kepit të Rodonit, u mbajtën të fshehta në biografinë e tij.
Nën kujdesin e Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, të shoqatës së Dëshmorëve, të Muzeut Historik të Durrësit dhe të familjes Alia, u gjetën dokumente arkivore të periudhës në fjalë dhe kjo pjesë e biografiasë së jetës së tij u ndriçua.

Me këtë rast, më 27 dhjetor 2025, në mjediset e jashtme të shtëpisë së Gëzim Aiajt, në lagjen nr. 13 të Durrësit, në nder dhe respekt të të luftëtarit Ismail Aliaj (Vëndresha) u zhvillua një veprimtari përkujtimore, ku u inaugura një memorial modest që pasqyron pjesëmarrjen e tij në Rezistencën Antifashite të 7 prillit 1939.
Sot, me rastin e 87- vjetorit të 7 Prillit, në këtë memorial u bënë homazhe nga veteranët dhe banorët e lagjes.
