Një relikte e rrallë: Cigarishtja e Riza Cerovës ruhet edhe sot në një familje mokrare, në të cilën bujti një natë para se të vritej
Riza Cerova, lindur më 28 janar 1896 në Skrapar. Ishte shkolluar në Stamboll. Në moshën 16-vjeçare, ai bashkë me të vëllanë, Alinë ishin pjesë e formacioneve vulnetare të Skraparit kundër andartëve grekë.
Në vitin 1920 me 300 vetë mbrojti punimet e Kongresit të Lushnjes. Por ajo që spikat në të gjithë veprimtarinë e tij patriotike, është Kryengritja e Fierit e vitit 1935, kundër regjimit të Mbretit Zog, ku ai qe protagonist kryesor i kësaj kryengritjeje, e cila për fat të keq dështoi dhe Riza Cerova u detyrua të lerë vendin dhe të shkojë në megrim, por gjatë rrugës iu bë pritë dhe u vra nga Mbreti Zog.
Ky shkrim *) bën fjalë pikërisht për ato ditë që ai, në përpjekje për të dalë jashtë kufijvje, udhëtoi nëpër Pogradec e Mokër.
Fari Muço
Gjatë rrugës për në Mokër ai zbulohet nga Xhandamëria dhe i zënë pusi në Qafën e Panjës.
Sapo afrohet ai dëgjon: – Ndal!
Ai ndalon dhe u kërkon xhandarëve që të takojë komandantin e tyre.
Ashtu u bë. Komandanti i tyre ishte Ibrahim Baçi.
Ata sapo u panë u përqafuan me njëri – tjetrin, sepse kishin qenë bashkë në Turqi dhe ishin shokë të vjetër.
Ibrahim Baçi, jo vetëm që nuk e dorëzoi në postëkomandën e vendit, por e strehoi tek Isa Baçi. Ky e mbajti dy –tri ditë dhe për t’i u shmangur ndonjë spiunimi e dergoi në Hondishtë tek miku i tij, Asllan Xhika, pasi edhe në rast se do të zbulohej, ishte kollaj për t’u fshehur sepse Asllani e kishte shtëpinë afër një korije të dendur me dushk.
Asllani ishte komanadant poste xhandarmërie në Poroçan të Gramshit, por kishte qëlluar me leje në shtëpi. Asllani e mban edhe ai dy-tri ditë dhe e përciell pastaj për në Gorë, duke e shoqëruar vetë deri në Qafën e Panjës, ku u bë prita disa ditë më parë. Pasi panë qeë nuk kishte gjë aty, u përcollën dhe u ndanë.
Pasi bënë disa hapa Rizai kthehet edhe një herë, duke nxjerrë një cigarishte nga xhepi dhe i thotë Asllanit:
Merre këtë cigarishte si kujtim dhe respekt për burrat e Mokrës, të cilët jo vetëm nuk më dorëzuan, por më mbajtën edhe si një mik të rrallë.
Ndahen dhe Rizai niset drejt Gorës.
Cigarishtja e Rizait sot ndodhet në dorën e Ferrik Xhikës, por se si, ai tregon vetë:
“Kjo cigarsishte që nga viti 1935 ka qëndruar në shtëpinë e kushëririt tim, Asllanit, i cili ndërroi jetë në vitin 1970.
Dy vite më parë, në vitin 1968, unë vij nga ushtria dhe këtë punën e cigarishtes ma tregoi vetë Asllani. Pasi ndërroi jetë, i biri I Asllanit, Faiku, ma dhuroi mua cigarishten, sepse unë ia kërkova me ngulmë, pasi e dija këtë histori.
Ai ma dha dhe, ja ku e kam edhe sot, siç e shikon edhe vetë!…
E pra, një relikte sa një histori!
Siç dihet, Riza Cerova u vra po atë ditë në Dolanec të Gorës, I tradhtuar, ndërsa nga Mokra doli shëndoshë e mirë, ndonse i pari i krahinës sonë u dënua katër vjet burg nga qeveria e Zogut për mos dorëzimine Riz Cerovës.
*) Ky shkrim është i botuar në numrin 12, tetor – nëntor, 2020 të gazetës “Mokra”.
Falenderojmë publicistin Luman Caka që e solli për “Orakujt e Tomorrit”