Një sqarim i domosdosshëm për historikun e krijimit të shqatës “Tomorri” dhe një thirrje për një zgjidhje që e dëshirojnë të gjithë
Lërini vulat, në më dëgjoni, si mik, si shok, si skraparas: Gjeni gjuhën, bashkohuni të bëjmë gjëra të mira për atë vend ku lindëm dhe u rritëm!…
Prof. asoc. dr. Hysen Binjaku
U hap përsëri, pas kushedi se sa herësh, debati “shterp” për të famshmen “vulë” të shoqatës atdhetare kulturore “Tomorri”.
Ky debat nuk ka për të patur fund, për aq kohë sa nuk pranohet që kjo shoqatë nuk u rithemelua në vitin 1999 (siç thonë vulëmarrsit dhe vulëmbajtësit), por në kohën “e zjarrtë” 1992-1993 në Tiranë, pas mjaft përpjekjesh nga një grup (jo i vogël) skraparas me punë dhe banim në Tiranë.
Nismëtarë (idelindës, quajni po deshët) ishin: i madhi Xhevahir Spahiu, gazetari Bashkim Koçi, pedagogu në UT (Fakulteti i Ndërtimit) Hysen Binjaku, mësuesja aktiviste Fatbardha Cerova, veprimtari i palodhur Meleq Kotobelli dhe mjaft të tjerë.
Përpjekjet e këtij grupi nismëtar u finalizuan me një “tubim” goxha të madh skraparas me punë e banim në Tiranë, të cilët shpallën krijimin e Shoqatës me kryetar të saj, Xhevahir Spahiu dhe sekretare Fatbardha Cerova.
Besoj se në dosjen arkivore të kësaj shoqate janë procesverbalet dhe dokumentet e tjera të duhura me firmat përkatëse.
Nuk kishim vulë se nuk ishte kërkesë e ligji të kohës, por kjo nuk do të thotë se dokumentet nuk ekzistojnë.
Pra, nuk duhet përqëndruar debati kur dhe kush e drejtoi shoqatën deri në vitin 1999 por si e kemi shoqatēn sot.
Unë nuk kam asnjë interes personal, veçëse atij patriotik, shpirtëror dhe nostalgjik (se kam lindur e jam rritur në një krahinë të shumëvuajtur, siç është Tomorrica dhe Skrapari) ndaj dhe skuqem kur dëgjoj çfarë thuhet dhe çfarë bëhet me atë organizim historik që pati Shoqata Tomorri dhe, sot, të ndahet në parcela interesash mjerane.
Tani në moshë pensioni, kam kohë edhe plane që mund të bëj diçka për atë krahinë (siç bëj në rrjetet sociale çdo ditë) por nuk di ku të trokas … janë bërë tri dyer (tri shoqata)!…
Më e turpshmja është që janë krijuar nga dy shoqata “Tomorri” në çdo rreth(!).
Ore, ç’bëni kështu, jeni a s’jeni në vete?! Ta hajë dreqi, nuk jemi as shumë!…
Të kthehemi edhe një herë te problemi:
Vulëmarrësit thonë se shoqatën e krijuam ne (dmth ata) në vitin 1999 dhe Xhevon e zgjodhëm (dhe akoma e kanë të dyja) Kryetar Nderi!
Mirë, more zhurmëmëdhenj, po si mund të zgjidhej (në vitin 1999) Xhevahir Spahiu, Kryetar Nderi i Shoqatës pa patur asnjë ditë aktivitet në shoqatë dhe, po ashtu, kryetar i saj (se kështu thoni ju, që shoqata u krijua në vitin 1999)!…
Kushdo ka të drejtë të pyes: Pse nuk u zgjodh kryetar faktik Xhevahiri në vitin 1999 kur u “themelua” shoqata? E them unë.
Kishte vetëm një arsye dhe ajo ishte sepse Xhevua kishte 5-6 vite që e drejtonte shoqatën dhe në atë kohë (1999) nuk deshi të vazhdonte në krye, por pranoi “të jepte” emrin dhe punën e tij për të mirën e shoqatës që rithemeloi dhe drejtoi për 5-6 vite të “zjarrta”.
Në zgjedhjet e pretenduara nga ju (viti 1999) ne, ishnismëtarët, nuk kërkuamë “poste” në shoqatë (nuk na i lejonte statuti i një shoqate pasi ishim të angazhuar në parti politike apo të angazhuar në shtypin e tyre) por ishim me mendje në shoqatë.
Kjo është historia e shoqatës dhe vulës së saj (sipas meje) deri në vitin 1999.
Mendoj se për aq kohë sa nuk do njihni historinë nga fillimi, kështu do jeni … me dy vula, me dy kryetarë, pa anëtarë, veçse me disa servilë që ju shoqërojnë dhe ju ngatërrojë në një turp që sa vjen dhe po bëhet më publik!
Në më dëgjoni (si mik, si shok, si skraparas): Gjeni gjuhën, bashkohuni të bëjmë gjëra të mira për atë vend ku lindëm dhe u rritëm!…
Kjo që po kalojmë është një kohë e vështirë që po i ndan dhe përçan shqiptarët për arsyet që i ka vetë sistemi.
Le të mundohemi t’i “kundërvihemi” kësaj kohe me bashkim, me organizime të bukura dhe të shëndetshme siç janë shoqatat atdhetare dhe kulturore, siç ka qenë edhe shoqata “Tomorri” në lulëzimin e saj!