Një tomorricar në majat e Perandorisë Osmane

Një tomorricar në majat e Perandorisë Osmane

 

Klevis Bakillari

 

Në historinë e gjatë e të ngarkuar të Perandorisë Osmane, emrat e shqiptarëve që lanë gjurmë të pashlyeshme janë të shumtë. Ndër ta, një vend të nderuar zë Arkitekt Kasëmi, një fëmijë i marrë nga Tomorrica sipas sistemit të “devshirmesë”, që u rrit për të ndërtuar qytete, për të ndërtuar ura dhe për të ndikuar deri në politikën e brendshme të Sulltanatit.

 

 

Kasemi lindi në vitin 1570 në fshatin Grëmsh, në krah të malit të shenjtë të Tomorrit, përballë Teqesë së Kulmakut dhe Çukës së Abaz Aliut, u edukua në Stamboll me rregullat e sheriatit islam dhe u stërvit në zanatin e arkitekturës. I ndritur,

 

 

I palodhur dhe vizionar, ai fitoi besimin e oborrit perandorak dhe, në moshën 27-vjeçare u bë i njohur për riparimin e hamamit të Valide Sulltaneshës. Kjo e ngjiti drejt e në postin e kryearkitektit të Perandorisë Osmane në vitin 1622, një pozitë që e mbajti deri në vitin 1651.

 

 

Gjatë jetës së tij ndërtimore ai ndërtoi qoshqe madhështore si Revan (1636), Bagdat (1639), Sepetiler në Yskydar (1643), sarajet e Topkapisë, xhami madhështore si Yeni Xhami, Çinli Xhami, xhaminë e Konjas dhe shumë vepra të tjera në Greqi, Gjermani, Shqipëri dhe Anadoll. Por pavarësisht nga fama dhe pozita, zemra e tij mbeti gjithmonë e lidhur me Gremshin.

 

 

 

Kthimi në vendlindje dhe projektet ndërtimore

 

Në vitin 1635, Kasemi u kthye në Grëmsh. Udhëtimi u ndërpre në qafën e Dëvrisë nga bora e madhe, dhe spahiu i Tomorricës dërgoi kuajt më të mirë të timarit për ta sjellë deri në fshat. Grëmshi e priti me gëzim dhe krenari. Rrugët u mbushën me njerëz. E shoqëruan me këngë dhe valle, i shtruan sofrën me pasterma, raki të vjetër Skrapari dhe bukë misri nga ara e Dumbravës.

 

 

Kasëmi u habit nga gjallëria e fshatit me mbi 400 shtëpi dhe më shumë se 20 dyqane, por pa rrugë të mirëfillta, pa ujë të pijshëm dhe me nevojë për qendra të jetës komunitare.

 

 

E para, ndërtimi i Xhamisë

 

Për ndërtimin e xhamisë ai zgjodhi një truall të ngritur në qendër të fshatit. Vetë vizatoi mbi letrën e pergamenit strukturën sipas stilit klasik osman, me një kupolë të vetme dhe një minare elegante që ngrihej si shtizë drejt qiellit.

 

Ai punoi dorë për dore me mjeshtrat vendas. Tullat u dogjën në furrat e fshatit, gurët u morën nga përroi që derdhet në lumin e Tomorricës dhe trarët e drurit u përzgjodhën nga pylli i Bofjes së Dusharit.

 

 

Ai ndalonte çdo pasdite për të kontrolluar ecurinë e punimeve. Ulej me muratorët, shpjegonte lartësinë e qemerëve, ndalonte të rinjtë e fshatit dhe i mësonte si të përdornin telat e harkut për ndërtimin e kupolave.

 

 

Kur përfundoi, xhamia ishte një vepër arti. Por banorët, të lidhur më shumë me traditat ortodokse e bektashiane të zonës, nuk e përqafuan plotësisht. Tre shekuj më vonë, elementët e minares u përdorën për ndërtimin e teqesë në Kuç.

 

 

Hamami dhe imareti

 

Hamami i Grëmshit ishte një ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri në atë kohë. Ndodhej në afërsi të qendrës së vjetër tregtare të fshatit. Arkitekt Kasemi urdhëroi që themelet të ishin të thella për të mbajtur ngrohtësinë dhe dhomat e avullit të ndërtoheshin me tulla të posaçme që mbajnë lagështirën.

 

U vendos një sistem qeramik nëntokësor për qarkullimin e ujit të ngrohtë, një teknikë që ai e kishte mësuar në Konstandinopojë.

 

Fshatarët e panë këtë si mrekulli. Gratë e përdorën për larje dhe shërim, ndërsa burrat për pastrim pas pune.

 

 

Imareti ose mensa e fshatit, u ndërtua ngjitur me hamamin. Ai u ndërtua me gurë të bardhë të gdhendur dhe kishte një kuzhinë të madhe dhe dhoma ku shërbeheshin supë, bukë dhe mish për të varfrit, për udhëtarët dhe për jetimët.

 

 

Çezmat e fshatit

 

Çezma e madhe u ndërtua pranë sheshit të tregut. Uji vinte nga burimet e Bofjes nëpërmjet një sistemi gypash prej argjile. Pllaka mermeri mbi çezmë mbante mbishkrimin në osmanisht: “Uji është shpirt – mos e ndal kur ta kërkon tjetri.”

 

 

Arkitekt Kasëmi nuk ishte vetëm një ndërtues, por një rilindës i parakohshëm. Fjalët e tij, vizionet e tij dhe veprat që la pas janë dëshmi e një shqiptari, që, edhe pse i rritur në oborrin e sulltanit, mbeti gjithmonë besnik ndaj vendlindjes.

 

Sot, fshati Grëmsh ruan kujtimin e tij në gurë, në ujë, në themele dhe në legjenda. Ai është një shembull i gjallë i forcës së dijes, dashurisë për vendin dhe ndërtimit të një trashëgimie që sfidon kohën.