Një vit pa Abdulla Bregun!…

Një vit pa Abdulla Bregun!…

Hajri Nuhu

 

Ike një vit më pare!… Ishte një ikje pa kthim… Jo, nuk u ndave nga kjo botë si një njeri i zakonshëm.

 

Sa shumë fjalë zemre e të merituara janë thënë e shkruar në ditët e këtij viti për Ty! Po sa të tjera nuk janë thënë…

 

Atëherë dikush të tha “Rilindësi” i fundit i mësuesisë, të tjerë të quajtën veteran i spikatur i arsimit në Skrapar, të tjerë akoma të cilësuan mësues i madh, një kategori tjetër më e vëmendshme të quajti studiues dhe publicist për shkrimet librat e dorëshkrimet më vlerë që ke lënë pas.

Shokët e miqtë të bënë edhe vargje. Një elegji shkruajti edhe shoku e miku yt, Luman Caka. Vargje plot dhimbje. Jo pse ike, se, siç thotë një i ditur, “vdekja është një shtrigë që nuk mëshiron asnjë”. Por se ike pas një beteje që u duk se e fitove.

 

çfarë është thënë e shkruar, t ë gjitha të merituara. Kujtoj që kohën kur vuajte aq shumë nga flama Covid në biseda na thoshe: “Të më falë mortja sa të festojmë edhe 100-vjetorin e shkollës së Vëndreshës?!”

 

Ia arrite. Pastaj the se kishe një libër tjetër në dorë. “Ndoshta e përfundoj…”

 

Kështu ishe Ti. Një fëmijë që u rrit në vitet e pasçlirimt me atdhëtari, me varfëri, me pasion për të ecur në jetë. Dhe ia dole. Pedagogjikas e student ndër të parët për Bio-Kimi. Mësues, drejtues, qytetar, veprimtar shoqëror…Të gjitha i bëje mirë. Kureshtar për gjithçka, lexues i rrallë, erudit, polemizues, sedërli, i traditës. Kishe shprehjen: “Po çfarë do marrim në atë botë? Asgjë.”

Vërtet asgjë. Askush, edhe me i pasuri nuk merr dot asgjë. Po ti ishe i varfër – i pasur. Shumë vite më parë kur u largove nga Vëndresha (isha dëshmitar) në makinë “ngarkoje varfërinë e të ndershmit”. Më shumë se “placka” kishe libra Dule. Më mbeti në mendje dhe shkrova për këtë fakt. Pra ti ishe i pasur. Se shpirtin e kishe plot. Me mirësi,dije, mencuri, butësi e urtësi. Me Ty vështirë të përballej njeri për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Mbaje përmendësh vargje pafund nga Esenini, siç dije përmendësh poemën për Skënderbun të Longfellout, flisje për Shollohovin , Dostojevskin, Pasternakun…

 

Hë po letërsi e “vjetër “ kjo bënim shaka. Dhe ti filloje. Kur ishim student, pedagogu ynë që kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe….E imitoje, e kishe model. O Zot, çfarë pasioni! Po nuk ishte ky shkaku na thoshe..Ishte një letërsi e madhe. Ajo mbetet e re. Ne thinjemi e plakemi.

 

Nuk besoj se i le libër Agollit e Kadaresë pa lexuar. Xhevahir Spahiun, po se po. Ky është “safi tomorrian”. Madhështor në varg, në figur ë e metrikë, filozof.

Si bektashi ishe i thekur e i ditur. Dije si askush historikun e “Syrit të tretë”, si e quan në një libër i madhi Moikom Zeqo. Dhe flisje me admirim për dervishë e baballarë, për tyrbe e mekame, për teqetë si vatra të patriotizmit. Adhuroje Baba Ali Tomorrin e dije këngë e vargje nga ai, admiroje Sheh Muratin, Dervish Hasan Hoxhën e Dervish Abdullain. “Mburreshe” me kapedanët Tajar e Tefik Vëndreshën. Idhull kishe gjyshin, Daut Bregun, edhe ky një njeri i ditur e me një ndihmesë të rrallë në përhapjen e gjuhë e shkollës shqipe.

 

Lexoje shumë edhe pse mosha bënte të vetën. Kisha blerë e lexuar librin “Kur grinden sunduesit”. Të thashë në telefon që do ta sjell. “Je vonë – më the, – ohu e lexova!… Ke ndonjë tjetër”.

 

Lexoje po edhe shkruaje mirë. Në fillim me një libër për historikun e shkollës së Vëndreshës. Titulli “Edhe kaq, mirë…” për ty ishte domethënës. Ku nuk trokite . Merak kishe pedagogjiken e Elbasanit.

 

Askush si Ti nuk ka hulumtuar në dokumentet e atij muzeu. Ngazëlleheshe se aty arrije të takoje ndonjë moshatar. Sa shumë i kërkoje! Sillje foto të një kohe të largët. Fjalët i selite me aq kujdes. Se ishte edhe gazetar i mirë. Portreti i Ganimet Vëndreshës, balerinës së parë shqiptare ishte njëri, ndoshta më i bukuri. Se ti trokite në shtëpinë e saj. Nuk shkruajte me të dëgjuar. Më pas nuk pushove. Skalite Vëndreshën me librat “Vëndresha në vite” me bashkautor Gëzim Aliajn dhe “Kapedani ynë”.

Solle në një këndvështim të ri Baba Fejzon me një libër monografik. Shkunde pluhurin e harresës dhe “ngrite në këmbë të madh e të vogël” për të vënë në piedestal misionarin e arsimit në trevat shqiptare në Maqedoni, Pertef Therepelin.

 

Më kujtohet kur 11 vjet më parë solle në shkollë, në Porto-Romano katër miq nga Kërçova. Ishin nxënësit e tij. Ata ishin rritur e thinjur. Pertefit i thoshin Baba, i thoshin mësues, ty vëlla i madh… Për të shkove deri në Blanë e more dhe në një kutizë për ta lënë atje mbi varrin memorial të mësuesit në Jagoll të Kërcovës.

 

Atdhetarët jagollas u befasuan për “dhuratën” . Vendose edhe lule mbi varr. Po dheu dhe balta e vendit mësuesit shenjtë të asaj treve i mungonte. Dhe bëre miq për kokë vëllezrit Nazif e Ismet Selimi,Qamil Fejzën (ndjesë pastë), Ahmet Morën e shumë të tjerë. I prite edhe këtu, shkove edhe atje. Flisje në telefon e ata të thoshin aq sinqerisht “vëllau i madh Abdulla”. Dhe bashkë me të le si kujtim vargje dhe lot. Po, lot, se ti ishe njeri, ishe edhe i ndjeshëm.

 

Me mbështetjen e Fatos Cerenishtit i ngrite shkollës së Vëndreshës një muze. Plot 35 stenda, qindra fotografi,dhjetra fletë me shkrime. O Zot, çfarë nisme!… Se Vëndresha kishte e s’kishte shkollë kur shkuam atje. Po Ti ishe i paepur edhe kur skeptikët të thoshin: “…ka ikur kjo kohë…”. Ti u thoshe: “Po ende nuk kam ikur unë…”. U ngjite deri në Vëndreshë. Kishe merak që në atë shkollë “të rrënuar” të vendosej një copëz histori. Ishte jo thjesht historia juaj. Se ishte historia e disa gjeneratave. Mësues e nxënës. Kërkoje atë kohë të bëhej edhe një “sesion shkencor”.

 

 

Fjalë e madhe Dule Bregu. Kështu të thamë. Ku dhe si ? Atje ku u shkruajt në 100 vite historia e arsimit nuk ka mbetur gjë. Po Ty vështirë të të bindje. Më në fund, kur shkelëm realitetin aty ku flokët t’u zbardhën, pranove në heshtje…U preke si fëmijë që këtë ëndërr nuk e realizove dot, të mbeti peng. Doje të shfryje dufin, por kundër kujt?! Koha ka zvjerdhur jo thjesht letrat. Ka zbehur e zvjerdhur pasionin tek ata që kanë “para e vulë”.

 

O Zot, çfarë nism!. Se Vëndresha kishte e s’kishte shkollë kur shkuam atje, çfarë të të them, or mik i parajsës. Në këtë shekull, në një trevë arsimdashëse si Vëndresha, pak kohë më pare, jo një, por dy herë dikush vuri tritol. U dëmtuan edhe stendat që i bëre me aq dashuri. Ku po shkojmë? Ky lajm më tronditi, më dhembi edhe mua që kalova nja 5 vite në këtë shkollë. Ty me siguri “ të kanë lëvizur eshtrat në varr”!…Po me shkollën ç’patën, xhan ëm?! Kush jan ë këta “talebanë” që na duan pa histori? Nuk e di si do të më përgjigjeshe. Se kjo kohë kërkon përgjigje e shumë gjëra nuk e marrin. Dhimbje vërtet!…

Të thuash që “u lodhe” dhe vendose të ikje?! Nuk besoj. Se ti ishe ende vullnetplotë. Kishe ende pritshëmri nga vetja. Nuk na u ndave njëherë në veprimtaritë e shoqatës “Tomorri”. Vije nga Berati në Durrës. Erdhe edhe në veprimtarinë para se të shkoje në “ajodhimë” siç thoshe se të pëlqente të merrje ca vargje nga balada “Kush e solli Doruntinën” që e kishte aq për zemër… U takove e u çmalle më të gjithë. Jam plagosur, na the. Na ikën shokët e kolegët. Mungon Nerënxa Sevdari, Gani Arapi, Haki Muça…

 

Po Nazifi, pse nuk është? – pyete. Eshtë sëmurë të thanë. Kishin ikur nga kjo botë kolegët e bashkëpunëtorët e tu të mir ë. Nazif Musaj, Sadik Laze, Shefqet Aliaj.

 

Kishe punë në dorë e në mendje dhe nuk e mendoje ikjen. Vetëm se thellë-thellë brenda vetes ndoshta kishe marrë ndonjë sinjal… “Më erdhi radha më duket”, qeshje Ti…” Kuptohej kjo në telefonatën e fundit. Por doje të sfidoje. Dhe më the që ishe në bibliotekën e qytetit!…. Ishte shtëpi e dytë për ty. Kërkoje për dëshmorin Ajet Xhindole.

“Të kam dërguar një dosje me materiale për mësues Therepelin. Meriton edhe një monografi. Kishe punuar e gërmuar për të. Ti ike e dosja me shënimet e dorës e fotot mbetën. Eshtë njëlloj amaneti për të bërë diçka më shumë.

 

“Mërzitesh në Berat”? Më gëzoje ku thoshe. “Jo, jo nuk jam vetëm, kam miq e shokë plot”. Dhe nuk lije rast pa përmendur Rushan Dostin e vargjet e tij, kolegun e bashkëpunëtorin tend, Shpëtim Sevdarin, tomorricarin Avni Kadiasin e shumë intelektualë të shumtë beratas.

 

Një vit më parë kishim planifikuar të festonim 80-vjetorin. Miku juaj dhe yni, Fatosi, na tha një ditë: “Dua ta marr bashkë me Veziren të vijë të rrijë ca ditë tek “Fafa”. Dëshira mbeti pezull. Nuk u realizua.

 

Shokët e miqtë e tu më thoshin këto ditë të mblidheshim në njëvjetorin e vdekjes. Nuk e di u thashë , por më duket sikur është më mire 7 Marsi. Për Ty kjo “ishte data e lindjes”. Për një mësues si Ti kjo datë ka vlerë. Ndaj do të mblidhemi. Do të themi ca fjalë, fjalë malli.

Përdorje shprehjen “gjella me kripë e kripa me karar”. Se kur të thoshe ndonjë fjalë të mirë në sy thoshe : “E teprove tani. Eh, po çfarë kemi bërë, detyrën!…”

 

Një vit më parë ike papritur. Nuk more gjë me vete mik. Por le, ama. Për sot e për nesër. Le emrin e mirë e të nderuar për djemtë e vajzën, për nipër e mbesa, për miqtë e shokët e shumtë. Le “produktin” e mësimdhënësit. Le një vepër pas. Një vit më parë.

 

Do kalojnë vite dhe ti do të jesh aty,në kujtesën e brezave. Se ti le gjurmë në jetën e tyre. Të tilla gjurmë që lënë  njerëz e burra si Ti, Abdulla Bregu!