Njerëz me botë: Bekim Skëndaj, një “poet” interesant, pa vepra!…

Njerëz me botë: Bekim Skëndaj, një “poet” interesant, pa vepra!…

Luman CAKA

 

Ndërsa i kemi pranë çdo ditë, rrimë bashkë në stol në park, në kafe, në shetitje, flasim për gjithëçka, qajmë hallet, të voglat po e po, por edhe të mëdhat, ato të  të shtetit dhe të politikës, rrallë e pyesim për jetën e njëri-tjetrit.

 

Dhe kur kjo ndodh, çuditemi, e shikojmë edhe një herë shokun apo mikun tonë nga koka në këmbë me mëdyshje, pse jo edhe me një farë admirimi. Habitemi me historinë e jetës së tij, që të duket si një libër, si një roman apo dramë skene.

Kur e pyet pse nuk i ke thënë më përpara këto gjëra, ai të përgjigjet: “Po, se mos më ke pyetur ti, që unë të tregoj”.

 

Kështu më ka ndodhur me shumë njerëz. Dhe kur i kam pyetur, jam befasuar me historitë e bukura dhe interesante.

 

Po sjell këtë radhë njërin rej tyre:

 

 

 

 

E quajnë Bekim. Është nga Labëria, nga Shalësi i Buzit të Tepelenës. Për 20 vjet mbush shekullin e jetës. Por i papërkulur dhe i gjatë si një bredh i bukur në shkretëtirë.

 

Edhe pse banojmë të dy në një pallat në Yzberisht, jemi njohur tani vonë. Na bëri të njohur poezia. Nuk mund ta merrja me mend se një burrë si Bekim Skëndaj, që kishte nisur dhe bitisur punën në bujqësi, të njohte botën e madhe aq të bukur të e pa fund të poezisë dhe letërsisë në tërësi.

 

Më ka recituar perlat nga Naimi dhe Çajupi, nga rilindës të tjerë dhe letërsia botërore, sidomos nga ajo ruse dhe franceze, por për çudi, edhe nga persishtja. Po, kur them nga persishtja, nuk kam parasysh vetëm rubairat e Khajamit, shqipëruar nga Fan Noli i pavdekshëm.

 

Kur unë flisja për “Shahnamenë” e Firdusiut dhe “Gjylistani dhe Bostani” i Sadiut, të sjellë në shqip nga i paharruari Vexhi Buharaja, ai më recitonte nga ky i fundit: “Trëndafil, moj lul’ e dashur,/ Që ke nam mbi lule shumë, / Mijra vjet behar të bëjë,/ Më s’gjen më bilbil si unë”…

Jo vetëm në momente të tilla, por rëndom, ky burrë – burim poezish, më ka befasuar, më ka çuditur e ma ka futur në mendime për pasionin dhe dashurinë që ka për shkrimtarë kalibri e krijimtarinë e tyre brilante, që s’ka mortje nëpër shekuj.

 

Miku im në fjalë më çlodh dhe më gëzon, ka mbaruar shkollën fillore të kohës dhe 7-vjeçaren, vetëm me pesa. Mësuesi i tij i parë, i ndjeri Burhan Shehu nga Gjirokastra, i thoshte para klasës: “Ti, Bekim do të bëhesh si Kristoforidhi”!

 

Trembëdhjet vjeç djalë, ky burrë i bukur si një bredh, mori në dorë “Baba Tomorri”-in e Çajupit që e kishte sjellë në fshat Haxhi Malasi. Për mua është e pabesueshme, e çuditshme gati e pakuptueshme t’u them të tjerëve se Bekimi ka mësuar permendësh dhe ua reciton të tjerëve me zjarr “Zojlekën” e Çajupit në monokolonëë me 196 vargje!

Kush e ka nxitur, kush e ka detyruar e stërmunduar që ky burrë i rrallë të mësojë tërë jetën, të ushqejë shpirtin orë e çast dhe të ligjërojë si bilbili poezitë e kultivuara dhe ato populloret me emër si “Bilbilenjtë” e qindra e mijëra të tjera!…

 

Brenga pa emër e rinisë, që nuk e lanë të shkonte në Tiranë të studionte për letërsi, si rezultat i luftës së ashpër të klasave, e nxiti të futej kokë e këmbë në botën e artit magjik të letërsisë dhe të flinte si lepuri në dëllinjë me librat nën kokë, si jastëk i përjetshëm.

 

Pa e tepruar aspak mund të them se është një libër sado modest të shkruaja për këtë njeri të çuditshëm t’ia thosha të gjitha ato që më kanë befasuar ndaj tij. Ditën bënte parmenda në kooperativë, natën lexonte Balzakun, Mopasanin, Hygoin, Pushkininin, Lermontovin, Lafontenin Tolstoin dhe qindra atorë të tjerë të botërorë, pa lënë pas dore Naimin, Çajupin, Nolin, Kadarenë, e Agollin, deri te Jorgo Ballaci e të tjerë. Njeri për ta patur zilie për ta patur gjithësecili, sidomos ata që punojnë në arsim.

 

Për njohuritë e mëdha dhe të veçanta që kishte, të gjithë në Shalës, preferonin më tepër të dëgjonin nga ai se sa të flisnin. Ai ishte për ta një profet i vërtetë.

 

Dashuria dhe prirja për folklorin është e veçantë për Bekimin, por kundër bejteve dhe bejtexhinjve të rinj të sotëm. Veçse kur bisedon me të duhet ta incizosh, sepse, pa mbaruar së recituari njërën këngë, fillon tjetrën: “Tabaka fushë e Sheherit, / Myreqef gjol’ i Ohrisë, /Të dyja faqet me gropë si paraja e Misirlisë”… Ose: “O bilbil një tufë pëndë, / Sa të ëmbël e kë zënë, / Pse më le pa gjumë prëmë?”…

 

Është interesant se miku im i moçëm, i vjetër dhe i ri, nuk reciton ca vargje apo ca strofa poezish, por tërë poezinë. Ja më e vogla veç “Zolejkës”: “Shqipëri tre vilajete,/ Në mes të krajlive mbete”…

 

Një njeri të tillë do ta kishte zili çdo mësues letërsie edhe për bibliotekën personale që ka krikuar qyshse bënte parmënda në Shalës.

 

Kur i kërkova këngën përmbi këngë të Labërisë, ma recitoi sikur këndonte dhe syt i shkëndijonin sikur të ishte 20 vjeç djalë. Nuk mund ta shkruaj të gjithë me 22 vargje, por nuk mund të mos përmend diçka prej saj: “Qani Bilbilenjtë me lotë,/ Si ata nuk gjeni dot,/ Pa burra radhë ka plot”…

 

Kur e pyeta se ç’pengje ka në këtë jetë, më tha prerë: Që nuk bëra shkollën e Letërsisë.

Por i biri, Bujari e ka mbaruar këtë fakultet. Nuk e di sa letrar është, po ka qenë kryetar i Komunës së Buzit 8 vjet. Kjo mund të quhet një farë hakmarrje e Bekimit, si kofini pas të vjeli.

 

Së fundi me sinqeritet të plotë, them se të kesh pranë një bilbil si ky, burrë i denjë i Labërisë, ringjallesh, gjallërohesh e të këndon zemra, larg kohës së trazuar ku po rrojmë ende. Faleminderit Bekim Tepelena!…