
Njerëz me emër: Arshin (Laze) Buzuqi
Për një periudhë relativisht të gjatë kohore që kam punuar si gazetar terreni në Skrapar, më ka rënë rasti të jem takuar, të kem biseduar apo edhe thjesht të kem dëgjuar për një kategori njerëzish që kishin fituar një farë status të vaçantë shoqëror, një emër të përveçshëm, përfaqësues të njësisë ku banonin.
Ato ishin figura që zotëronin urtësinë dhe zgjuarësinë popullore, zotëronin forcën e fjalës, dëgjonin, dëgjoheshin dhe vendosnin për problemet që kishte fshati, veçanërisht ato delikate.
Pavarësisht se fshati kishte drejtues dhe përfaqësues të pushtetit partiak e shtetëror, këta vepronin në heshtje dhe vendimet e tyre ishin të padiskutueshme, të respektueshme nga të gjithë, ishin udhëheqës shpirtërorë si Buda.
Për fatin tim të mirë, kam njohur shumë nga këta, për një pjesë kam shkruar, një pjesë tjetër i përmend në biseda me sentencat e tyre mençurore, një pjesë tjetër akoma, i ruaj në kujtesën time si nga gjërat e rralla dhe të çmura që kam.
Siç thashë më sipër, burra të tillë nderi kam njohur shumë, por po përmend disa nga më të afërtit me fshatin tim, si Maliq Gradeci, Hysen Osoja, Qamil e Bajram Polena, Nexhip dhe Muço Visocka, Sulo Gërmenji, Isuf Dhoresi, Mete Kalaja, Qazim Munushtiri, Daut Zogasi, Sako Çerenishti etj. etj.
Një nga ata burra të respektuar, për të cilin kisha dëgjuar, por që nuk e kisha takuar, ishte edhe Arshin Buzuqi (Laze), të cilin ma solli në kujtesë i biri i tij, Tomorr Laze, me një status të hedhur në Facebook me rastin e 10 – vjetorit të largimit të babait të tij nga jeta. (Z. Hoxha)
Arshin (Laze) Buzuqi
Lindi në Buzuq të Skraparit më 10 maj të vitit 1932 në një familje me tradita nga dy prindër të fisshëm: I ati, Qamili, një ish-kurbetlli në Izmir të Turqisë dhe e ëma Safetua, bijë nga Hamzollarët e Munushtirit, e motra e Feimit dhe Muharremit, lindën tre fëmijë: Nurien, Hekuranin dhe Arshinin.
Ishte nëntë vjeç, kohë lufte, kur duke luajtur me moshatarët, gjen një bombë e i pëlcet në dorë, duke humbur shikimin nga njëri sy.
Mbaron shkollën 7-vjeçare në Vëndreshë me nota shumë të mira, por kushtet e vështira ekonomike nuk e lejojnë të vazhdojë studimet më tej. Më pas, si më i vogli i tre fëmijëve, iu përkushtua punëve të fshatit për të ndihmuar prindërit dhe ekonominë e familjes.
Martohet më 1957-ën me Myfeten 16 vjeçare, të bijën e Hysen Shinkos nga Radëshi, një familje e madhe me tradita, bazë e luftës nacional -çlirimtare.
Myfetja ishte vajza e madhe e 12 fëmijëve të Hysenit mustaqebardhë, atij plaku të urtë e të dashur që rrojti 110 vjeç.
Nga martesa lindën, rritën dhe shkolluan shtatë fëmijë: Hënën, Tomorrin, Bardhylin, Bekimin, Safeton, Mimozën dhe Enerietën, e cila u nda nga jeta në lulen e rinisë.
Arshin Laze ka qënë një nga protagonistët kryesorë në gjithë jetën aktive e sociale të fshatit Buzuq, nga vitet 1960 e vazhdim…
Është dekoruar disa herë me medaljen e punës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për rendimente të larta në prodhimet bujqësore, gjatë viteve që drejtonte brigadën e arave të fshatit Buzuq.
Si Kryetar i zgjedhur i këshillit popullor të fshatit, në vitet 70 -të, ka dhënë kontributin e tij në ndërtimin e objekteve në qëndër të fshatit si furra e bukës, menxa, çerdhja e kopshti i fëmijëve, vatra e kulturës, abulanca mjeksore, ujësjellësi i fshatit dhe pas shumë kërkesash qeverrisë së Tiranës, hapjen e një dyqani tregëtie më 1980-ën.
Vite me radhë ka punuar si magazinier i Kooperativës së Bashkuar të Vëndreshës pranë rezervave të shtetit në grumbullimin, triorimin dhe dorëzimin e grurit në shtet si dhe në magazinën e plehrave kimike pranë Urës së Buzuqit. Ishte një njeri i drejtë, korrekt, kërkues e i përkushtuar për punën sa harronte hallet e familjes.
Fliste me admirim për ish-drejtuesit e kooperativës së bashkuar të Vëndreshës ndër vite: Izet Hysin, Halil Dervishin, Safet Saliasin dhe Mustafa Dervishin.
Merakli i vreshtarisë dhe rakisë deri në fund të jetës. Pas marrjes së tokave, ngriti vreshtin e parë të hardhisë në Buzuq.
Rakia e Xhaxhait ishte me emër, te lokali i Hazis Bilbilit pranë anxhesisë, në Çorovodë në vitet e para pas 90-ës
Në vitet e pleqërisë, bashkë Myfeten ngelën të mrekulluar nga dy vizitat-turistike në shtetin grek, pranë tre fëmijëve emigrantë, Hënës, Mimozës dhe Bardhylit ( Hëna, martuar me Tomorr Celibashin, mësues gjuhë letërsie, Mimoza martuar me Nefail Spahiun, mësues për gjuhë angleze), ndërsa Bardhuli studiuar për agranomi, martuar me Margaritën infermiere, mbesën e Neki Ujanikut.
Shkoi për t’i uruar për shtëpitë e tyre të blera atje, por edhe për të takuar, nipërit dhe mbesën. Njëri prej nipërve, djalit të vetë i ka vënë emrin e gjyshit të tij, Arshin.
Vitet e pleqërisë i kaloi midis Buzuqit dhe Durrësit, pranë fëmijëve. Në Durrës banojnë me familjet e tyre tre fëmijët e tjerë: Tomorri, Bekimi dhe Safetua. Tomorri punon në arsim, Bekimi, djali i vogël i pleqërisë ka hapur një lokal me emrin, “Buzuqi” që e punon me bashkëshorten, Festën, të bijën e Agur Lamçes nga Mollasi.
Ndërsa Safetua që mban emrin e gjyshes, martuar me Petritin, të birin e Qani Dervishit nga Therepeli ka hapur një biznes familjar.
U nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë në Durrës, më 26 prill 2015, me përkujdesjen më të madhe nga bashkëshortja, fëmijët, nipërit e mbesat.
U kujtua 10-vjetori i ndarjes nga jeta para pak ditësh.
Dje, më 10 maj ishte ditëlindja e Tij e 93-të.