Nuk mjaftuan tre, por një HEC i katërt po fillon këto ditë në lumin e Vlushës, Skrapar!…

Nuk mjaftuan tre, por një HEC i katërt po fillon këto ditë në lumin e Vlushës, Skrapar!…

 

 Ku vemë kështu? A mendoni për ata njerëzit që banojnë me shekuj në këtë vend!?…

 

Lutemi, vini dorë sa s’është vonë, se i kthyet në shkretëtirë tërë fshatrat e luginës së këtij lumi

 

 

Tomor Mukaj

 

 

Një nga degët e lumit Osum rrjedh përfund fshatit Vlushë në Skrapar. Ai fillon me burime në pjesët perëndimorë të Ostrovicës, në Faqekuq, rrjedh përgjatë 10 km deri sa hyn në kanionet e Osojë-Gradecit, për të dalë më pas në urën e njohur të Kasabashit e për tu bashkuar në Ҫorovodë me degën kryesore të lumit të Osumit.

 

 

Në këtë degë të Osumit janë ndërtuar tashmë tre HEC-e.

 

 

– Një në fund të fshatit Krushovë, nga devijimi i ujrave të të cilit deri në fund të fshatit Turbohovë, ky lumë ka mbetur pa ujë.

 

 

– I dyti është ndërtuar aty ku bien ujrat nga HEC i parë, nga devijimi i ujrave të të cilit, ka vite që rreth 3 km gjatësi lumore nga Turbuhova në fund të fshatit Leshnje kanë mbetur pa ujë.

 

 

– I treti e fillon devijimin e ujrave të lumit në fund të fshatit Vlushë për të lënë pa ujë gjatësinë lumore 3 km nga Vlusha deri në hyrjen e kanionit të Osojës.

 

Prej këtu uji anashkalon edhe kanionet e Osojë-Gradecit pasi uji futet në tunel dhe bie në HEC në afërsi të Urës së Kasabashit pak kilometër në lindje të Ҫorovodës.

 

 

Kishte ngelur gjatësia rreth 4 km nga fundi i fshatit Leshnje në fundin e fshatit Vlushë ku uji rridhte i qetë, ashtu siç natyra e kishte lejuar ndër shekuj. Dhe kësaj rrjedhje i gëzohej jo vetëm natyra, por edhe ne banorët e zonës.

 

 

Banorët e fshatrave Leshnje e Vlushë kanë përdorur ujin për vaditje në dy anët e rrjedhës, kurse pyjet dhe natyra i falen dhe gëzohen prej shekujsh freskisë dhe harmonisë lumë-pyje-male.

 

 

 

Fshati Vlushë nderon Shqipërinë dhe Europën si vendbanim i lashtë. Ne jemi vendbanim shumë i vjetër në hartën e Europës. Studimet tregojnë se ne datojmë aty nga periudhat e Neolitit dhe Mezolitit.

 

 

Të parët tanë janë vendosur aty duke jetuar dhe harmonizuar me natyrën. Mijëra shekujt e kaluar na kanë dëmtuar por harmoninë me natyrën nuk kanë arritur të na e prishin.

 

 

Por kjo harmoni duket mori fund.

 

 

Për gjatësinë lumore të ngelur pa u vënë dora e njeriut, atë prej rreth 4 km, ju të nderuar qeveritarë qëndrorë dhe lokalë keni dhënë lejen e radhës për të lënë pa ujë edhe atë pjesë të fundit lumore që na kish ngelur.

 

 

Një HEC i katërt po fillon të ndërtohet dhe të thajë përfundimisht rrjedhën lumore në pjesën e fundit të kësaj dege të Osumit.

 

 

Shqetësimi ynë qëndron sa më poshtë:

 

 

  1. A është bërë studimi mjedisor dhe sa ndikon në mjedisin e zonës sonë ky investim?

 

  1. A është vënë re se pas tre HEC-ve tashmë të ndërtuar, natyra ka pësuar ndikime dhe ndërhyrja e radhës e dëmton më tej këtë luginë lumore?

 

  1. A kanë të drejtë shfrytëzimi të ujrave të rrjedhës lumore për nevojat e tyre banorët e kësaj zone?

 

  1. A duhet të ishte bërë një dëgjesë publike me banorët e zonës për këtë investim dhe të dëgjoheshin shqetësimet e tyre pas këtij investimi?

 

  1. A ka ndikim demografik ky investim dhe a detyrohen njerëzit të ikin nga trojet e tyre për këtë shkak? Vlusha, për pozicionimin e saj si fshat dhe për atë çfarë ofron natyra, është një nga fshatrat më pak të ndikuar nga largimi dhe shpopullimi. Ndoshta është nga fshatrat më të populluarit në zonë sot. Investimi aktual është një trysni për të larguar edhe ata që qëndrojnë dhe banojnë ende aty.

 

  1. A mund dhe a duhet që investitori të harmonizojë fitimet e investimit të tij me interesat dhe kërkesat e banorëve të këtij fshati?

 

  • A mund të investohej me një investim modest si konpensim që fshati ynë të ketë ujë të pijshëm?
  • A mundet tër ruga Qafë-Vlushë, e cila do të amortizohet edhe për shkak të punimeve të këtij investimi, të sillet në parametra normalë e t’i shërbejë këtij fshati?

 

Investitori është në të drejtën e tij të investimit dhe të fitimit. Shteti dhe pushtetarët tanë besoj se janë ndërmjetësit mes investitorit dhe natyrës e banorëve që preken nga ky ndikim.

 

 

Dëgjesat publike i hapin rrugë edhe negociatave për harmoni dhe mirëkuptim mes investuesit dhe banorëve që preken nga ky investim.

 

 

– Me tre HEC-et e ndërtuara tashmë, banorët e fshatrave tanë nuk patën asnjë përfitim direkt. As rrugët që u përdorën për investim nuk u bënë në cilësinë që të rezistonin dhe tu shërbenin banorëve të zonës.

 

 

– Aksi i rrugës së TAP-it që kaloi vetëm 3 km larg nga fshati Vlushë nuk shqetësoi askënd në pushtetin qëndror e lokal që fshati të lidhej me këtë aks rruge.

 

 

Banorët e fshatit Vlushë mirëkuptojnë dhe besojnë tek kapitali dhe investimi. Por po aq ne besojmë se Natyra Mëmë duhet të ruhet dhe se banorët e asaj zone, ashtu si paraardhësit e tyre,  janë të parët që duhet ta mbrojnë atë.

 

 

Por po ashtu këta banorë kanë të drejtën e Zotit të përfitojnë nga ajo Natyrë me të cilën ata jetuan dhe mbijetuan në shekuj.