Nuri Korita, rruga e vështirë, por e bukur krijuese e një artisti
Zylyftar Hoxha
Nuri Korita është lindur në Fier në vitin 1957. Është me origjinë nga Korita e Skraparit, rrëzë malit të Ramies dhe Grykës së Dëvrisë. Rrjedh nga një derë e njohur me traditat më të mira që manifestojnë banorët e kësaj krahine.
Qysh në fëmijëri ka patur pasion pikturën, shkonte rregullisht në Shtëpinë “gumzhitëse si një koshere blete” të Pionierit, në rrethin e pikturës, gjë që e vazhdoi edhe në kohën e gjimnazit me profesorë, piktorët Shemedin Ruci dhe Pandeli Lena.

Megjithë përpjekjet e dy instruktorëve piktorë, prindërve dhe miqve të tij, që njihnin në brendësi talentin dhe ëndrrën e tij, për të shkuar në një shkollë artistike, nuk u realizua kurrë.
Qejfprishur, po pa u thyer nga ky dështim i jetës që nuk varej nga ai, pas gjimnazit filloi në punë të ndryshme.
Ndërsa ngelën në sirtar, thuajse të harruara të dyja ëndrrat, si shkolla e lartë, ashtu edhe piktura!…
Kishte raste që merrte lapsin dhe punonte, por kur ishte nga fundi i punës, thoshte me vete: “Ja ku e bëra!… Po ku ta çoj? Këtë s’e ha as qeni”!
Dhe e griste!…

Nuri Korita me të vëllanë, Demirin, publicist, shkrimtar, autor i disa librave monografike dhe memo- historike
“Iu futa një tjetër gjëje, futbollit. Që maturant në vitin 1977 u bëra pjesë i ekipit të futbollit të gjimnazit “Janaq Kilica” dhe një vit stervitje me ekipin e futbollit te “Apolonise” Fier, por nuk “qullosa” gjë, përfundova ushtar dizenjator, “i kënaqur” sepse nuk bëja roje, sepse edhe për pushkë nuk a thosha”!, – thotë me shaka Nuriu.

Pas viteve ’90 kërkoi dhe e gjeti, një tjetër art, operator filmi televiziv, një art viziv drite dhe lëvizjeje, që të jep mundësi të shpalosësh talentin nëpërmjet gjetjeve, detajeve, këndvështrimeve, por edhe talentit të komunikimit me mediat, të njohjes me njerëzit e kategorive të ndryshme, me karakteret dhe botët e tyre të brendshme.
E ndihmuan në këtë “zeje” të re artistike operatoret më të mirë në Shqipëri, Pali Kuke dhe Stefan Gajo, por edhe vetja e tij, shpirti i tij i ndjeshëm, i një artisti të lindur, që shikonte te “zanati i ri” edhe edhe elementë të “zanatit të vjetër”, tharmin artistik, vështrimin kritik dhe në detaje të botës.

Punoi mbi 20 vjet në televizionet dhe studio lokale të qytetit të Fierit si operator, një punë e lodhshme, por e bukur.
Nuriu kujton me nostalgji punën e shkëlqyer që ka bërë me kolegët e tij gazetarë dhe moderatorë emisionesh, si ato për bujqesinë, në TV Apollonia, me gazetar Enver Shehu; emisionin për arkeologjinë dhe historinë, me gazetar Maku Pone; emisionet sportive, me gazetarët Arber Emiri, Maksim Tashi dhe Mikel Mbriçaj; emisionet në studio, por dhe në terren, me gazetare Aurora Damini, Bujar dhe Majlinda Rama, Arben Velo, Ilir Muskaj, Besnik Sulejmani, etj.

Ai nuk mund të harrojë dokumentarin që filmuan në Gjermani, me gazetarin Enver Shehu, per prodhimin e traktorit Xhon Dir; reportazhin në Kosovë, me gazetarët Vangjel Sako dhe Enrik Mehmeti, për heroin legjendar Adem Jashari; reportazhin për festën e Baba Tomorrit, “Fluturime mbi Tomorr”, me gazetar Ferdinand Samarxhiu, etj.

Edhe pse ka dalë në pension, vazhdon të punojë në televizionin “Ora News” në Tiranë.
Puna e operatorit viziv të filmit qe për të një rilindje, një ringritje, një rizgjim, një optimizim shpirtëror për të nxjerrë nga sirtari pas 20 vjetësh “ëndrrën e vjetër”, pikturën, zhanrin e grafikës, skicës, vizatimit dhe portretit.

Ka realizuar me dhjetra grafika, portrete, me laps. Në fillim ndjeu vështirësi, por shpejt truri dhe dora “iu rikthyen” si dikur. Deri më sot ka realizuar portrete në të cilat ka pasqyruar që nga miqtë, të afërmit e deri tek njerëzit më të njohur në Shqipëri dhe botë.
Në vitin 2018 çeli ekspozitën e parë të punimeve të tij në Fier që bëri jehonë në atë kohë. Tematika ishin portretet e aktoreve te teatrit “Bylis”.

Përveç ekspozitës së Fierit grafika të tij nga më të mirat u ekspozuan nga televizioni “Ora News natën e Vitit të Ri 2025. Ndërsa në mbrëmje e fundit të vitit që sapo kaloi, në emisionin e moderatorit Luan Rama, realizoi portretet e gjithë këngëtarëve të ftuar në këtë emission.
Ndërsa pjesët më të mëdha të punëve të tij i ka të publikuara në rrjetet sociale, në fb, istagram etj.









