
Nuri Musabelliu, djali i vogël i Mestan Ujanikut: Si u rrita në krahë të luftëtarëve!…
I ka kaluar të 80-at. Ka jetuar në qytetin bregdetar të Durrësit, por tani pas vdekjes së të shoqes, Fiqiretes, e ka marrë e bija, Edlira Gjinishi në Tiranë. Jeta e ka përplasur shumë.
E çuan mësues në Ujanik, bashkë me Fiqireten, një trime grua që ia lehtësoi dhimbjet një jetë të tërë.
Tani, i sëmurë dhe zemër coptuar, e ka të vështirë edhe komunikimin.
Sa qe koshient, ndiqte me vëmendje përpjekjet për rehabilitimin e figurës së të atit. Por tani, ashtu turbullt, sa vë buzën në gaz kur e bija, Edlira i çon lajme të mira, siç ishte edhe ky i fundit, për vendosjen e një përmendoreje të Mestanit në Çorovodë.
Kemi një intervistë të 10 viteve më parë*) me të, ku tregon se si mbetën pa shtëpi, që në gusht të vitit 1942, ua dogjën milicët e Xhafë Balit.
Mestani mes djemve të tij, Xhemalit, Vehepit dhe Hetemit
“Punën e vëllezërve, “Plaku” e zgjidhi duke i marrë me vete në luftë. Me Xhemalin, Vehepin, Hetemin dhe vetë “Plaku” në krye bënin një çetë të vogël famijare, – thoshte Nuriu.
Problemi isha unë dhe nëna, Pemja. Na mori edhe neve në Luftë. Unë jam rritur në krahët e luftëtarëve. Kur kishte luftime na çonte nga krahinë në tjetrën nëpër miqtë, ku rrinim bashkë me nënën. Kështu vazhdoi deri në Çlirim”.
Dhe më tej ai vazhdon: “Në mendje më ka ngelur ngelur internimi i familjes në Berat, Portëz, Shkodër.
Më kujtohet si kam nisur të mësoj abetaren. Ka qenë shkolla partizane në Gjerbës. Kujtoj edhe mësuesin, Qemalin nga Zaloshnja, partizanin e plagosur që kryente këtë detyrë.
Ishte viti 1944 dhe çlirimi i vendit do të na gjente në Berat. Babai dhe familja kishte bërë mirë detyrën ndaj vendit”. Ishin vitet e para të çlirimit dhe Mestan Ujaniku ishte mbuluar me lavdi.
Ai kreu detyra në Berat, Shkodër e mandej në Tiranë, por gjithsesi mendjen e zemrën i kishte në Skrapar. Aty kishte edhe famën. Në këto qytete kaloi edhe fëmijëria dhe rinia e ime – tregon ai – Por lufta nuk kishte mbaruar. Ëndrrat u prenë në mes…”
Dhe vazhdon: “Ka qenë një natë e gjatë e plot ankth. Burrat e shtëpisë së madhe nuk erdhën në shtëpi. Munguan Xhemali dhe Vehepi që ishin që të dy ushtarakë.
Çfarë kishte ndodhur. Vetëm pas dy ditësh erdhi haberi, një kob që nuk e shkonim nëpër mend. Mestani, Xhemali. Me ta ishte arrestuar edhe Bajrami.
Netët ishin të ftohta e të gjata edhe pse ishte 15 maji i vitit 1947. Që nga ai moment dhe deri sa u bë gjyqi ishim as në qiell e as në tokë. Nënë Temja, dhe kjo bijë nga një derë e dëgjuar skraparase dhe një grua mjaft e fortë, vinte rrotull nëpër shtëpi dhe përsëriste shpesh: “Nuk kemi pse ulim kokën se gëzohet hasmi”.
Akuzat ndaj Mestanit ishin një bllof. Kapedani i maleve që kishte luftuar tërë jetën me armiqtë tashme akuzohej “për veprimtari armiqësore”. Burrërisht qëndroi edhe në burg dhe kaloi vetëm një vit qelive, pasi vdiq.
Enigmë vdekja dhe më enigmë varri. ”Është brenga me e madhe që kam. Nuk i gjetëm eshtrat, t’i bënim një varr e t’i çonim një tufë me lule. Ndoshta një varr simbolik në varrezat e dëshmorëve në Çorovodë do të ma lehtësonte dhimbjen”…
Kaq mund të thotë ky burrë dhe ndoshta është i vetmi moment që ai ligështohet.
- Hajri Nuhu: Pjesë nga një intervistë e botuar në gazetën DITA, korrik 2015