Opari: “Pa të tepërt, një Zvicër shqiptare”!…

Opari: “Pa të tepërt, një Zvicër shqiptare”!…

Zylyftar HOXHA

 

Për krahinën Oparit, personalisht, kam një ndjeshmëri të veçantë. E para, pasi, zona jonë, e Potomit të Skraparit, është ngjitur me të, ndahet nga vargmali i Ostrovicës, por që bashkohet në të dy anët e këtij vargmali nga Qafa e Beçit dhe Qafa e Martës dhe, e dyta se Opari, duke filluar nga Zereci, Dushari, Lekasi e deri në Marjan, ishte stacioni i parë i yni për në pazarin e Korçës. Hane nuk kishte, por të tillë ktheheshin shtëpitë, ashefet dhe ahuret e këtyre fshatrave për të gjithë ata që shkonin në Korçë.

 

Ishin a nuk ishin miq gjaku, në odat dhe sebepet tona familjare, oparakët zinin vendin e mikut më të nderuar.

 

Duke bërë një libër për të gjithë Shqipërinë, kur iu hodha edhe një herë një sy atyre që kisha shkruar, pashë se kisha lënë pa përmendur “komshinjtë” tanë, që, siç kisha dëgjuar nga pleqtë, në ditë të vështira, na kishin zgjidhur litarin nga gryka. Si një homazh për të vdekurit, por edhe si një nderim për të gjallët e të dy anëve, më duhet të shkruaja diçka. Për të shkuar në vend, në Opar, për mua ishte e vështirë…

 

E ndërsa po bëja përpjekje për ndonjë mundësi udhëtimi, më shkoi mendja te një miku im i vjetër, me origjinë nga Opari, te publicisti i mirënjohur humorist, Gaqo Veshi, ose siç quhet me pseudononimin letrar, Hyskë Borobojka.

 

U lidha në telefon me Gaqon dhe i thashë, që, nëse ishte e mundur, të realizonim një udhëtim bashkë në Opar.

 

“Çfarë thuaj?” – mu përgjigj Gaqua, me atë gjuhën e tij karakteristike të humorit… ”Ku të shkojmë, në Opar?!…Jo, miku im, po deshe për në Honolulu, dy bileta i kam gati, më tha, nisemi që nesër, por në Opar jo”!

 

“E mora vesh, i thashë, faleminderit, por nesër në ora 9:00 më prit të “Lavolia”, ku ti rri gjithmonë”…

 

Të nesërmen e gjeta Gaqon te vendi. I thashë se ku e kisha hallin: Isha gati duke faqosur një libër me shënime udhëtimi nga e gjithë Shqipëria dhe s’kisha diçka nga Opari. “Për të vajtur, u mor vesh nuk vemë dot, i thashë, por të paktën më thuaj ti ndonjë gjë”.

 

Dhe Gaqoja nisi të tregojë, siç di ai, ndërsa unë, si asnjë herë tjetër, nisa me shpejtësi, që të mos më shpëtonte asnjë fjalë, të mbaja shënime.

 

Ja si ma përshroi Gaqoja Oparin e tij:

“Për të vizituar krahinën më malore të rrethit të Korçës, Oparin, janë dy “porta” të mëdha dhe tri qafa, Qafa Gjarprit, Qafa e Beçit dhe Qafa e Martës; ndërsa mund të “hysh” në “portën” e Shkëmbit të Dobërçanit, nga mund të soditësh ujëvarat me ujë të pastër kristal e të shkumëzuar, që zbresin nga “karakollët” e maleve të lartë dhe derdhen poshtë, drejt kanioneve të lumit të Devollit, që çan grykat tejpërtej. Këtu po ndërtohet hidrocentrali i madh i Moglicës, i cili do të formojë një ujëmbledhës të madh, që do të arrijë deri në Denas të Oparit të Sipërm.

 

Në fushën e dikurshme të Gopeshit, është ngritur fshati i ri i Moglicës, një fshat me histori të lashtë, që dikur shtrihej sipër dhe arrinte deri në malin e kullotat e Lenies, por në shkurt të vitit 1977 rrëshqiti tabani i tokës dhe shtëpitë filluan të rrëzohen njëra pas tjetrës. Brenda 35 ditëve në atë kohë u ndërtuan rreth 100 apartamente buzë lumit të Devollit.

 

 

Moglica, dikur një fshat i madh, shquhet për mbarështimin e bagëtive, sidomos të dhenve. Ajo përmendet për djathin e saj, si Gopeshi për pekmezin, aq sa në pazarin e Korçës thuhej: “Djathë Moglice, pekmez Gopeshi dhe gjalpë Backe (fshat në Skrapar, poshtë Qafës së Martës)”.

 

Vazhdon rrugën në të dy krahët e lumit, rrëzë maleve e shkëmbinjve të thepisur. Shikon urën me qemer dhe shenjat e një dege të rrugës “Egnatia”, për të cilën jep shpjegime arkeologu Neritan Ceka. Kalon urën mbi lumin e Devollit dhe të del përpara Zereci, me histori interesante si të vjetër ashtu edhe të re. Nga ky fshat e ka origjinën dinastia e madhe e Muzakajve. Në Bungë, kur dikur ishte kisha e Shën Mërisë, sipas Memories të Gjon Muzakës të vitit 1510, janë varret e gjyshit e të gjyshes së tij, njëri nga ana e lindjes dhe tjetri nga ana e perëndimit (Fatkeqësisht gërmadhat e saj u prishën gjatë kohës së kolektivizimit të bujqësisë për të hapur “toka të reja” në varrezat)!…

 

Sa arrin në sinorin e fshatit, të del përpara liqeni i bukur i këtij fshati, aq sa 127 vjet më parë, patrioti Nuçi Naçi, kur vizitoi Oparin, do të thoshte: “Në do të shohësh Zvicrën, shko në Zerec”. Ky është fshati i Shaban Zerecit, një nga pjesëmarrësit aktiv të Kryengritjes së Fierit kundër monarkisë e që në qershor te vitit 1942 formoi çetën Gorë-Opar, e më vonë batalionin “Çlirimi”. Është vendlindja e komandantit trim të çetave partizanë për çlirimin e Voskopojës më 16 janar 1943.

Rruga të tërheq drejt Vrëpckës, ku të bie në sy teqeja bektashiane, që të kujton vrasjen me tradhti më 1908 të “Robin Hudit” të Oparit, Shahin Matrakut. Ndjek rrugën përpjetë dhe mbërrin në Dushar, që përmendet në “Memorien’ e Gjon Muzakës më 1510.  Aty të duket sikur do takohesh me kryengritësit e viteve 1700, kundër zaptuesve osmanë, me Ibrahim Burrin, “Sherrbelanë” (siç e kishin etiketuar armiqtë, se nuk i linte të qetë) e me Hysen Zelën e Avdyl Hazizin, prijësit e kryengritjeve të vazhdueshme kundër sunduesve osmanë.

 

Në krye të fshatit të duket sikur ka dalë të të presë me derë të hapur Mehmet Dushari, që fare i ri mori pjesë me armë në dorë në “Lidhjen e Prizrenit”, luftëtarin kundër andartëve grekë të vitit 1914. Të bëhet sikur aty do të gjesh Kostë Skënderin, duke shkruar historinë e Voskopojës. Prandaj edhe kënga thotë: “Voskopoja me Oparë,/ Janë një e të pandarë./ Kanë një gjak e një zakon,/ Shën Prodhomi i bekon”…

 

Ecën rrugës  në krah të djathtë të Devollit dhe, si kalon me radhë Varvarën, Maliq-Oparin, sipër në pllajë duket Kucaka, një nga qendrat kryesore të luftës çlirimtare, ku ka ndenjur për një kohë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Binjake me të është Popçishti, që ndan kufirin ndërmjet Oparit dhe Gorës. Ky fshat në lashtësi ishte i lidhur me dinastinë e Matrangëve. Edhe vetë biri i këtij fshati, kapedan Shahin Matraku, nga kjo derë e madhe e ka prejardhjen.

 

Kur zbret nga Kulat e Gjergjevicës, përballë të del  fshati i Gjergjevicës. Në këtë fshat më 1919 u mblodhën 500 vullnetarë oparakë nën komandën e Mehmet Dusharit dhe pritën Sali Butkën. Në emër të “Lidhjes së Shqipërisë Lindore”, i dërguan ultimatumin francezëve, që mbanin Korçën, me qëllim që t’ua dorëzonin grekëve: “Lironi Korçën brenda 24 orëve. Në mbarim të afatit do vijmë ta marrim vetë”… Në këtë fshat u krijua çeta partizanë “Ostrovica” me komandant Agush Gjergjevicën.

 

Sa del sipër mbi fshat, në Lind, duket Opari si në pëllëmbë të dorës, që nga Qafa e Martës, në majën e Ostrovicës e deri në Bofnjë. Zbret rrugën e vështirë plot dredha për në Shkozanj. Nga ky fshat e ka origjinën kampioni i botës në sportin e mundjes, Petro Strugji. Është vendlindja e dëshmorit Feim Mroçi, që në vitin 1914 dha jetën në Pogradec, kundër rebelëve të Haxhi Qamilit.

Përtej, në majë të shkëmbit të sheh syri gërmadhat e Punëmirës, djegur e shkatërruar nga armiqtë gjatë  Luftës Nacionalçlirimtare. Poshtë shkëmbinjve të saj të thepisur, ku dikur ishin ngritur shtëpitë me mure të trashë si kala, është fshati Denas.

 

Pastaj vijnë fshatrat në të dy krahët e lumit të Çemerricës. Nga Lindi deri në Marjan mund të shkosh rehat në rrugën e re. Poshtë rrugës duken shtëpitë e Gurrmujasit. Në këtë fshat ka lindur një nga luftëtarët më të shquar të çetës të Sali Butkë. Asllan Gurra dhe e motra e tij, nënë Pashakoja, heroina e filmit “Yje të netëve të gjata”. Në këtë fshat patrioti Asllan Gurra krijoi e komandoi çetën partizane “Kurora”, në vitin 1942.

 

Rruga e re të shpie në fshatin Gjonbabas, që të kujton masakrën e andartëve grekë më 1914, kur vranë dhe e hodhën në lumin e Çemerricës, Lilo Mujollarin dhe rrëmbyen minorenen Behare.  Vazhdon udhën dhe arrin në Marjan, që përmendet në memorien e Gjon Muzakës, ku kjo dinasti mbarështonte blegtorinë në malin e tij të përmendur nga Qafa e Martës deri në Qafën e Tudasit. Në shekullin e XVII-XVIII-të , ky fshat, nga më të dalluarit e Oparit, kishte më tepër se 280 shtëpi të mëdha, të ndërtuara majë shkëmbinjve, që nga larg dukeshin si kështjella. Në to rridhte uji i ftohtë, që vinte nga Ostrovica. Rrugët i kishte të shtruara me kalldrëm. Burrat e shumtë që ka nxjerrë ky fshat gjatë historisë janë të shumtë.

 

Këtej e ka origjinën Viktor Karapaçi, që veprat e tij janë çmuar kryevepra në shekullin e XVI-të. Edhe drejtori i “Akademisë së Re” të Voskopojës, Teodor Kavalioti ose ndryshe, Dhori Nastas Zhava, nga ky fshat e ka origjinën. Pashai i Janinës bashkë me kryearkitektin e tij, Petro Korçari, me origjinë nga Lavdari i kësaj krahine, kishin ardhur në këtë fshat për të ndërtuar një kala në Ostrovicë, si “karakoll” jo vetëm për të vëzhguar Oparin e Korçën, por edhe më tej, deri në Berat e Vlorë.

 

Nga Marjani ishte Mihal Simo Miha, profesor i frëngjishtes në shkollën amerikane “Robert Kolezh” të Stambollit. Historiani i madh, krenaria e shkencës, akademiku i shquar i Rumanisë dhe i disa akademive evropiane, Nikolla Jorgji (Jorga) ishte djali i një muratori nga Marjani. Fan S. Noli do të kishte letërkëmbim të vazhdueshëm deri në fund të jetës me shkrimtarin marjanak, Milto Sotir Gurra.

 

Nga Marjani ishte edhe fotografi i shquar Kristo Shuli, apo Kristo Shqiptari (siç e thërrisnin), që fotografoi maleve komitët e lirisë dhe shkollën e parë shqipe në Korçë. Edhe Artisti i Popullit, kompozitori Kristo Kono, po nga ky fshat e kishte prejardhjen, ashtu si dhe “gardiani” i portës të skuadrës së futbollit “Skënderbeu”, Klani Marjani, që ngriti kupën e kampionit të Shqipërisë, në vitin 1933.

 

Përtej lumit të Çemerricës vijnë me radhë fshatrat: Lekasi, ish qendra e komunës me të njëjtën emër. Banorët e tij janë mjeshtër për t’i dhënë gurit jetë. Sipër tij, matanë Bregut të Madh  është Tudasi, vendlindja e Feko Tudasit, kryetar i një dege të shoqërisë “Vatra” në Amerikë. Në fund të këtij fshati, rrëzë shkëmbit të zë syri kishën e Shën Triadhës, ndërtuar nga zonja Ana Muzaka në vitin 1470, një monument kulture nga më të lashtit në qarkun e Korçës.

 

Gati lagje e Tudasit është Lavdari, kryeqendra e 37 fshatrave të krahinës së Oparit, “Hyqymet” gjatë sundimit osman, komunë gjatë monarkisë e lokalitet pas çlirimit. Ky fshat pamendet se, në vitin 1852, sipas Edwin E. Jacques, në librin “Shqiptarët”, mësuesi i shkollës përdorte “Avëtarin e Veqiharxhit” për t’u rrënjosur nxënësve dashurinë për atdheun dhe gjuhën amtare. Ndërsa në vitin 1900 hapet shkolla shqipe, ku dha mësim në gjuhën amtare, Mësuesi i Popullit, Nuçi Naçi e që e vazhdoi më tej mësuesi, po nga ky fshat, Kristaq Xega. Kjo shkollë mbrohej nga Shahin Matraku dhe çeta e tij.

 

Edhe piktori i traditës, Spiro Xega, që ka pikturuar  tablonë “Çeta e Shahin Matrakut”, në këtë fshat ka lindur. Po nga ky fshat i vogël është edhe tenori me famë botërore në operën bullgare, Jorgji Xega apo sekretari i çetës të Sali Butkës, Petraq Katroja. Në këtë fshat u krijua çeta partizane e Oparit  më 16 nëntor 1942. Në këtë fshat e kishte selinë Shtabi Partizan i Qarkut, Komanda e Vendit, Intendenca, punëtoria që meremetonte armët. Aty, më 24 korrik 1944, u formua Ansambli i Ushtrisë.

 

Poshtë Lavdarit është Karbanjozi me tetë shtëpi që i dha luftës 10 dëshmorë dhe një “Hero Populli”. Është fshati i luftëtarit dhe pjesëmarrësit të çetës së Sali Butkës, Pandi Leço (Karbanjozi), që shoqëroi Ismail Qemalin nga Durrësi në Vlorë dhe përgatiti ballkonin ku plaku i Vlorës ngriti flamurin e Skënderbeut. Në këtë fshat ka lindur edhe Bardhyl Taçi, që komandoi aviacionin shqiptar 15 vjet me radhë. Përballë tij është “Ballkoni i Oparit”, Protopapa, ku u krijuan dy brigada partizane, e XV-ta dhe e XX-ta.

 

Rruga nga Lavdari të shpie në fshatin Brozdovec, ku në 1942 u krijuar çeta partizane me komandant Koçi Meçen (Brozdoveci). Aty ishte vendosur punëtoria partizane. Vazhdon rrugën drejt Qafës së Beçit, kufi me Skraparin dhe arrin në Mazërrekë, fshat i përmendur për tufat e blegtorisë e kullotat e saj alpine. Kalon lumin e Beçit dhe arrin në fshatin e vogël Misras. Aty gjatë Luftës Çlirimtare ishte spitali partizan. Është fshati i “Piktorit të Popullit” Guri Madhi dhe i anëtarit të “Shoqërisë Puna” të Korçës, Misto Misrasi.

 

Më tej udha të shpie në “Vilën” e bukur të fshatit Opar, të patriotit Mandi Bica. Duke mos harruar edhe Osojën “nënë hije”, fshatin e Dhosi Havjarit, përgjegjësi i arsimit në Republikën e Korçës, të kryesuar nga Themistokli Gërmënji.

 

Por Opari ka edhe shumë figura të të tjera të mëdha. Nga kjo krahinë është Usta Mehmet Isaja, që ndërtoi Taxh Mahallin në Hindi, një nga mrekullitë e botës. Oparak është edhe Kostandin Çekani, që ishte në majat e qarqeve intelektuale evropiane, që ka mbajtur një sërë leksionesh në universitetet e Evropës, apo shkencëtari Jorgji Kosta Burri, shkencëtar i madh që drejtonte observatorin e Athinës.

 

Në vitin1900, gati 120 vjet më parë, rilindësi Nuçi Naçi në “Kalendarin Kombiar” të Sofjes, shkruan për Oparin: “Nëpër malet, pyjet e stanet pashë banorët e Oparit shumë të squar, që kanë fytyrë të thjeshtë shqiptare dhe gjuhën e flasin thjesht shqip. Pashë një vëllazërim të mirë midis myslimanëve e të krishterëve…Në çdo fshat të kësaj krahine gjeta mikpritjen oparake. Pashë pyje të shumtë e livadhe, ku  në çdo gjysmë ore kishte burime me ujë të ftohtë, ajër të freskët dhe të shëndetshëm. Qetësinë e prishte ushtima e ndonjë përroi me ujë të pastër e të ftohtë dhe këmborët e bagëtive, që i qenë qepur pllajave të Ostrovicës me krye deri në re. Pa të tepërt, ai është Zvicra shqiptare”.

 

Sido që të lashta në kohë, këto shënime janë aktuale edhe sot. Përveç largimeve dhe tkurrjes së popullsisë, Opari ka ndryshuar fare pak që atëherë. Është po ai Opar i historik, po ai Opar i virgjër, me njerëz të mrekullueshëm, me natyrë të ruajtur mirë dhe tradita të patrazuara…Është po ajo “Zvicër shqiptare”, siç shkruan rilindësi Nuçi Naçi” – përfundon rrëfimin Gaqo Veshi.

 

E falënderova mjeshtrin e humorit për këtë rrëfim kaq të këndshëm dhe të bukur, që unë, edhe të kisha vajtur në Opar dhe të kisha ndenjur atje me vite, nuk do ta përshkruaja dot në këtë mënyrë kaq të gjallë, kaq konkrete dhe me këto nuanca poetiko-letrare, siç ma përshkroi Gaqoja.

  Gaqo Veshi