Opinion

Opinion

 

Fatos Muçaj

 

Në Shqipëri, patjetër që shteti ekziston.

 

Por shteti ekziston edhe në letra!…

 

Shteti ekziston edhe në tabela zyrash!…

 

Shteti ekziston edhe në borderotë e pagave që paguhen rregullisht çdo muaj!…

 

Por, fatkeqësisht, dy herë fatkeqësisht, nuk ekziston aty ku duhet dhe kur duhet:

 

Te qytetari.

 

 

Po të ishte funksional, askush nuk do të detyrohej të marrë kamerën live apo të fshehtë për të marrë një të drejtë që i takon me ligj.

 

 

Askush nuk do të bëhej gazetar për të zgjidhur hallin e vet.

 

 

Megjithatë, ka shumë vite, vazhdon edhe sot në 2026, shqiptarët enden nga një studio televizive në tjetrën: STOP, Fiks Fare, Tak Fak, Boom, Alarm, Plug, Piranjat e të tjera.

 

Jo për afera miliardëshe.

 

Jo për skandale ndërkombëtare.

 

 

Por… Për gjëra më elementare:

 

Për një certificate(!)

 

Për një faturë(!)

 

Për një lindje(!)

 

Për një pronë(!)

 

Për pak ujë(!)

 

Për pak dritë(!)

 

Për pak drejtësi(!)

 

 

 

Pse duhet kamera?

 

Pse duhet një emision televiziv për të regjistruar një fëmijë?

 

Pse duhet presion publik për të ndalur një faturë abuzive?

 

Pse duhet turpërim publik që një bashki të bëjë detyrën?

 

Pse duhet ekspozim mediatik që policia të lëvizë?

 

Pse duhet alertim, kur një noter bën falsifikim?

 

 

Sepse institucionet nuk punojnë për qytetarin.

 

Punojnë për rutinën.

 

Për rehatinë.

 

Për moskokëçarjen.

 

 

Sporteli është ndërtuar për të refuzuar, jo për të zgjidhur!

 

Nëpunësi për të shtyrë orarin, jo për të dhënë përgjigje!

 

Drejtori për të firmosur paga, jo përgjegjësi!

 

Rroga merret pa vonesë!

 

Shërbimi jepet me vonesë!

 

Shpesh, nuk jepet fare.

 

 

Lista e turpeve! Shembujt janë bërë kronikë kombëtare:

 

– Pensionistë që presin me vite për atë që u takon.

 

– Qytetarë që paguajnë ujë që nuk rrjedh dhe energji që nuk e konsumojnë.

 

– Prona të bllokuara sepse “mungon një dokument” që vetë shteti nuk e lëshon.

 

– Ndërtime pa leje që tolerohen derisa të bëhen skandal publik.

 

– Ndihma ekonomike që shpërndahet sipas qejfit, jo sipas ligjit.

 

– Ankesa që zhduken në arkivë.

 

– Afate ligjore që shkelen pa pasoja për askënd.

 

 

 

Ka edhe më shumë kur rreziku bëhet real:

 

 

– Denoncime për dhunë që injorohen derisa ndodh tragjedia.

 

– Kallëzime për vjedhje që trajtohen si bezdi administrative.

 

– Sinjalizime për ndërtime të rrezikshme që shpërfillen derisa betoni shembet.

 

– Rrugë pa ndriçim e pa mirëmbajtje derisa humbet një jetë, pastaj fondet “gjenden”.

 

– Biznese të vogla që gjobiten menjëherë, ndërsa të mëdhenjtë mbeten të paprekshëm.

 

– Kallëzime për korrupsion që mbyllen sepse prekin “njerëz të fortë”.

 

 

 

Kjo nuk është më neglizhencë. Kjo është indiferencë e organizuar.

 

Shteti zgjohet vetëm nga frika.

 

Policia lëviz me shpejtësi e shkathtësi, me gaz lotsjellës e autobote me ujë, kur duhet të kontrollojë turmën e protestuesëve, por bëhet e ngadaltë kur duhet të mbrojë individin.

 

Institucionet bëhen të shurdhra kur troket halli.

 

 

 

Por zgjojnë refleksin sapo ndizet kamera.

 

 

Në Shqipëri, drejtësia nuk funksionon me alarm institucional. Funksionon me alarm mediatik!…

 

 

Papritur, kur vjen kamera: dosja del nga sirtari, fatura korrigjohet dhe “gabimi teknik” zhduket.

 

 

Pra problemi nuk ishte sistemi. Problemi ishte mosveprimi i qëllimshëm.

 

Institucionet nuk reagojnë nga ligji. Reagojnë nga frika e ekspozimit.

 

Nuk veprojnë nga ndërgjegjja, veprojnë nga turpi.

 

Pyetja që dhemb:

 

Atëherë, për çfarë paguhen mijëra nëpunës publikë?

 

Për çfarë paguhen drejtorë, shefa, vartës e strukturë e tërë administrate?

 

Për çfarë ekziston gjithë ky aparat, nëse qytetari duhet të bëhet protagonist televiziv për të marrë një të drejtë bazike?

 

 

A është normale që një pensionist të presë vite, ndërsa paga e nëpunësit kalon çdo muaj pa asnjë vonesë?

 

A është normale që një qytetar të endet dyerve, ndërsa përgjegjësia endet në ajër?

 

 

Media nuk duhet të zëvendësojë shtetin. Media ka për detyrë ta kontrollojë atë.

 

 

Kur emisionet investigative shndërrohen në zyrë ankesash, kjo nuk është fitore e medias.

 

Është çertifikatë dështimi e shtetit.

 

 

Një shtet që funksionon vetëm kur turpërohet publikish,t është një shtet i sëmurë.

 

Një administratë që reagon vetëm nga frika e kamerës është një administratë e kalbur.

 

Një shoqëri që e pranon këtë si normalitet po mësohet të jetojë pa shtet.

 

 

Qytetari nuk duhet të bëhet gazetar për të jetuar me dinjitet.

 

Sepse kur drejtësia vjen vetëm me mikrofon në dorë, atëherë shteti nuk është thjesht në gjumë, por  është dorëzuar.