
Katër vjet, në një “udhëtim” me fatëndjellësit mitikë të Tomorrit
Udhëtimin tim mediatik e kam nisur këtu e 53 vjet më parë, me laps plumbi kinez me një gomëz në fund dhe me një bllok xhepi me letër të zverdhur Kavaje. Më pas më ranë në duar aparate fotografikë dhe fotoxhirimi profesionalë nga më të mirëte asaj kohe, “Pentagon” dhe “Bolex” që ma zbukuruan punën, por edhe më rritën përgjegjësinë e saj.
Në vitet 2000 erdha në Tiranë, kërkova punë nëpër gazeta. Gjëja e parë ishte” “A e di kompjuterin”? “Jo”. “A e shikon këtu që nuk ka asnjë copë letër”?! “Po, e shoh, gazetë, pa një copë letër!…
Çudi, por ishte e vërtetë!
Iu futa një kursi kompjuteri. Ëhë, s’mësova gjë! E di ç’ke ti, më tha një kolegu im i mirë, merr një kompjutër dhe “loz” me të se nuk se nuk i prishet gjë”.
Ashtu bëra. Mësova ashtu çak – çuk, i bija një gërme në tastjerë dhe me gishtin gati kërkoja andej këtej gërmën tjetër, sa e gjeja.
Arrita të bëja diçka. Arrita të futesha në gazeta si korrektor, pasi redaktor donte shpejtësi dhe nuk e mbyllja dot punën me ato dy – tri orë që kishe në dispozicion.
Një vit kështu, pastaj e gjeta vendin si gazetar, dhe jo vetëm në një, por në pesë apo gjashtë të tilla, që nuk po i numëroj.
Kjo, për median e shkruar, “Print”, siç i thonë, pasi për median elektronike kam histori tjetër, të cilën po e tregoj më poshtë me rastin e 4 – vjetorit të gazetës online “Orakujt e Tomorrit”.
Erdhi koha që gazetat print po mbylleshin një nga një. Unë isha në gazetën “Telegraf”, kur një ditë më takon Muç Nano, me të cilin jemi njohur dhe rritur që herët në Skrapar, madje shkëmbenim edhe libra atëhere, se ai lexonte shumë.
“A vjen në një punë të pjesshme te unë, e bën nga shtëpia”? – tha ai. “Nuk e di çfarë pune është – i thashë dhe a e bëj dot? “E bën, e bën ti – tha – hajde ulemi aty te ky lokali këtu dhe ta mësoj unë”.
U ulëm, nxori laptopin nga çanta dhe më mësoi mënyrë e postimit në Word Press. Mora paswordet dhe kaq qe.
Në “Respublika” kishte katër gazetarë part –time. Puna midis tyre ndahej me ditë, dy ditë secili: dy ditë i kishte gazetari dhe producenti i njohur, Koloreto Cukali; dy ditë, Ardian Thano, kryeredaktor i gazetës DITA, dy ditë unë, dhe një ditë, vetë Muçi, i cili edhe ndërhynte herë pas here.
Nuk duhet harruar se “Respublika” në atë kohë ishte shumë kritke. Veç lajmit jepte edhe opinion e saj.
Nuk vazhdoi shumë dhe “Respublika” u mbyll, duke mbetur si një ëndërr e bukur imja, që po më linte pa gjumë si një formë e re komunikimi, si një lloj media e re.
Rasti erdhi kur dola në pension (duke qenë se është më shumë mision se sa profesion, gazetari nuk del kurrë në pension), ajo ëndrra me të vërtetë po më linte pa gjumë.
Doja të hapja një portal, gazetë online për vendlindjen, Skraparin, që e njihja mirë si gjeografi, si histori, si traditë, si kulturë dhe si shpirt, por nuk i kisha mundësitë financare, aq më tepër që tani isha në pension.
U lumturova kur dikush nga biznesmenët skraparllinj u ofrua. Bashkë me disa miq bëmë plane, të cilat, po të ishin realizuar, sot “Orakujt do të flisnin kombëtarisht” dhe do të ishte një media kombëtare me ndikim të fuqishëm në të gjitha drejtimet, politike, sociale, kulturore etj. Por…
…“Orakujt…” u çelën, dhe… për fat të keq, u braktisën shumë shpejt! Ngelëm si peshku në zall!
Megjithatë, si iniciator që isha, nuk e lash të fikej, e mora vetëm, por jo i vetëm, se më ndoqën pas, më ndihmuan dhe inkurajuan shumë miq e dashamirës, më shumë të panjohur se të njohur, që i ndjekin “Orakujt…” me endje që në pikë të mëngjesit.
Kam katër vjet mes “Orakujve…”, megjithëse i pa sponsorizuar, i papaguar, i lëvduar, por ndonjëherë edhe i sharë nga “çingie” të Nuredin Beut, e ndjej veten si “peshku në ujë”, duke luftuar për atë qëllim që i kam vetes.
Në këtë rrugëtim, mund të ketë patur edhe gabime dhe mangësi, të cilat kanë ardhur nga ajo që kam qenë vetëm dhe nuk i kam konsultuar dot gjërat me njeri tjetër.
Shpesh nga shpejtësia, nga mungesa e kohës dhe mungesa e durimit prej “plaku”, në shkrime ka edhe ndonjë gabim teknik, por jo ortografik. Ka ndonjë lapsus, përsëritje fjale, ka gërma të vëna jo në vendin e duhur, që deformojnë fjalën etj., për të cilat gjej rastin t’i kërkoj falje lexuesit.
Ka edhe “gabime me ndërgjegje”, që po të kishte shtet të vërtetë, do të kisha marrë ndonjë gjobë të majme:
Fjalën “Tomorr” e shkruaj jo siç e ka Fajlori i Gjuhës Shqipe, “Tomor”, por “Tomorr”, me dy “rr”, gjithashtu edhe fjalën “Skraparllinj” e shkruaj me dy “ll”, jo me një “l”, skraparlinj dhe as skraparas, sepse kështu e kam dëgjuar dhe e kam shkruar qëkur kam qenë i vogël, sepse kështu më mbush gojë dhe më pëlqen.
Sot bëra pagesën e katërt vjetore të hostit dhe domeinit të “Orakujve…”, natyrisht nga xhepi, natyrisht me dhimbje, por pa mëdyshje, pa mu dridhur dora, sepse mu kujtua “vetëtima” e Xhevahir Spahiut, së cilës për rastin tim, i shtova pa pyetur autorin vetëm një fjalë:
Mos më zezò,
Mos u kthe në shushamë.
Të kam mbajtur (o Orakull), mbamë!
Zylyftar Hoxha