“Orakujt…” e Zylyftar Hoxhës, enciklopedi plus: Si e njoha 15 vjet më parë njërin nga të 100-ët e Skraparit

“Orakujt…” e Zylyftar Hoxhës, enciklopedi plus: Si e njoha 15 vjet më parë njërin nga të 100-ët e Skraparit

 

Nga Naim Zoto

 

 

Kur me një frymë përfundon së lexuari librin “Orakuj të harruar” të gazetarit Zylyftar Hoxha dhe fillon e mediton rreth tij, më së pari vëren se jo rastësisht autori e ka pagëzuar me këtë emër.

 

 

 

Fjala çelës është “Malbaba”-i: kështu thirret ndryshe nga banorët rreth e përreth mali më i adhuruar ndër shqiptarë, Mali i Tomorit. Është mali për të cilin vazhdon të jetë i vlefshëm edhe sot e kësaj dite betimi “Për Baba Tomorin!”. Tomori është mali kombëtar, mali i shenjtë; aty janë orakujt, me të cilët mund të këshillohesh para se të bësh një punë të mbarë. Dhe Zylyftar Hoxha është nga ata gazetarë që e nis punën “me rrënjë”.

 

 

***

 

 

Orakujt, sipas besimit të lashtë, janë vendet, objektet apo mekanizmi që, përmes riteve të caktuara, ndërlidh hyjnitë, gjysmëhyjnitë, qeniet e mbinatyrshme me njerëzit e thjeshtë dhe të vdekshëm. Orakujt, natyrisht, gjendeshin në vende të shenjta dhe përcillnin mesazhe, shenja e sinjale perëndish që kishin nevojë për ri-interpretim.

 

 

Mitologjia botërore veçon si më të njohurit, edhe sot e kësaj dite, orakullin e Delfit rrëzë malit Parnas (Greqi), orakullin e Kumes (Italia e Jugut) etj. Por, më i vjetri, dhe më i debatueshmi orakull është ai i Dodonës, vendndodhja e të cilit nga shumë historianë vendas dhe të huaj dhe, sidomos, nga poetët romantikë shqiptarë me në krye Naim Frashërin, besohet të jetë në malin e Tomorit, ndryshe nga pjesa tjetër që e vendos atë diku pranë Janinës.

 

 

Dodona vlerësohet si qendër besimi dhe referimi për të gjithë Gadishullin Ballkanik. Për orakullin e Dodonës dëshira e perëndive përcillej përmes fëshfërimës së gjetheve të lisit (dru i shenjtë ndër shqiptarë). Herodoti thotë se e gjithë teologjia pellazge rrjedh nga Dodona. Në “Iliadën” e Homerit, Odiseu i drejtohet asaj për të mësuar se si mund të kthehej në vendlindje, në Itakën e tij. Sipas studiuesve të Dodonës, për shërbimet fetare në këtë kult të besimit, pra, për Dodonën kujdesej “një familje priftërinjsh që quheshin Tomuroi”.

 

 

Madhështia e malit, pozicioni dominues (nga maja e tij duken brigjet e Italisë), lisat, Tomuroi (Tomorajt, të Tomorit – emri për ata që përkujdeseshin për malin), duket se flet për një Dodonë shqiptare, edhe pse diku në Greqinë e sotme, aty ku pretendohet Dodona tjetër helenike gjendet një mal me emrin Tomuroi. Por ky është një debat sa i vjetër dhe i ri për shkencëtarët…

 

 

Për të zgjidhur fatin, enigmat, dyshimet, dilemat orakujve iu drejtoheshin jo vetëm individë, por edhe shtete e shtabe politike. Në Tomor, përmes ceremonialit antik, formulohej dhe përkthehej vullneti i Atij lart, i të Madhit, i të Parit. Sipas fërfërimës, fëshfërimës, mërmërimës apo ulërimës së fletëve të lisit të lashtë njerëzit merrnin vesh për luftërat, fitoret apo dështimet e ardhshme.

 

 

Lisi, “gjuha e lisave të shenjtë”, ishte horoskop, gazetë dhe internet njëherësh. Por, gjithmonë, mes orakujve dhe popullit, ishin të nevojshëm përkthyesit, lajmësit, analistët, komentuesit. Pra, një lloj media që thithte, lexonte, përkthente, shumëfishonte dhe përcillte kumtet hyjnore.

 

 

Mirëpo ka pasur dhe ka lloj-lloj e soj-soj lajmësish. Që nga përcjellësit autentikë, kronikanët e saktë, shenjtorët e fjalës dhe shpirtit njerëzor (poetët, shkrimtarët e mëdhenj), deri te manipuluesit, mashtruesit dhe provokatorët. Ka pasur dhe ka misionarë të së vërtetës, por ka pasur dhe ka edhe shërbëtorë të gënjeshtrës.

 

 

***

 

 

Me librin “Orakuj të harruar”, gazetari Zylyftar Hoxha na jep një shembull të gazetarit realist që shkruan me dashuri për njerëzit, për mitet, besimet dhe historitë e tyre, por njëkohësisht zbulon me pasion të vërtetën, realitetin shpesh herë të hidhur e të rëndë.

 

 

Libri i sapo botuar i Zylyftar Hoxhës, me titullin “Orakuj të harruar”, nuk është thjesht libër “me shënime publicistike”, siç e ka cilësuar me modesti autori. Nuk është një libër i tipit klasik: “Erdha, pashë, shkrova”. Zylyftar Hoxha, tashmë një gazetar veteran, këtë libër e publikoi në 60-vjetorin e lindjes së tij.

 

 

“Orakuj të harruar” është shkruar sipas motos “jetova, mësova, pësova, shkrova”. Që do të thotë se kemi të bëjmë me një dëshmi jo për gjithçka del përpara apo për rutinën e ditës, por vetëm duke përzgjedhur shenjat e kohës.

 

 

Temat, subjektet, personazhet, madje edhe përshkrimet dhe mjedisi, janë përzgjedhur kështu me parametrat e simbolit, duke bërë që kufijtë mes publicistikës dhe artit të kapërcehen lehtë. Por gazetari tregon mjeshtëri e profesionalizëm jo duke imituar shkrimtarin apo poetin, gjë që do të ishte një abuzim, por duke dëshmuar realitetin në një rrethanë dhe kohë të mirëpërcaktuar, me ngjarje, njerëz të përveçëm e të identifikuar lehtas nga të gjithë.

 

 

Zylyftar Hoxha shkruan për malin e Tomorit (Malbabai) dhe për lumin e Osumit, për kanionet e tij (Kolorado shqiptare), për shpellat karstike, për grykat dhe qafat e natyrës së Skraparit, duke zbuluar bukuri dhe histori reale, duke risjellë përmes dialogëve dhe bisedave dëshmi historike dhe personale njëkohësisht. Në libër subjekte si mali i Tomorit sillen për lexuesit jo vetëm si mitologji kombëtare, por dhe si objekt fizik, historik, kulturor, artistik dhe shpirtëror. Po ashtu edhe lumi Osum, fshatrat, njerëzit, si komunitet dhe si individë të përveçuar, përshkruhen me një gjuhë e frazë të shkathët, moderne, duke dhënë edhe koloritin e zonës apo kohës.

 

 

Nga ana tjetër, libri nuk është shkruar nga një “intelektual” i tipit provincial apo nga një “patriot fisesh”, aq të përhapur sot në Shqipëri, që e identifikojnë atdheun me fisin, familjen, klanin, partinë apo fshatin e tyre, apo që mburrin veten në kurriz dhe në dëm të pjesës tjetër. Zylyftar Hoxha nuk shkruan as me nostalgji ideologjike, as me megalomaninë e të izoluarit; por si një gazetar që e sheh vendlindjen, krahinën e tij si pjesë të vendit të tij, të kombit, një qelizë modeste, në raporte reale në botën e madhe.

 

 

Zylyftar Hoxha është nga të paktët gazetarë që jetuan gjatë në provincë, por nuk shkruajnë dhe mendojnë si provincialë. Përkundrazi, Zylo edhe në këtë libër denoncon me elegancë ato sjellje dhe vija politike që janë munduar vetëm ta shfrytëzojnë Skraparin, madje duke abuzuar rëndë me fisnikërinë, ndonjëherë edhe me naivitetin e njerëzve të kësaj ane.

 

 

Duke qenë se edhe vetë kam lindur në cepin më të largët të asaj krahine, përherë më ka trishtuar fakti (të cilin e thotë publikisht autori i këtij libri, më duket për herë të parë), që regjimi komunist, i cili e lajkatonte me dhelpëri Skraparin, e mbajti atë për 50 vjet si krahinën më të izoluar brenda vendit, si rezervat që kishte vetëm një portë hyrëse dhe dalëse (Rezervati i Bogovës, ku gjuante derra kryeministri M. Shehu, ishte pjesë e së tërës).

 

 

Për fat të keq, edhe sot, një nga krahinat me ADN-në më të pastër gjenetike dhe gjuhësore (shqipërore-do të shtonte në stilin e tij Xhevo) në historinë e kombit shqiptar, vazhdon të jetë krahina më e izoluar e vendit. Fjala “tranzit” nuk gjen përdorim në Skrapar: Që të dalësh prej këndej, për të shkuar në rrethet kufitarë si Përmet, Korçë vetëm 30-40 km larg, duhet t‘i qepesh malit si këmbësor!

 

 

***

 

 

Në librin “Orakuj të harruar” takon personazhe historikë; që nga figura e piktorit anglez Eduard Lir, i cili ka realizuar një pikturë për malin madhështor të Tomorit, duke e fiksuar imazhin e tij drejtpërsëdrejti nga Qafa e Kërrabës 160 vjet më parë; bashkëpatrioti i tij, poeti A. Tenison, “pikturën” e tij e kthen në poezi: “Tomor e Athos, fron magjie”; pastaj pohimet për origjinën nga Skrapari të vëllezërve Frashëri, arkitekt Kasëmit, përshtypjet e jashtëzakonshme për Skraparin prej Petro Markos, Dhimitër Shuteriqit, Dritëro Agollit (“Ju kini miq se dini të bëni miq”; “anëtarët e PD së Skraparit janë njësoj me anëtarët e PS së Tiranës”); duke vijuar me vlerësimet pikante përmes intervistave të Zylos me poetin Xhevahir Spahiu (“Unë mund të vdes, fjala nuk duhet të vdesë”); për të vazhduar pastaj me përshkrime dhe portrete mjaft interesante si ajo e satiristit të famshëm të kësaj krahine, Iljaz Kapxhiut (“në Skrapar edhe lepujt nuk kanë frikë”); Tefik Ramës që shkoi në Londër për të vënë një tufë lule te varri i Bajronit.

 

 

Në libër zbulon figura të jashtëzakonshme si ajo e “eremitit” Kamber Backa, njeriut të vetizoluar, veshur “me kostum kërc e këpucë llustrafine”, i cili na mbante në shtëpi, varur në kornizë në dhomën e miqve, foton e vjetër të një vajze të bukur nga Stambolli, por që Sigurimi ia sekuestroi për “pornografi”.

 

 

Nga ky libër kam marrë vesh që Dritëro Agollin “e ka bërë” shkrimtar Kahreman Ylli, se po të ish për dëshirë të atij vetë do të qe bërë veteriner; se Odhise Paskali ka lindur buzë Osumit (Koblarë), në një fshat ngjitur me fshatin tim (Nikollarë), se…

 

 

Libri i Zylyftar Hoxhës ka histori, personazhe, dëshmi, detaje dhe, aty-këtu, shprehje frazeologjike me një bukuri e ngarkesë mahnitëse: “S‘i gjenden këmbëzat njeriut të shkretë. Çfarë ka tenxherja që zien e di luga që e përzien. Pushkën e mban burri në sup, por e zbraz gruaja. Burri njihet nga opingat”. Portretet që ka bërë ky publicist për figura si Dhimitër Shuteriqi, Xhebro Gjika, reportazhet për Kombinatin Ushtarak të Poliçanit apo për infrastrukturën e luftës në Skrapar (“Kryeqyteti i Luftës”) janë mjeshtërore.

 

 

Por libri “Orakujt e harruar”, nga ana tjetër, është një udhërrëfyes i vërtetë për Skraparin; për vlerat turistike, kulturore e mjedisore të kësaj krahine në zbulim e sipër në këtë aspekt. Nuk më hiqet nga mendja një fjali e autorit të librit.

 

 

Në faqen 28, në fund të reportazhit me titull “Osumi, një Kolorado shqiptare”, gazetari vëren: “Kush shkon në Skrapar tani, nuk e pyesin më “a pive raki”, por “a i pe kanionet”. Skrapari nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është simbol i rakisë (i të pirit), as i pijanecëve: deri vonë ishte turp të deheshe jo vetëm në ambiente publike, por edhe në shtëpi! Simbolet e Skraparit janë e duhet të jenë Tomori, Osumi, kanionet, gjuha e ëmbël e Naimit, shenjat turistike dhe kulturore nga më atraktivet (tërheqëset) që nga shpella më e madhe në Ballkan (Pirogoshi), ura me harqe guri e kryearkitektit perandorak Kasëmit (e Guhakut), gjurma në shkëmb e Abas Aliut etj., etj.

 

 

“Orakuj të harruar” i Zylyftar Hoxhës është një libër që domosdo duhet ta kenë në tavolinën e punës zyrtarët dhe politikanët lokalë, Ministria e Turizmit dhe Kulturës, por dhe turistët në çantën e udhëtimit apo “kroskotin” e makinës.

 

 

***

 

Por, libri ka edhe një personazh të veçantë, ka një kapitull të autorit për veten. Në fakt, ky kapitull meritonte të ishte libër më vete. Bërthama e tij mund të shërbente për roman, monografi, dramë. Madje, bazuar në vetëm në këtë ngjarje (akuza politike nga partia dhe pushteti i asaj kohe: “për shumëfishim të vjershave të poetit klasik pers, O. Khajam”), mund të shkruhej edhe një komedi fantastike.

 

 

Kur lexon mbi jetën e autorit, mbi rrugën që ai ka përshkruar për t‘u bërë gazetar, shikon se Zylyftar Hoxha nuk mund të ishte ndryshe: as si njeri, as si gazetar. Është një rrëfenjë reale, krejt e sinqertë, por edhe simbolike, pasqyrë e brezave të tërë të asaj krahine që u arsimuan dhe ngjitën shkallët e karrierës profesionale me sakrifica dhe mundime të mëdha.

 

 

Njëherazi, me dinjitet!

 

 

(Naim Zoto, botuar në gazetën “Shqip”, 27 prill 2008)