Panarit, ç’të ra ky nur, “për atdhe e për flamur” / Reportazh nga Petrit Zeneli

Panarit, ç’të ra ky nur, “për atdhe e për flamur” / Reportazh nga Petrit Zeneli

Petrit Zeneli

Panarit, ç’të ra ky nur, “për atdhe e për flamur”

Nën këtë moto u rimblodhën e festuan edhe sivjet vakëfllinjtë, në kryeqendrën e Krahinës së Vakëfeve, Panarit, në datat 16 e 17 korrik.

Ajo është festa e të gjitha fshatrave të Njësisë Administrative Vithkuq, pa përjashtim, dhe si e tillë (sipas statutit) organizohet e drejtohet me përgjegësi dhe cilësi nga Kryesia e Shoqatës Atdhetare – Kulturore me qendër në Tiranë, në bashkëpunim me Degën e Korçës dhe të zonës.

Pikërisht, falë këtij bashkëpunimi, duke ngritur paraprakisht komisione e grupe pune, në qendër e në bazë, u arrit suksesi i radhës, që një pjesë e shijuan direkt, duke qenë të pranishëm aty, dhe një pjesë nëpërmjet medias e rrjeteve sociale.

 

Ky aktivitet qendror e kaq masiv, padyshim që çfaq para opinionit publik, brenda e jashtë vendit, fytyrën e vërtetë të këtij komuniteti, vlerat morale-kulturore dhe traditat e larta të tij, ndaj dhe ju besua profesionistëve e njerëzve me përvojë.

Shoqata jonë, me moshë 23-vjeçare, është frymë, është dashuri, sakrificë, bujari, humanzëm dhe jo administratë, punësim, përfitim, privilegj, mburrje, bile as kuotë! Po si funksionon atëhere?! Ja, kështu, një thirrje dhe, gjithë anëtarësia e dashamirësit e saj kontribuojnë vullnetarisht për të realizuar një aktivitet, një investim kulturor apo një bamirësi. E më kryesorja, përdoruesit e tyre, jo vetëm nuk shpërdorojnë një qindarkë, por shpenzojnë shumëfish nga xhepi i tyre.

Pasuria historike e Vakëfeve është jashtëzakonisht e begatshme dhe e përmasave Kombëtare, ndaj përveçse na mbush me krenari, kemi detyrimin e fiksimit të tyre në botime shkencore, përjetësimit në muze, memoriale, pllakata etj.

Ngritja e flamurit kombëtar është ngjarje e përbashkët për të gjitha fshatrat Panarit, Grabockë, Trebickë, Treskë, Katund, Stratobërdhë e Qesarakë, në harkun kohor të datave 11-16 janar 1914. Panariti ka qenë vatër e çetave të para patriotike, toka ku lindën luanët e mëdhenj Qamil Panariti, Qazim Panariti, Dajlan Panariti e Riza Panariti.

 

Ai ishte pre e genocidit dhe masakrës më të tmerrshme të Shqipërisë Juglindore, kryer nga andartët grekë, në 10 korrik 1914.

Trebicka është simbol i arsimit shqip, me shkollën e parë shqipe të saj, në 8 shtator 1845.

Treska është emblemë e diturisë dhe personaliteteve të shquara të kulturës shqiptare, përfshi dhe shkollën shqipe të vitit 1892, me mësues Nuçi Naçin.

Katundi, djep i shqiptarizmës, i emigrantit të parë në Amerikë, Kole Kristofori më 1884, shkollës së Petro Nini Luarasit më 1886, dhe asaj të vashave më 1900.

Stratobërdha është origjina e rilindasve të mëdhenj Asdrenit, Adham Shkabës, Xhuvi Sharrëxhi etj.

Shtylla, djep i civilizimit dhe kulturës, duke nxjerrë nga gjiri i saj personalitete, diplomatë, shkencëtarë e politikanë të përmasave kombëtare e më gjerë.

Për të mos vazhduar më tej me fshatrat famëmdhenj të Vithkuqit, Leshnjës, Lubonjës e Rehovës.

Fjalimet tona në aktivitetin e Panaritit ishin të pafuqishme para uraganit të pjesëmarrësve në të, që në vetvete qe mesazh shpërthyes atdhetarie, respekt për trashëgiminë e të parëve dhe historinë që fliste në çdo gur e shkrep të saj!

 

Festa aty nuk ishte vetëm valle e argëtim, sikurse mund të krijohet ideja nga publikimet e videove të panumërta! Jo, në çdo tavolinë, çadër, oborr apo ambjent familjar, pati diskutime, debate, ballafaqime, por edhe zotime, që, kur i thonë vakëfllinjtë, i bëjnë realitet.

Përfundimisht, aty u vendos njëzëri që, deri në vitin e ardhëshëm të ndërtohet me kontributin e komunitetit një obelisk modest, në ish shtëpinë e patriotit Dajlan Panariti, ku u ngrit flamuri kombëtar.

 

Së dyti, po me kontributin tonë, të shtrohet bukur oborri përpara shkollës, që djemtë dhe vajzat bukuroshe të Vakëfeve, balerinë të vërtetë, të kërcejnë pa vështirësi vitin e ardhëshëm! Së treti, të vazhdojë ripërtëritja e fshatit me ndërtime të reja, si dhe krijim kushtesh për të pritur vizitorët e shumtë.

 

Panariti u bë më i bukur sivjet, i ra një nur, nga festimet madhështore, “Për atdhe e për Flamur!”. Gëzuar!