Pano Taçi: “Do ta bëjmë Shqipërinë për inat të ca kusarëve; do ta bëjmë Shqipërinë për inat të shqiptarëve!…”
Mihal Gjergji
Një telefonatë e shqetësuar e Pano Taçit më shpuri te kafe “Europa”.
-Kam një hall,-më tha poeti bohem. Më ka bllokuar policia motorin, sepse s’kishte letra. Dua të më ndihmosh, nuk njoh njeri te policia e qarkullimit rrugor…
-Mendova s’e kishe ndonjë hall të madh, ia ktheva Panos me humor. Hall është Spaçi, jo motori…
Dhe plaku i gjorë lëvizte me një “Piaxho”, që më shumë e mbante i zoti, sesa i shërbente këtij të fundit. U nisëm për te “Rruga-Ura” atje ku ishte edhe Komisariati i Qarkullimit. Na shoqëroi edhe një miku jonë i përbashkët, edhe ai poet. Panua mori me vete një libër me poezi. Kërkuam takim me shefin e madh.
Ishte një malësor trupmadh, shpatullgjerë e vithembushur. Hundën e kishte të kërcyer dhe gojën të jargosur. Gegërishten e bukur e fliste me akcent hundor (si francezët anglishten). Përkthimin e fjalëve të tij e patëm të vështirë, sidomos në fillim (mos të lëntë Zoti pa dëshmitar!). Bëra prezantimin dhe ktheva sytë nga Panua, që mbante në dorë librin. Ja zgjati pa shkruar asnjë dedikim.
– Ç’është ky libër, përse më duhet? – pyeti shefi.
– Në shenjë respekti – ndërhyra unë.
Ndërkohë që kryepolici e mbante librin kokëposhtë, i bëra kërkesën…
-Jo, tha shefi, unë nuk shkel ligjet.
Kuptova që shefi e donte samarin gjirokastriçe, prandaj ndërhyra. – Atëherë po lidhemi me eprorët e tu që të mos kesh probleme.
-Jo – ngulmoi përsëri. Këtu jam zot vetëm unë, as ministrin s’e pyes. Kam kontribuar për këtë vend pune…
Gjetëm një mënyrë tjetër për ta marrë motorin. U ulëm në kafenenë e afërt. Panua dridhej nga shpërfillja që provoi, pse jo, edhe nga pikëllimi.
Nxori një letër dhe shkroi:
“Do ta bëjmë Shqipërinë, për inat të ca kusarëve
Do ta bëjmë Shqipërinë, për inat të shqiptarëve”
– Mos e gjyko keq policin, i thashë. Ndoshta s’e ka përfunduar shkollën.
Fillova t’i kujtoj me humor poezinë e D. B. Kedrin me titull “Paja”. Firdusi i dërgon Shahut librin e tij të famshëm “Shahnamenë”. Kur ia dhanë librin, Shahu ishte në harem, mes zogave…
“Shahut tonë të nderuar/ Një peshqesh i sjell poeti/ Shahu tha: – Kjo kartë e shkruar/ Vallë, a bën për punë shteti”!…
Panua i mori ëndrrat në varr. Tentoi të arratisej nga Greqia, për të mbërritur pastaj në Amerikë, te gjyshi i tij, Zoto Taçi, i cili ishte sekretar i Fan Nolit. Mirëpo përfundoi në burgjet e diktaturës…
Ngjarja në fjalë ndodhi një ditë vjeshte, pak vite para se të vdiste poeti, dhe mu kujtua duke lexuar një poezi të tij, të cilën e përcjell edhe për ju.
Kur isha i varrosur
Nuk më çudit se ç’pashë në varr
Në sytë e gjarprit kam parë
kroin tek pinte një udhëtar
Dhe korbin që tërhiqte zvarrë
një kafkë, që plumbi e kish marrë…
