Para 360 vjetësh
Një dëshmi e rrallë për vreshtat, verën dhe traditën e lashtë të rrushit në krahinën e Skraparit
Kur flasim për Skraparin, shpesh na vijnë ndër mend malet, Osumi, kanionet, Tomorri, traditat dhe njerëzit e kësaj krahine. Por Skrapari ka edhe një tjetër histori, më pak të njohur e ndoshta të lënë në hije: historinë e vreshtarisë dhe të verës.
Për këtë traditë të hershme na vjen një dëshmi interesante nga një prej udhëtarëve dhe kronikanëve më të njohur të Perandorisë Osmane, Evlija Çelebiu, i cili udhëtoi nëpër trojet shqiptare gjatë shekullit XVII dhe la pas shënime me vlerë për vendet, njerëzit, zakonet, ekonominë dhe mënyrën e jetesës së tyre.
Në shënimet e tij për Shqipërinë, Çelebiu përmend edhe Skraparin, pasi ka bërë një vizitë në Kala dhe në Slatinjë.
Për Kalanë ai thotë se ajo duhet të ketë qenë më e hershme, e periudhës ilire dhe se gjithmonë është përdorur si fortifikatë ushtarake.
Pas Kalasë Çelebi ka shkuar në Slatinjë. Slatinja në atë kohë ka qenë garnizon ushtarak me ushtarë otomanë. KIshin xhaminë (që është edhe sot) për t’u falur dhe banjat me avull, nga më të rrallat në Shqipëri ,për t’u larë. Edhe gërmadhat e banjave janë akoma.
Por në shkrimin e sotëm do të ndalemi më tepër për ato që i kanë bërë më shumë përshtypje në atë kohë në Skrapar, që kanë qenë vreshtat errushit.
Sipas tij, Skrapari kishte dy deri në tri herë më shumë vreshta se Shkodra, Elbasani, Berati e disa qendra të tjera. Për kohën, kjo është një e dhënë që të bën të mendosh se sa e zhvilluar duhet të ketë qenë kultivimi i rrushit në këtë krahinë.
Çelebiu sjell edhe një të dhënë tjetër interesante. Ndërsa në zonat e tjera shqiptare, nga Konispoli deri në Mat, përqindja e popullsisë që kishte vreshta të taksueshme ishte rreth 14 për qind, për Skraparin, Përmetin dhe Kolonjën kjo shifër, sipas tij, arrinte deri në 26 për qind.
Por kronikani nuk ndalet këtu.
Ai shkruan se në atë kohë sipërfaqja e vreshtave në Skrapar arrinte deri në 70 mijë dynymë. Nëse kjo shifër është regjistruar saktësisht, kemi të bëjmë me një përmasë jashtëzakonisht të madhe të vreshtarisë për një krahinë malore si Skrapari.
Dhe pastaj vjen një nga ato shprehjet karakteristike të Çelebiut, që jo vetëm të bëjnë përshtypje, por edhe të sjellin përpara syve mënyrën e jetesës së banorëve.
Për Skraparin ai shkruan se “e hanin verën me bukë”!
Një shprehje e tillë mund të jetë interpretuar në mënyra të ndryshme. Ndoshta Çelebiu ka dashur të përshkruajë konsumin e madh të verës në këtë krahinë, ndoshta është një mënyrë figurative e të shprehurit, apo, siç është hamendësuar, mund të ketë lidhje me ndonjë term apo traditë vendase, siç është rehania.
Po aq interesante është edhe dëshmia tjetër e tij, sipas së cilës pothuajse çdo familje në fshat kishte “vesht” (vresht) ose “vilë-vjel”, një term që lidhet me vendin, arën apo sipërfaqen ku kultivohej rrushi.
Kështu, nëse i bashkojmë këto dëshmi, na del përpara një Skrapar i shekullit XVII ku rrushi nuk ishte thjesht një kulturë bujqësore, por pjesë e rëndësishme e jetës dhe ekonomisë së familjeve.
Sa të besueshme janë shifrat e Çelebiut?
Natyrisht, këtu lind pyetja: Sa të besueshme janë këto të dhëna?
Evlija Çelebiu ishte një udhëtar i jashtëzakonshëm dhe një kronikan me një mënyrë shumë të veçantë të përshkrimit të vendeve që vizitonte. Në veprën e tij ka informacione me vlerë të madhe historike, por ka edhe përshkrime emocionale, ekzaltime dhe, në raste të caktuara, shifra që mund të duken të ekzagjeruara.
Për këtë arsye, edhe shifrat që ai jep për Skraparin duhen parë me një sy kritik dhe të krahasohen me burime të tjera historike, demografike, ekonomike dhe arkeologjike.
Mund të ketë ndodhur që edhe në rastin e Skraparit ai të ketë ekzagjeruar përmasat e vreshtave. Por kjo nuk e zbeh domosdoshmërisht vlerën e dëshmisë së tij për përhapjen e jashtëzakonshme të vreshtarisë dhe rëndësinë që kishte rrushi në jetën e banorëve.
Sepse përtej shifrave mbetet një fakt që duket se mbështetet edhe nga dëshmi të tjera: rrushi dhe përpunimi i tij kanë rrënjë shumë më të thella në Skrapar sesa shekulli XVII.
Për të kuptuar se sa e vjetër është kjo traditë, duhet të zbresim shumë më herët në kohë, në lashtësinë ilire.
Një dëshmi interesante vjen nga kalaja ilire e Prishtës, ku janë gjetur gjurmë që lidhen me përpunimin dhe ruajtjen e rrushit.
Aty janë zbuluar jo vetëm enë të lidhura me verën, por edhe mbetje të karbonizuara rrushi, të hedhura në qypa të mëdhenj, pitos, ku rrushi mund të lihej për të fermentuar.
Këto gjurmë arkeologjike janë veçanërisht interesante, sepse na tregojnë se prodhimi dhe përpunimi i rrushit në trevat e Skraparit nuk duhet parë si një traditë e ardhur vonë. Përkundrazi, ajo lidhet me një vazhdimësi shumë më të hershme të jetës bujqësore dhe ekonomike të kësaj treve.
Në këtë kuptim, ajo që shkruan Evlija Çelebiu rreth vitit 1660 e ca nuk duket si një histori që fillon aty. Është më tepër një dëshmi e një tradite që kishte ardhur deri në shekullin XVII nga shekuj shumë më të hershëm.
Dhe kjo e bën edhe më interesante pyetjen: Çfarë ndodhi me këto vreshta?
Si ka mundësi që një krahinë që, sipas një kronikani të shekullit XVII, kishte një përhapje kaq të madhe të vreshtarisë, sot nuk njihet më për ato sipërfaqe të mëdha vreshtash?
Përgjigjja kërkon një tjetër histori: ndryshimet ekonomike e shoqërore, taksat, emigracionin, ndryshimet në mënyrën e jetesës, politikat bujqësore dhe sidomos transformimet e mëdha të shekujve të fundit.
Megjithatë, edhe nëse vreshtat e dikurshme janë zhdukur ose janë tkurrur ndjeshëm, kujtesa e tyre ka mbetur.
Ajo gjendet në emra vendesh, në rrëfime familjare, në traditat e vjeljes, në mënyrën e përpunimit të rrushit dhe, mbi të gjitha, në dëshmitë që kanë lënë pas udhëtarë, kronikanë dhe arkeologë.
Prandaj, kur lexojmë sot shënimin e Evlija Çelebiut se në Skrapar “e hanin verën me bukë”, nuk duhet ta shohim thjesht si një frazë kurioze të një udhëtari të huaj.
Ajo është një dritare e vogël nga e cila mund të shohim një Skrapar tjetër: një krahinë me vreshta të shumta, me prodhim vere dhe me një kulturë të rrushit që, sipas dëshmive arkeologjike, mund të ketë nisur shumë shekuj para se Çelebiu të kalonte këtu.
350 vjet më pas, këto dëshmi na bëjnë të pyesim jo vetëm se sa vreshta kishte dikur Skrapari, por edhe se sa histori të tjera të kësaj treve presin ende të zbulohen.
#Zylyftar Hoxha#Autor#Orakujt…#
