
Pas një heshtje të gjatë, shfaqet në publik gazetari i mirënjohur Përparim Xhixha: Një CV në formë eseje dhe një tufë me poezi
Pse thotë ai se “kombi im më shumë ka vuajtur nga mendjevegjlit sesa nga mendjemadhenjtë”?!…
Përparim Xhixha
Ditën që u linda, më 7 gusht 1949, në lagjen Varosh te Gjirokastres, babai im ishte në lufte për te sprapsur provokimet ushtarake të Greqisë fshinje. Dhe kështu jetova gjithe jetën, midis luftës dhe paqes, midis fatit dhe punës, midis ëndrrave të mëdha dhe realiteteve bardhë e zi.
Fati im mori udhë për mbarë kur shkollën e mesme e mbarova tek gjimnazi i mrekullueshëm “Raqi Qirinxhi ” në Korçë. Aty mbarova edhe universitetin e madh të dashurisë për atdheun. Sistemi i edukimit të rinisë në këtë qytet ishte magjik, sepse bëhej përmes fuqisë se kulturës dhe veprimtarive të saj gjithëpërfshirëse.
Nga Universiteti i Tiranës mora titullin gazetar në vitin 1972. Që nga dita e parë e punës, janar 1973 në Agjencinë Telegrafike Shqiptare e deri më sot kam punuar vetëm me një moto: kombi im më shumë ka vuajtur nga mendjevegjlit sesa nga mendjemadhenjtë.
Bashkëpunova me te gjitha mediat e kohës deri në vitin ‘ 90- 91 kur fillova te kryeja detyren e kryeredaktorit te “Zëri i Popullit”, një foltore e lirë e socialistëve shqiptarë të udhehequr nga demokrati liberal Fatos Nano, duke provuar violencën e egër e të verbër të regjimit neokomunist të Sali Berishësh
Gjatë viteve 1998 e në vazhdim jam përfshirë në boten e madhe të librit dhe në universin e kulturës letrare kombëtare e botërore. Krijimtaria ime vetjake është më së shumti e përqendruar te poezia. Çdo krijim që publikoj e bëj me përkushtim e përgjegjësi si “anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artisteve të Shqipërisë”.
Muajve qe vijnë do te botoj vëllimin tim të dytë poetik “Dashuria nuk më lë të vdes”.
Do të pres me mirënjohje çdo gjykim a vlerësim të lexuesve, të të gjithë brezave
Poezitë e mëposhtme botohen me kërkesën këmbëngulëse të “Orakujve të Tomorrit”.
Ua dërgova menjëherë, veç të tjerave se, si Skraparlli Backe që jam, nuk mund t’ua prishja…dhe kujt, “Orakujve të Tomorrit”!
Tre “Musketierët” e shtypit shqiptar të viteve ’70 të shekullit të kaluar me origjinë nga Skrapari: Sefedin Çela, “Zëri i Rinisë”; Përparim Xhixha, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Xhevahir Spahiu, “Zëri i Popullit”
KU KAM DËSHIRË TË VDES
Në shtrat nuk dua te vdes kurrë,
Atje në Shirokë, duke pirë verë me krap;
Me dorën time në qiell zogjtë t’i zë
Dhe mbi Rozafë, flamurin e bukur ta vë.
Në Devoll duke mbledhur mollë te kuqe flakë,
Në lumë do hidhem e të shkoj në det,
Le të thonë,po deshën, ishte burrë i marrë,
Le të thonë, po deshën, ishte burrë përrallë.
Në det të hapur deri ku i të thonë Shqipëri,
Në shpinë mbi dallgë do të rri për jetë,
Si minë të shpërthejë zemra çikë e copë,
Zuzar ky det, zuzare dhe kjo botë…
Në Qafë të Martës duke mbledhur lule,
T”ia ve mbi krye një djali trim ëshmor,
Aty zemra si zogjtë le të ikë në qiell,
Pa sytë e tua pranë shpirti s’del që s’del…
Në Fushë – Çajup duke marrë një këngë,
Aty kam dëshirë vërtet të vdes;
Në dimër, nën dëborë, le të jem i bardhë,
Në verë, nën lule, një far për udhëtarë…
MIRËNJOHJE
Dëm askujt s’i bëra kurrë në jetë,
Veç dhurova nder e mirësi,
Nga dhimbjet si dhimbjet u bëra
Dhe fshehtas qava me lotë si fëmi…
E puth në ballë dhe i kërkoj ndjesë,
Atij që një fjalë të pamatur i thashë,
Gratë dhe burrat fisnikë e dinë mirë,
Nga erdha, ku ik dhe prapa çfarë lashë.
Ditën e natën erdha në vatrën tuaj,
Udhëtar e i lodhur, si mik e si shok;
Zemrën e kishit më të madhe se shtëpinë
Dhe këngën e vallen si pushkë e si top.
Pa ju në rrugë të madhe do kisha mbetur,
Si harabel në shi, furtunë dhe rrebesh;
Mbi xham do trokisja i drojtur,i trembur
Nga unë,e dashur, kurrë frikë mos kesh…
Jemi pak, vëllezër, për t’u zënë e sharë;
Vasha jemi pak për luftë e tradhti,
Kombet që s’shuhen e bëjnë mbrothësi,
Dinë të falin dhe faljen kanë perëndi…
Në zemër, në sy për jetë e paçi paqen,
Të paqtë si malet, të pasur si det,
Nga gjindja jonë kush guxon të ndahet,
Fjalën dhe shpirtin dhe këngën e shet.
Një nga ju jam dhe unë në jetë,
Një puthje u jap me mall e përgjërim,
Me këngë u përshëndes nga Bredhi i Hotovës,
Me duart mbi gjoks si krahët e shqiponjës
MIK NË GORË DY A TRE NETË
Valoi dollia si në Mokër,
Valoi flamuri m’u si në betejë!
Njeri dash në hell, tjetri nën saç,
Njëzetë gradë rakia si në Bozhigrad,
Valle burrash plot njëqind karad!
Valoi kënga si në Dangëlli,
Herë me kitarë, herë ne “oi”,
Për Abdyl be Frashërin që shiti flori,
Jetë e zemër shkriu bashkë me vëllazëri,
Edhe gjeth’ e pemës është Shqipëri!
Kërciti makineri,
Bam e bum mortaja,
Dhjetë okë e ca rëndon bakllavaja!
Erë baruti këngët,
Erë baruti vallet,
Plakat po dremisin, nuset për përrallën.
Gora është si syri, sy për Shqipërinë!
Njëri lot mbi magje, tjetri mbi Devoll;
Si lumi gorarët i kanë çarë mallet
Dhe si mal mbi shpinë i kanë mbajtur hallet!
Janë pellazgë gorarët, fis nga ilirët,
Kur s’kanë patur shpatën,
Me dhëmbë prenë zinxhirët!…
Atje nën ahishte sipër në korie,
Varri im të jetë bashkë me këngën time!
Atje nuk kam qenë dy a tre netë,
Atje do të jem mik edhe për jetë!
MALLI PËR FJALËN
Disa më dinë që rroj në Amerikë,
Të tjerë më kërkojnë afër në Berlin,
Unë jam në Backë duke mjelë dhentë
Dhe garë bëj në vrap me qenin tim.
Endem rrugë më rrugë të kalldrëmta,
Dhe matem te shkoj, mos shkoj, në Moravë,
Çudi nuk është fare, mor vëllezër,
Edhe për malin malli të të marrë…
Bëhem bashkë me shokë e miq të vjetër,
Numurojmë si tespie vitet e rinisë,
Nuk ështe çudi fare për njerinë,
Pranë një porte te rrijë si mumje në Egjipt.
Atëbotë nga kjo portë doli një flutur,
M’u hodh në qafë,u puthëm si të marrë!
Nuk është çudi fare për njerinë,
Malli i çmendur t’a marrë për një fjalë …