Pasho Çela: “Kapinova e Kollit të Sipërm, histori – kulturë – traditë”

Pasho Çela: “Kapinova e Kollit të Sipërm, histori – kulturë – traditë”

 

Nga parathënia e librit

 

 

Bashkëfshatarëve të mi kudo që janë: Kapinovë, Amerikë, Kili,  Australi, Johanesburg,  Evropë, Dushk të Lushnjes, Tiranë,  Elbasan, Korçë,  Durrës, Kavajë, Çiflik, Otllakë, Divjakë etj, etj.

 

Rrëzës së Madhe që më freskoi me gurrën e akullt dhe më veshi me tallagan ujëvarash.

 

Çukës së Frëngut ku për herë të parë kuptova se nuk ishim të vetëm në këtë botë.

 

Lumit tim që më tundonte aq shumë, sa unë nuk hoqa dorë asnjëherë. . .

 

Prindërve të mi që më mëkuan me dashuri dhe krenari për vendlindjen, që më rrëfyen me pasion e urtësi historinë e të parëve, që më ushqyen gjithithmonë virtytin, dijen, ëndrrën.

 

Autori

 

 

Sa herë bie fjala për vlërësimin e njeriut në jetë, të vendlindjes, të krahinës, të origjinës së të parëve, të famshëm apo të thjeshtë qofshin, më kujtohet një shprehje e mrekullueshme biblike që thotë se: ”profetët nderohen kudo, me përjashtim të krahinës së tyre, fshatit të tyre dhe shtëpisë së tyre.”

 

 

Duket paradoksale kjo sentencë, por, përgjithësisht, është e vërtetë. Ndaj, dhe gjithnjë, kam vlerësuar, në mënyrë të veçantë, ata njerëz që para se të nderojnë të largëtit, çmojnë dhe nderojnë të afërmit e tyre, lartësojnë vlerat e tyre; fshatin e tyre, origjininën e tyre, vendlindjen e tyre, krahinën e tyre e kështu me radhë…

 

 

Ky libër që po përcjell tek lexuesi dhe, veçanërisht, tek bashkëfshatarët e mi, kudo që janë, është fryt i një pune disavjeçare.

 

 

Libri është konceptuar si një krijim unik ku pasqyrohen gjegrafia me natyrën e saj alpine dhe shumë të mrekullueshme, historia me ngjarjet dhe bëmat e burrave, por edhe të grave, nga lashtësia deri në në kohët e vona. Gjithashtu, janë pasqyruar kultura, traditat, zakonet, si bashkëudhëtare të pandashme të jetës vitale në këtë trevë mjaftë të dëgjuarë e piktoreske.

 

 

Për ta shkruar këtë libër, bashkëpunëtor më të ngushtë kam patur vendlindjen me bukurinë dhe ashpërsinë krenarake, historinë me bëma që kanë çuditur Portën e Lartë, tokën tonë të bekuar që lindi amazona, djemtë që bënë mik Pashanë e Janinës, burrat që me historitë e tyre të çuditshme kanë lënë, edhe sot, hijet e bëmave kreshnike, etj.

 

 

Për këtë libër kam shfrytëzuar dhe jam mbështetur mbi një literaturë mjaft të gjerë, por edhe që kanë patur lidhje me interesat dhe kërkesat e vet natyrës së këtij libri.

 

Për të shkruar këtë libër jam udhëhequr nga vetëdija e lartë se Kapinova nuk fillon te pragu i shtëpisë time, as te fara e soji i fisit tim, por as edhe te fara dhe soji i ndonjë tjetri, miku apo shoku, miqësie apo krushqie. Kapinova nuk fillon as te Hasët, as te Çelët, as te Bakiasit. Kapinova nuk fillon as te Haçollarët, as te Mekellarët, as te Maliqllarët…

 

NE të gjithë së bashku jemi NJË; jemi ngjizje e një rrace të lashtë sa vetë edhe emri i fshatit tonë (capi = prijës), fisit pellazgjik.

Majat e historisë, bëmat, ngjarjet, kanë emrat e tyre, personazhet e tyre, por që ata kurrën e kurrës nuk thoshin unë, por Kapinova, madje e cilësonin edhe me epitetin “e egër”.

 

 

Mbi këtë vlerë dhe mësim të të parëve, jam munduar të ndërtoj librin. Ky libër është një pasaportë për brezat që pasojnë. Pse? Ata nuk e dinë nga vijnë e ku do të shkojnë. Ata nuk kanë njohur odat e mëdha ku bëhej kuvendi, ku jepej besa, ku shuhej sherri, ku bëheshin dollitë, ku merrej kënga, ku hidhej vallja, ku shtihej pushkë se kishte lindur djalë, ku thirrej në gosti gjithë fshati se kishte ardhur burri apo djali nga kurbeti, ku niseshin krushqit për të marrë nuset për djemtë levend, ku hidhërimi dhe gjëma kaloheshin së bashku, ku festat ndiznin fshatin e rrëmbenin zemrat e secilit në idilin romantik të malësorit sevdalli.

 

 

Me këtë libër kam dëshiruar që t’i jap fund njëherë e përgjithmonë përcaktimit të idenditetit, origjinës, personalitetit të secilit, ndriçimit të historisë, ashtu si e kanë krijuar të parët tanë. T’i tregojmë vetes, por edhe të tjerëve, se Kapinova është e lashtë, ilirike e pellazgjike, sa dhe vetë historia, bëmat, ngjarjet, personazhet. Prandaj e kujtojmë me ndjenjë krenarake të kaluarën. Na bëjnë që sot, të ndiehemi mirë para vetes dhe të tjerëve, para të sotmes dhe të ardhmes.

 

 

Brezave që do të vijnë t’u heqim mëdyshjen e idenditetit, origjinës, personalitetit, vazhdimësisë së hershme, të sotme dhe të nesërme.

 

 

Libri përbëhet nga dy pjesë; në të parën përcillet gjeografia, historia dhe kultura e gati, mbi tre shekujve.

 

Pjesa e dytë e këtij libri ka një rëndësi të veçantë pasi në të trajtohen dy probleme shumë madhore dhe delikatë. Së pari; bëhet fjalë për të qënurit apo të ekzistuarit, idenditetin, farën, sojin, fisin, vëllazërinë dhe së dyti; për kufijtë gjeografikë të përgjithshëm apo të përbashkët dhe ato individuale sipas fiseve, lagjeve dhe vëllazërive të vogla apo të mëdha, qofshin ato.

Ngrihet pyetja: pse duhen trajtuar në këtë libër me gjeografi, histori e kulturë edhe këto dy çështje, siç janë; pema gjenaologjike e fiseve dhe ajo e toponimastikës.

Brezat, dalëngadalë, po i lënë vendin njëri tjetrit, një gjë e natyrshme kjo. Po ajo që ikën, si pa e kuptuar, është kujtesa, të mbajturit mend e historisë, e kulturës, e gjeografisë së vendlindjes.

 

 

Tek ky libër brezat do të gjenë themelet, farën e fisin, selishtat, arat, emrat e pyjeve, kullotave, çaireve e lëndinave, krojeve, burimeve, brigjeve dhe shtigjeve etj., etj. Do të gjejnë edhe një kalendar të datave e ngjarjeve historike, gati mbi 300 vjeçare, e gjithçka tjetër që do t’u duhet për sot e shumë e shumë kohë, për të ardhmen e afërt e të largët.

 

 

Ua theksoj, edhe njëherë, brezit të ri dhe brezave që do të pasojnë; unë kam bërë atë që bën çdo shkrimtar në botë: të kujtoj, të kujtoj, për të tjerët…

 

 

Le të shkojnë bijtë tanë, nipërit e mbesat tona në botën e globalizuar; ata kanë me vete pasaportën e Kapinovës. Le të shkojnë fëmijet tanë dhe fëmijët e fëmijve; në Amerikë,  Zelandë,  Evropë,  Kili,  Japoni, etj.  S’do t’ua kemi merakun fare. Pse?

 

Me këtë libër, të marrë me vete, ata do të jenë në vendlindje, te Çuka e Frëngut, ku retë bardhëllore ngjasojnë si kope dhensh në shtegtim. Do të jenë te Sheshi i Majës ku aroma e luleve deh dhe mahnit dhe vetë natyrën e rrallë alpine.

 

Do të freskohen me ujërat e borta të Rrëzës, që, nëpër rrjedhat e tyre, ngjasojnë me tallagane burrash në kulmin e valles dhe çlirimit baritor.

 

Do të kalërojnë mbi pelat hergjele nga Bregu i Thekrave deri tutje- tutje në Vrimas.

 

Do të tubohen të gjithë te Kroi i Abazit që të kuron plagët nga sëmundjet edhe më të liga të botës.

 

Do të shlodhen e ripërtërihen duke soditur kataraktet litarbardhë, korijet, buronjëzat me pëshpërimat e tyre të çuditshme, lumin kaltërosh e tundues…

 

 

Dua t’u them brezave të mos harrojnë një gjë për jetë e mot: të parët e tyre i kanë aty ku Çuka e Frëngut takon kryet me retë bardhoshe të mëngjeseve, të parët e tyre i kanë aty ku muzgjet e purpurta alpine, me maja e kreshpa argjendore, çmendin e mahnitin edhe vetë bukurinë.

 

 

Dua t’u lë amanet brezave se malli që na lan dhimbjet e zemrës është aty ku shpresa na është rritur me dritën e luleshqerrës dhe pranvera ngjitej në male me këngën e qyqes.

 

 

U rrëfej pasardhësve se në këtë vend nuk ka mbretëruar mrekullia, as pasuria e parajsa e premtuar, por Dashuria, Paqja, Harmonia tipike edhe sot e kësaj dite…

 

Amen!