
Pazari i Korçës, depoja natyrale e Selanikut dhe Stambollit
PAZARI I KORÇËS NË VITET 1647-1669
Nga një dokument i viteve 1647-1648 mësojmë se tregtarët elbasanas për të shkuar në Venedik në kohën e luftës veneto-turke (1644-1669), kur siç duket porti i Durrësit ishte i mbyllur, ndiqnin rrugën shumë të gjatë Elbasan – Korçë – Sojadhë – Korfuz – Venedik.
Gjatë rrugës në Tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale (lëkurë, dyllë), prodhime zejtarie (mutafe, litarë, hararë) dhe shisnin prodhime manifakture (stofa e letër) të sjella nga Venediku.
(S. Naçi, “Të dhëna mbi Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut sipas një dokumenti të shek. XVII”, Bul. Shk, Shoq., II, 1957, F. 223-225)
PAZARI I KORÇËS, GJALLËRI PËR GJITHË KAZANË
Pazari ishte i ndarë në dy pjesë: pjesa qendrore, kryesore dhe, jashtë saj, një pjesë e dytë. Funksionimi i kësaj të fundit ishte më i kufizuar dhe veprimtaria në të kryhej kryesisht në një ditë të caktuar të javës, në ditën e pazarit.
Pjesa kryesore dallohej nga një jetë e gjallë, nga një funksion i dendur dhe i përditshëm. Aty përfundonin rrugët që lidhin qytetin me rrethinat dhe fshatrat. Qendrën e saj kompozicionale e krijonte një shesh i gjerë, rreth të cilit ngriheshin ndërtimet e pazarit, ose blloqet e dyqaneve dhe të punishteve.
Së bashku me sheshin kryesor, këto krijonin një bërthamë shumë kompakte që qarkohej nga një unazë gjysmërrethore, e formuar nga ndërtimi i njëpasnjëshëm i haneve. Pra, edhe në pjesët e veçanta të pazarit vihet re një zonim funksional: njësitë prodhuese dhe tregtuese ishin të ndara nga ndërtimet për pushim e bujtje.
Njësitë kryesore kompozicinale të pazarit të Korçës ishin sheshet e tregtimit, ndërtesat e dyqaneve dhe hanet. Një element i rëndësishëm urbanistik i tij ishte dhe kulla e sahatit, e ngritur në periferi të bërthamës kryesore, pranë xhamisë së madhe.
(Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 206)
SHITËS DHE BLERËS EDHE NGA KOSTURI, BULLGARIA
Në të “… çdo javë të shtunave behët një treg i madh, ku vijnë për të blerë nga krahina e Kosturit, Naselishtit, Oparit, Skraparit, Gora, Mokra, Prespa, Devolli e Përmeti, shkruan Thimi Mitko.
(Th. Mitko, “Topogafia…”, vep. cit. 570)
PAZARI I KORÇËS, DEPOJA NATYRALE E SELANIKUT DHE STAMBOLLIT
Sipas Karmicit, Korça “… është depoja natyrale e Selanikut dhe Stambollit dhe, pjesërisht edhe e Janinës, duke i përhapur prodhimet industrale dhe natyrale të Evropës e të kolonive, siç janë stofrat e ndryshme, sheqeri etj., në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore”.
JANINA I TREMBEJ PAZARIT TË KORÇËS
Në mesin e shek. XIX fuqia e Korçës ishte ndierë edhe jashtë krahinës së saj, sa që konsulli i Janinës, albanologu Han, vërente:
“… Tani në kohët e fundit, Korça që është në lulëzim e sipër, po bahet një konkurent i rrezikshëm i Janinës, përsa i përket tregtisë me viset e veriut…
… Pozita e saj ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore asht shumë e përshtatshme për tregtinë, ndaj tregtarët e Janinës kanë filluar të Shqetësohen”
(J. G. Hahn, Albanesische Studien, Jena, 1854, f., 55, (sipas përkthimit në shqip nga V. Dashi dhe A. Koçi, f. 82)
PAZARI I KORÇES MË I BUKUR SE AI I MANASTIRIT
“… Pazari i Korçës ka rrugë të drejta dhe është vërtet i vogël, por është më i bukur se Pazari i Bitolit”. (Karmici, vep., cit., f., 12).
PAZARI 1941, DRITHRAT FURNIZIM I FUQISHËM I PAZARIT TË KORÇËS
Krahina pjellore përreth furnizonte jo vetëm Korçën por edhe qytetet dhe krahinat e tjera: “Lugina është shumë prodhimtare përderisa nxjerr drithra dhe dërgon në mënyrë të veçantë edhe në Shqipërinë e mesme”
(Th. Mitko, “Disa shënime rreth Korçës”, botuar në gazetën greke Pandora, 1.8.1867, Th. Mitko, Vepra, f. 549)
Ndërsa diku tjetër thotë: “Grurë kallamoq e të tjera Toskëria e tërë i ble këtu edhe Berati”.
(Th. Mitko, “Topografia e Korçës”, art. cit. f. 569)
ZEJTARIA SHTËPIAKE E GRAVE, FURNIZUESE E PAZARIT
Përveç prodhimit zejtar, burim furnizimi për tregun e qytetit ishte zejtaria shtëpiake dhe ajo fshatare. Thmi Mitko, duke bërë fjalë për këtë degë të ekonomisë, vinte në dukje se “… gratë bëjnë shajak, napë, flokatë, gunë, velenxë për kafshët, shkorsa, qilima, pëlhurë, çorape, shirita të leshta, raki, sapun etj.
Çorapet dhe velenxat e Korçës janë me nam dhe shiten më të shumtat në Konstandinopojë…”
(Th. Mitko, “Topografia e Korçës”, botuar në Fiamuri I Arbërit, nr 9, 1834, f., VI-VII, nr. 10, f. VII-VIII, marrë nga Th. Mitko, vepra, përgatitur për botim nga Q. Haxhihasani, Tiranë, 1981, f,