Pëjetësi për mësues Behar Korpën!

Pëjetësi për mësues Behar Korpën!

 

Pandeli Bardhi

 

Para pak ditëve u nda nga jeta mësuesi veteran i arsimit në Skrapar, Behar Korpa. Si të gjithë mësuesit e tjerë të sistemit të kaluar, por edhe atyre të paktë në këtë sistem, ishte nga ata që ”shkriheshin si qiriri” për të ndriçuar rrugën  e të ardhmes për brezat e rinj.  Sakrifikonin shumë, në zona të thella, larg familjes dhe fëmijëve, në mungesën totale të strehimit, në mungesë të plotë të mjeteve të transportit, por që gëzonin dashurinë e popullit.

 

 

Behar ishte, siç kishte edhe emrin, një “behar” i vërtetë. Nëse ai iku nga kjo jetë, veç kujtimit dhe gjurmëve të punës që ka lënë pas, ka lënë edhe emrin e mirë, të përveçëm dhe të përjetshëm, “Behar”, që s’ka për t’u harruar kurrë.

 

 

Rridhte nga një familje e njohur e Leshnjes së Skraparit, një familje atdhetare pjesëmarrëse në të gjitha ngjarjet historike të kësaj krahine. Më e dukshme ka qenë kjo gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u bë strehë e partizanëve.

 

 

Përfundoi studimet në Biokimi me rezultate të shkëlqyera dhe emërohet mësues në gjimnazin “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës.

 

 

Me një tip serioz, skrupuloz në punë, por edhe i papajtueshëm me disa veprime arbitrare të disa drejtuesve lokalë të asaj kohe, që ndërhynin në punët e shkollës, në vitin 1968 e transferojnë në Potom.

 

 

Ata që transferuan e kuptojnë shpejt gabimin dhe e kthejnë përsëri, jo në Corovodë, por në  Leshnjë, fshatin e tij, ku mësonin edhe nxenesit e dy fshatrave te tjera, Gostëncke dhe Vëlushë. Për tetëmbëdhjetë vite në Leshnjë, ai u bë u bë njeriu më i dashur në çdo familje të zones, sa që kur shtrohej problemi për ta emëruar në një vënd tjetër, fshatrat ngriheshin në këmbë për të mos e larguar këtë aset dhe fat të çmuar që u kishte rënë pjesë fëmijëve të tyre.

 

Dhe Behari sakrifikoi vetë për të mos ua prishur bashkëfshatarëve të tij.

 

Më vonë për nevoja pune, u transferua në Çorovodë, ku për shtatë vjet punoi si inspektor në Seksionin e Arsimit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. Për profesionalizmin e tij dhe punë e përkushtuar ishte dekoruar me Medaljen “Naim Frashër” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

 

 

Behari kishte lidhur jetën bashkëshortore me Pëllumbesh Jaupin, me të cilën kishin dy fëmijë si yje,  vajzën, Aldën,  punonjëse në Ministrinë  Transporteve dhe djalin, Denisin, me punë në Holandë.

 

 

Behari prehet i qetë atje, në Parajsë, si një njeri që e ka bërë detyrën, ai do të jetë në përjetësi i kujtuar nga breza nxënësish dhe mësuesish, nga bashkëfshatarët dhe bashkëqytetarët kudo që jetoi, nga  kolegët, miqtë dhe të afërmit për virtytet dhe vlerat e larta morale që shpalosi një jetë të tërë në të mirë të njerëzve.