Pelegrinazhi në Tomorr, mbivendosjet mijëravjeçare: Nga Paganizmi në Krishterim  dhe nga Krishterimi në Islam (Bektashizëm)

Pelegrinazhi në Tomorr, mbivendosjet mijëravjeçare: Nga Paganizmi në Krishterim  dhe nga Krishterimi në Islam (Bektashizëm)

Si çdo vit edhe sivjet, pelegrinë, besimtarë dhe jo besimtarë, turistë dhe qëjflinj të aventurës janë ngjitur në malin e Tomorrit për t’u lutur e falur, për të therur kurbanë, për të festuar dhe argëtuar rreth kenotafit (varr simbolik pa eshtra) të Abas Aliut, rreth teqesë së Dervish Iljazit dhe tyrbesë së shenjtorëve të tjerë bektashi aty pranë.

 

 

Festa ka nisur që më datën më 20 gusht dhe përfundon në 25 gusht.

 

 

Sot në ditën e tretë, ditën ceremioniale, që është edhe kulmi i festës së Tomorrit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Ibrahimi  përshëndeti gjithë pjesëmarrësit, zyrtarët e lartë të shtetit, përfaqësuesit e partive politike, përfaqësive diplomatike në vendin tonë të ardhur aty me këtë rast etj.

 

 

Po cila është historia dhe origjina e lashtë e kësaj feste fetare

 

Është për të ardhur keq, por shumica që shkojnë atje, besimtarë apo jo, nuk e dinë historinë e këtij vendi të shenjtë. Aty nuk ka Abas Ali. Abas Aliu është atje ku është, në vendin e Profetëve.

 

 

Ashtu siç dimë nga historia shumëshekullore, si të gjitha kulturat, edhe kulturat religjoze mbivendosen mbi njëra-tjetrën. Shumë objekte historikë, si kështjella, fortesa apo objekte kulti, si vende të shenjta apo kisha janë mbivendosur mbi njëra-tjetrën sipas kohës dhe rendeve historikë. Psh, shumë kështjella dhe kisha në vendin tonë janë mbivendosur në tri shtresa, në periudhën pagano-ilire, para Krishtit;  pastaj mbi themelet e tyre janë ngriur kishat bizantine, ndërsa më vonë mbi to, kishat katolike, ortodokse apo edhe xhami e teqe.

 

 

Kështu ka ndodhur edhe me malin e Tomorrit, ku gjitja në majën e Tomorrit ka qenë një festë pagane, pellazgjike, tepër-tepër e lashtë, ku në muajin gusht të çdo viti, ngjiteshin pelegrinë të shumtë të ardhur nga larg për t’iu falur perëndive të tyre.

 

 

Me lindjen e krishterimit, përsëri njerëzit shkonin atje si dikur për forcë zakoni. Këtë pelegrinazh e shfrytëzoi krishterimi dhe e lidhi me Shën Mërinë, festë krishtere që qëllon në gusht.

 

 

Para më shumë se 400 vjetësh, kur një pjesë e shqiptarëve u islamizua, feja islame e ktheu këtë festë në interes të vet me ritet e veta.

 

 

Sipas legjendës dhe kenotafit simbolik në majën e Tomorrit për Abas Aliun thuhet se ai erdhi nga Qerbelaja me kalë fluturues dhe u bë mbrojtës i gjithë shqiptarëve. Por kjo është thjesht legjendë, që shumë bukur e përdori në mënyrë artistike dhe figurative Naim Frashëri, kur shkroi, “Ç’është ai që shkon kaluar, / me dy-tri foshnjëza në duar/ është Abas Aliu”.

 

E bëri këtë në kontekst historik për të treguar identitetin e shqiptarëve dhe për të përligjur luftën për liri e pavarësi nga zgjedha turke.

 

 

Në kalendarin islam, bektashian, nuk ka ndonjë festë më 20 gusht, 20 gushti ka ardhur prej paganizmit. Por 20 gushti i Tomorrit ka fituar të drejtë qytetarie dhe askush nuk hedh dyshim pas kaq kohësh,

 

 

Është mirë të lutemi dhe të falemi me ritet aktuale të bektashinjve, por ama edhe të dimë ta ndajmë historinë nga legjendat. (Z.H.)