Përmbytjet: Pjesa më vitale e Shqipërisë nën ankthin e përmbytjeve
Illo Foto, studiues
Jetën profesionale, nuk e kam jetuar vetëm si specialist, por dhe si gazetar dhe autor librash bujqësore. Ky status me jep të drejtën, jo vetëm të gjykoj mbi përmbytjet e viteve të fundit, por dhe të kritikoj atë pjesë që nuk ka funksionuar normalisht në evitimin e pasojave. Në krye të herës, duhet të pohoj me përgjegjësi, që nëntë përmbytjet e përjetuara nga unë, nuk krahasohen as me gjysmën e përmbytjeve të këtyre 5 viteve. Shtetit të këtyre 30 e ca viteve i ka rënë prapanica në ujë!
Diktatura komuniste nuk e “ushqente zagarin vetëm ditën që delte për gjah”!
Në 35 vite të veprimtarisë profesionale kam përjetuar nëntë përmbytje të ish-ekonomive bujqësore, ku kam punuar. Gjatë evitimeve të përmbytjeve të kaluara, nuk mbaj mend të jetë dëmtuar as një kokë bagëtie e çfarëdo lloji. Bagëtitë, që eventualisht mund të përmbyteshin bëheshin ngarkim personal. Zona e përmbytur kishte pamjen e një shtëpie funerale. Nuk dëgjoheshin zhurma, veç asaj të ujit, nëse lëvizte.
Kjo qetësi varri kushtëzohej për faktin se duhej të dëgjoheshin sinjalet, që mund të jepeshin për rreziqe të shtuara. Qetësia nënkupton ngushëllim dhe solemnitet: Njerëzit presin të shohin përpara syve, mynxyra! Personalitetet e kohës nuk i vizitonin zonat e përmbytura pa u tërhequr uji.
Aty dukej vetëm ndonjë gazetar, por jo gjithnjë. Vizitat bëheshin fill pas lirimit të zonës. Atëherë nuk kishte struktura emergjencash civile. Strukturat e pushtetit shtetëror nuk merreshin konkretisht me përmbytjet. Bëhej një lajmërim dhe për gjithçka përgjigjej ekonomia.
Nuk merrej as fuqia punëtore me këtë problem, me përjashtim të njerëzve, që merreshin me ndonjë kullim të prapambetur dhe punonjësve të blegtorisë. Jam i sigurt, se do ketë lexues që këtë përvojë nuk do ta pranojnë, pasi është përvojë e fituar në diktaturë. Ju sqaroj se në diktaturë, punojnë dhe mendojnë të tjerët, populli, ndërsa diktatorët dhe besnikët e afërt vetëm sundojnë!
Ultësira Bregdetare shqiptare, kjo bukuroshe e fjetur, është gjithnjë e kërcënuar. Është pjesa me vitale e vendit, sepse nga Bistrica deri ne Bunë jeton 70 % e shqiptarëve. Aktualisht shteti nuk ka kontroll mbi ujërat sipërfaqësore të kësaj fushe. Në dimër përmbytet, në verë zhuritet. Kjo gjendje ka mbi 30 vite që përsëritet. Sa do të vijojë ende kështu, as fushë as kënetë?
Mediat e kanë analizuar gjerësisht dhe me shumë përgjegjësi këtë problem kombëtar, ndërsa drejtësia është e vonuar për vënien përpara ligjit të shkaktarëve të anarkisë bujqësore – mjedisore të vendit, që është shkaku i varfërisë së pajustifikuar, sidomos të shtresës fshatare.
Të ndëshkon vetja, jo natyra!…
I mbaj mend me hollësi të dhjetë përmbytjet, sikur të kenë ndodhur sot. Nuk di ta përshkruaj tmerrin. Për të sjellë atë përvojë të hidhur, po përshkruaj përmbytjet në Bushat – Shkodër dhe Hoxharë – Fier, që ka ndodhur në mesin e viteve ‘80 të shekullit të kaluar.
Në periudhën 1960 – 1990, përmbytjet i kam përjetuar si subjekt që janë përmbytur, të tëra herët. Ndërsa përmbytjet postmoniste i kam ndjekur me shumë dhimbje, por në rolin e spektatorit. Kur them me shumë dhimbje, nuk dua ta paraqes veten më të ndërgjegjshëm, por kam mbi shpinë përmbytjet e 35 vjet jete, në zonën e Ultësirës shqiptare.
Në këtë shkrim, që besoj të jetë i fundit për përmbytjet, unë do të tregoj se si i përballonim përmbytjet ne dhe si janë zhvilluar ato në historinë shekullore të shtetit shqiptar. Gjatë përmbytjeve kam qenë në vijën e parë, për të mbrojtur gjënë e gjallë, që në ish-fermat përbënin një nga pasuritë më të mëdha të tyre dhe të vendit.
Fillimisht njohuritë e mia për përmbytjet kanë qenë shumë të cekëta. Kur fillova punë në ish-fermën Levan, përveç dokumenteve të shumta zyrtare, gjeta tre programe të shkruara me kaligrafi nga paraardhësi im, Latif Çela: Planin e zhvillimit të blegtorisë bashkë me atë të prodhimit, programin e evakuimit të blegtorisë në rast fatkeqësish natyrale (konkretisht, për përmbytjet, tërmetet, zjarret, rrëshqitje toke, orteqe) dhe programin e shtegtimit të dhenve. Njihja vetëm planin e parë, për dy të tjerët nuk e kisha idenë pse ishin dhe si do t’i zbatoja.
E kam thënë shumë herë, se për gjëra të paqarta i drejtohesha dr. Jakovit (Mile), që kryente detyrën e kryespecialistit në ish-fermën “Çlirimi”. Ai më dha njohuritë e duhura, por më porositi, që të bisedoja me të moshuarit, për të dy problemet, që janë specifike për secilën trevë të zonës së ulët.
Konsultat me njerëzit e moshuar i bëra praktikë pune dhe e zbatova në çdo ekonomi. Kam përballuar të tëra përmbytjet, në ish-fermat Levan, Hoxharë, Valare – Gjirokastër, ish-fermën Lushnje, si dhe në gjithë fermat e veriut, kur punova në Drejtorinë e Përgjithshme të fermave. Aktualisht, ndoshta jam i vetmi specialist që kam përballuar më shumë raste përmbytjesh në Shqipëri.
Nga sa kam mësuar nga vendësit dhe nga përvoja ime në terren, po paraqes pak episode të përmbytjeve në zonën e ulët. Përgjithësisht vendet ku shpërthen lumi dihen nga banorët e moshuar, të cilët i riprodhojnë të tëra episodet që kanë kaluar në përballje me “kafshimin” e lumit.
Përmbytjet përpara bonifikimit, që është periudha përpara 1960, ndodhnin çdo vit, por jo me të njëjtin intensitet. Vitin e parë të largimit të ujërave kënetore, përmbytjet ishin të furishme, sepse u krijua një boshllëk që e thithte ujin e lumit, edhe kur nuk kishte fryrje të madha. Përmbytjet u shtuan dhe u bënë me agresive. Është koha kur shteti mori masën e ndërtimit të pendave të fuqishme. Pendat u ndërtuan në vijën ku lumi thyente tradicionalisht.
U frenuan shumë lumenjtë dhe për një kohë pothuaj u eliminuan vërshimet e çmendura. Në fillim të viteve ‘60 ndodhi përmbytje masive ne te tere zonën bregdetare. Ndërtimi i digave të hidrocentraleve i frenoi disi vërshimet e Drinit, por në jug vijonte e njëjta histori. Zona, që është përmbytur më shumë në Shqipëri është Lezhe – Shkodër; zona e Çermave në Lushnje dhe Bashtova në anën tjetër të lumit. Përmbytjet e tjera janë episodike.
Shkumbini thyente vazhdimisht tek Ura e Rrogozhinës. Çermanakët ishin familjarizuar me këtë dhe shqetësoheshin më tepër kur nuk kishte përmbytje në dimër, sepse kur ndodhnin në pranverë shkatërronin krejt të mbjellat. Lumi plehëronte edhe tokat.
Çermanakët bënin shtëpi dykatëshe dhe gjënë e gjallë i evakuonin në kodër, që quhet Zhamë. Rrallë mund të ndodhte që dikush të ndërtonte shtëpi të re jashtë vijës kufizuese tradicionale. Largimi nga vendbanimi i babait konsiderohej një nga llojet e tradhtisë. Ndoshta lidhet me besimin fetar. Kryefamiljari largohej i fundit nga banesa, po qe se ujët delte në katin e dytë. Është momenti që njeriu laget nga ujët e lumit dhe zgjohet i llahtarisur, për të nisur rrugën, që nuk duket më. Në rastin e një emergjence të tille, një çermanak nuk mundi të merrte rrugë dhe hipi në një pemë, me gjithë disa orendi dhe ushqime. Aty ndenji tri ditë, deri sa u duk rruga. Këto i përkasin një të kaluare të largët. Vdekjet, mbytjet e bagëtive, dëmtimi i të mbjellave dhe orendive ishin në kuotat më të larta. Varfëria përcaktohej nga niveli i përmbytjes së radhës.
Pas ndërtimit të digave, përfundoi bonifikimi hidraulik i fushës. Bonifikimi hidraulik nënkupton largimin ujit nga sipërfaqja, por në të tërë thellësinë e tokës kapilaret janë të mufatur. Ujërat nëntokësore afrojnë deri në sipërfaqe. Në këto kushte, toka nuk vjen shpejt për plugim. Shtrati i farës nuk favorizon mbirjen dhe zhvillimin bimor.
Këtë problem e ngrinin specialistët e ekonomive të asaj kohe, që shquheshin për erudicion, por dhe drejtues të ekonomive bujqësore, që kishin punuar me Fullcin. Këta ishin: Ali Ypi, Zyber Juka, Faik Barajaktari, Sami Hysi, Refat Toptani, Hysen Çobani, Dule Çarçani, Ilo Prifti, Mentor Përmeti, Mihal Dajlani, Minella Xinxo, Irakli Leka, Kastriot Panariti, Petrit Kripa, Mihallaq Qirjako, Spiro Gushi, Demlush Thaçi, Sul Gallai, Dhimo Liko, profesorët e Institutit bujqësor, shkencëtarët e institucioneve te bujqësisë.
Qeveria e kohës nuk bindej se bonifikimi nuk po i shërbente tërësisht prodhimit që kërkohej. Ajo thoshte: Bonifikimi përfundoi sipas projektit, kërkohet shlyerja e investimeve. U planifikuan rendimente të paarritshme. Kontradikta teknike ishte e thellë dhe në opinion dukej se qeveria kishte të drejtë. Specialistët dhe shkencëtarët e mirënjohur nuk reshten, deri sa u realizua bonifikimi bujqësor, i cili nënkupton ngritjen dhe uljen e ujërave nëntokësore, siç e kërkojnë interesat e plugimit të tokës dhe ato të zhvillimit bimor.
Për të arritur te bonifikimi bujqësor, u rishikua projekti, duke bërë thellime të reja të kanaleve dhe ndërtimin e hidrovorëve që kushtonin shumë. Bonifikimi bujqësor vijoi gati 10 vjet, deri në fillim të viteve ‘70 të shekulli të kaluar. Në ndryshim nga bonifikimi hidraulik, ky i fundit u krye me mjete të mekanizuara. Me këtë operacion të kushtueshëm, tokat e ish-kënetave u transformuan në toka bujqësore të nivelit të lartë. U rritën rendimentet në mënyrë progresive dhe së bashku me ujitjen, Ultësira Bregdetare shqiptare, klasifikohej një masiv bujqësor, që konkurronte në Evropë, deri sa arriti të merrte 48 kv/ha grurë, 100 kv/ha misër, 500 kv/ha panxhar, 4000 litra qumësht për lopë etj.
Efektin më të madh bonifikimi bujqësor e pati në kufizimin drastik të efektit të përmbytjeve. Së bashku me masat për pyllëzime dhe luftës kundër erozionit, masat për evitimin e përmbytjeve ishin plotësuar.
Toka bujqësore ishte e sigurtë, lumenjtë lëviznin brenda shtratit. Nuk kishte asgjë ç’t’u shtoje masave për mirëmbajtjen e tokës bujqësore. Ishte një investim që vijoi mbi 30 vite për të dy fazat. Kushtoi shumë vuajtje, djersë, gjak dhe pa diskutim vlera të mëdha monetare. Bonifikimi mund të quhet një vepër monumentale që u krye edhe me punën e papaguar edhe e të të burgosurve politikë të kohës. Pati shumë të sakatuar e të vdekur. E meritojnë shtresa e të përndjekurve një memorial të lartë diku në Tërbuf dhe në Maliq. Edhe pas përfundimit të bonifikimit bujqësor kishte përmbytje, por me intensitet shumë më të ulët, por çdo 2-3 vjet kishte një përmbytje.
Në mbyllje të këtyre dukurive të përmbytjeve, dua të nënvizoj se qeveria, ministrja dhe pushtetarët vendorë, për përmbytjet duhet të punojnë 11 muaj në vit, sipas specifikave e detyrave, muajin e 12-të, zonat që përmbyten t’ia lenë Emergjencës, e cila do të ketë gjithnjë e më pak punë.
Nju Jork, nëntor 2022
Shënim:
Ky shkrim është dërguar posaçërisht për “Orakujt e Tomorrit”