Përurimi i librit “Ku po shkon pa dashuri” në Durrës, ku vura veten në provë se vërtet s’ke ku shkon pa dashuri, se dashuria nuk vjetërohet e nuk vdes në asnjë kohë

Përurimi i librit “Ku po shkon pa dashuri” në Durrës, ku vura veten në provë se vërtet s’ke ku shkon pa dashuri, se dashuria nuk vjetërohet e nuk vdes në asnjë kohë

 

Sefedin Çela

 

 

Dje dy miqtë, Naim bej Zoto, i Riu, dhe Zylyftar Hoxha, më rrëmbyen, më futën në një makinë të bardhë dhe më çuan në drejtim të ditur që një ditë më parë: në Durrës!

 

 

Nuk po e bëj dramatike e të them më “kidnapuan”, fjala jo shqip më e përdorur këto ditët e fundit tej e këtej kufirit, ku flitet shqip, sepse në këtë rast ishte rrëmbim me dashje: duket, mezi pres të më rrëmbejnë miqtë!

 

 

Në sallën “Nikolin Xhoja”, në  Pallatin e Kulturës :”Aleksandër Moisiu”, organizuar nga shoqata “Tomorri”, dega Durrës, promovohej libri im, “Ku po shkon pa dashuri”

 

Nga gjithçka ndodhi, që nga “rrëmbimi”, nga ata që kishin ardhur me këtë rast, nga ato që pashë e dëgjova, nga ato që thanë e ato që thashë, u sigurova se, të  paktën, për titullin e librit kisha qëlluar në shënjë: në çdo moshë mund të duash e të të duan, pa dashuri nuk shkon dot gjëkundi, dashur e padashur!

 

 

Më preku fjala e organizatorit e moderatorit të palodhur, Hajri Nuhu, më preku  fjala e shokut e mikut të vjetër,  Ismail Sheroku, më preku prania prej miku e doktorit  të zëmrës e personalitetit të shquar, Ajli Alushani,  që futet brënda librit dhe e lexon si  zemrën, që  ngroh e shëron zemra dhe me fjalë;

 

më emocionoi Petro Dhimitri, kolegu i hershëm i gazetës ku u rrita, ndodhur rastësisht në Durrës, sepse prej vitesh është emigrant e midis nesh e quajmë Petro Kanadezi, më riktheu 50 vjet pas në kohë, duke na kujtuar se miqësitë nuk plaken e vdesin me vite, fiken me shpirtin;

 

më preku xhesti i mikut e botuesit tim që i fali Petros një libër, edhe pse ai kishte blerë një, më prekën emocionet prej shoku nga fillorja në Qafë e Zylyftar Hoxhës, përshëndetja e dajë Bashkim Koçit, katër ditë më e ri se unë, flokët e bardhë të të cilit i shquaj që larg në pritje të ndajmë kafen e një copë rrugë bashkë çdo mëngjes;

 

më preku prania  posaçërisht e mikut tim e të familjes së motrës time, Përparim Zaimi!

 

 

U jam mirënjohës të gjithëve!

 

Tërë jetës më ka pëlqyer të shkruaj, po asnjëherë nuk kam qënë i bindur se sikur kjo të ishte zgjedhja  ime do të isha  gjëja që do  të bëja më mire

 

Kam bërë gjithë jetën atë që më është kërkuar të bëj, si gjithë moshatarët, kam besuar në atë që kam bërë, kam besuar se nuk është vetëm për të mirën time, por për të gjithë, se, mbi të gjitha, ” eja” ime ishte vendi im.

 

 

Kam bërë shumë beteja të vogla në jetë, shumë, në punë e në familje,  kam rënë e jam ringritur. Nuk i kam fituar të gjitha, po nuk jam humbës. Nuk jam dorëzuar kurrë!

 

 

Si shumë të tjerë, kam patur raste që kam kuptuar çfarë kam humbur kur i kam humbur, kjo të mban gjallë dhëmbjen, nuk të bën të keq.

 

 

Kur rrodhën vitet, kur u shtuan humbjet e dhimbjet, kur i kujton vetes se duhet të bësh deklaratën e gjallesës për të vërtetuar se je gjallë e je pensionist, për të ndjerë se ke ende një zemër,  edhe  pse askush nuk të fton për asgjë, zbulon dashurinë e hershme, të vjetër sa njerëzimi, fjalën e magjinë e saj.

 

Edhe pse nuk të thotë kush shkruaj, si nuk të thotë kush mos shkruaj!

 

 

Në epokën dixhitale e të globalizimit duket se libri e fjala, ajo që lindi si nevojë për t’u marrë vesh, sikur kanë “rënë nga fiku”.

 

 

Për më tepër, të duket sikur ka më shumë shkrimtarë se votues. Ndërkohë fjala e lirë duket si fjalë e shqyer, që vret, si në ato kryqëzimet pa semafor as të gjelbër as të kuq!

 

U ndjeva i pasigurt edhe në këtë dashuri:  e respektoj lirinë e fjalës si një të drejtë që nuk cënon lirinë e privacinë e tjetrit.

 

Iu drejtova  me zemër në dorë një rrethi të ngushtë miqsh të vjetër ose të rinj, virtualë.

 

 

Iu drejtova  në vetën e parë, duke rrëfyer çfarë kam dashur e nuk kam dashur në jetë, çfarë kam bërë , çfarë më është dashur të bëj e si e kam bërë. Me sinqeritet fëmije, them  si të atij çunakut të sapo dalë nga periferia. Vura veten në provë!

 

 

Në këto kohë sinqeritetin një fije e hollë e ndan nga keqkuptimi fatal e nga budallallku: i thuaj vetes mos ke mbetur pas në kohë, mos je nga një planet tjetër, mos je UFO!?

 

Miqtë e mij në fb, ish studentë, nga ata e ato që e kanë dhunti fjalën, që  besojnë te magjia e liria e saj, që kanë shkruar libra, që kanë bërë emër me librat e tyre,  më inkurajuan, më bënë të besoj se nuk jam kthyer pas në kohë, se edhe ata besojnë e duan si unë!

 

 

Më thoshin se mirë do të ishte t’i shihnin e zeza mbi të bardhë në një libër!

 

 

Këtë më thoshte çdo ditë edhe Bashkim Koçi deri sa i ftohej kafja.

 

 

Këtë magji më bëri Naim  Zoto, prej Nikollare, prej dere të mirë, fare afër Frashërit të atij Naimit tjetër, Beut të madh!

 

 

Edhe ata që më pritën në Durrës, që bënë këmbë e erdhën e me ato që thanë, më bënë të besoj se pa dashuri nuk ke ku shkon, se duhet të duash të të duan, se kjo nuk vjetërohet e nuk vdes në asnjë kohë, se t’a thuash këtë nuk je UFO!

 

 

Ju falenderoj që më besoni e që ngjajmë dhe nga zemra!

 

 

17 qershor 2023