Petro Marko, shkrimtari që u këndoi të gjallëve, të vdekurve dhe atyre që s’kanë lindur akoma

Petro Marko, shkrimtari që u këndoi të gjallëve, të vdekurve dhe atyre që s’kanë lindur akoma

 

Luman Caka

Shkrimtari Petro Marko, njeriu i lindur për të qenë vërtet “inxhinier i shpirtrave njerëzorë” ka qenë dhe mbeti për mua, miku, mësuesi dhe njeriu më i dashur, pas prindërve të mi. Nëse për Nolin e pavdekshëm është thënë dhe shkruar se pa të, kulturës dhe letërsisë sonë do t’i mungonte një gjymtyrë, për Petro markon mund të thuhet me gojën plot se, mozaiku i letërsisë shqipe, tej e këtej kufirit, pa Petro Markon, nuk do të ishte i plotë dhe aq i bukur.

 

Jo vetëm në emrin tim dhe të familjes time, por edhe në emër të shokëve dhe të shoqeve të shkollës, di dhe miqve të shumtë që ai kishte në Skrapar, i falem kujtimit të tij të ndritur.

 

***

Figura dhe vepra e Petro Markos nuk mund të jenë të plota pa përmendur, sadopak, Petro Markon-mësues, sidomos në shkollën pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka ku ai dha mësimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.

 

Kjo shkollë u hap në Plazh-Durrës, në ish-kazermat e ushtrisë që shërbenin edhe për kampin e fëmijëve “Qemal Stafa” në shtator të vitit 1951.

 

Shkolla hiqte dhe vuante nga çdo anë, për shkak të varfërisë. Nuk qenë të paktë ata që e braktisën. Vuanim për bukën e misrit. Një ditë përpara derës së mensës, qe ulur këmbëkryq, veshur me brekushe copë e çikë, një djalë nga Mirdita me emrin Ndrecë. “Asha Zotin he, burra, unë me pas bukë boll, boll mësoj”, bërtiste djali i gjorë.

 

Në vitin 1950 vendin e kishte pushtuar zija e bukës dhe shteti kishte probleme të mëdha. Megjithatë, vitin e dytë, na veshën me kostume. Por duhet të theksoj me forcë se tërë trupi pedagogjik, me në krye të paharruarin Iljaz Bejko Sevranin, ishin si të zgjedhur me dorë, njëri më i mirë se tjetri. Ata ishin prindërit, pastaj mësuesit dhe edukatorët tanë. Ndjej një mall e respekt të veçantë për secilin prej tyre si dhe një keqardhje që askush, cilido qoftë nuk u bë i gjallë të shkruante për ta. Pedagogjiken “Ndrec Ndue Gjoka” të atyre viteve e mbajtën më këmbë mësueset dhe mësuesit e paharruar, mësues të vërtetë, të dashur e të shtrenjtë si ata.

 

***

Vitin e tretë shkollën e transferuan në Tiranë, por përsëri në kazerma, në kazermat e Ali Rizajt. Këtu u grumbulluan disa shkolla të mesme profesionale, që morën emrin “Teknikumete Bashkuara” dhe më pas “Qyteti i Nxënësve” me drejtor të Përgjithshëm, gjirokastriten e mirënjohur Siri Shapllo.

 

Këtu, në pedagogjike erdhi mësues i gjuhës dhe i letërsisë në shtator 1953, i paharruari Petro Marko. Drejtor patëm Shefik Osmanin nga Shkodra dhe mësues me emër si Lirak Dodbiba, Aneta Kristidhi, Kolë Xhumari, Urti Çani, Lumnie Shehetila etj. etj.

 

Klasa ime kishte 48 nxënës. Të gjithë fshatrat e pedagogjikes ishin nga rrethet malorë, sidomos nga Mirdita, Dibra, Mati,  Tropoja, Tepelena, Përmeti, Gramshi, Skrapari, Mallakastra etj. Çuditem sot, si ishte e mundur që nxënësit, gjatë katër vjetëve, në asnjë pushim nuk dilnin pa marrë librat në duar. Po edhe në konviktin-kazermë binim të flinim me librin te koka.

 

Ka qenë fati ynë i madh që patëm mësues Petro Markon me shokë e shoqe si ai. Po ç’mund të shkruaj më parë për luftëtarin Spanjës, mësuesin e dashur dhe shkrimtarin tim të zgjedhur!?…

 

***

Zemra e ngrohtë dhe e gjerë e Petro Markos kishte vend për çdo nxënës dhe njeri të mirë. Mesa duket, Zoica me Markon, kanë qenë me nge e kanë lënë mënjanë çdo punë tjetër, kur vendosën të lindnin një djalë të tillë, i cili, kur të bëhej burrë, do të nderonte jo vetëm “Fshatin më të bukur të botës”, por mbarë krahinën dhe Shqipërinë.

 

Mësuesi ynë i dashur, përpara se të ishte mësues e shkrimtar, ishte njeri. Nuk e kemi parë asnjëherë të mërzitur apo të zymtë. Asnjëherë nuk nxori nga goja një fjalë të pakontrolluar. Asnjëherë nuk u nervozua kur ne shkelnim rregullat apo thyenim disiplinën. Duronte shumë, si ai, edhe kur i digjej kraharori. Kur vinte ora e hartimit unë gëzoja, sa nuk fluturoja. Mbaj mend temën” “Nuk jemi një milion, por jemi nëntëqind milionë”. Pasi na dha udhëzimet e rastit, pastaj u ul në karrige dhe na vuri të shkruanim. Ra zilja dhe ora e parë mbaroi pa e nxirë fletën. Filloi ora e dytë. Vendosa ta bëja në poezi, se nuk kisha se çfarë të bëja tjetër…

 

Dy javë me radhë prita plot ankth e frikë orën e korrigjimit. Kur erdhi dita, ai hyri në klasë me fletoret nën sqetull. Na foli shkurt për trajtimin e temës. Mua nuk më mbante banka. Në moment thirri emrin tim të dilja para klasës. Dola, po si dola! Më dha hartimin tim ta lexoja. Klasa u shkul së qeshuri. “Do t’i kisha vënë dysh se ka dalë nga tema, por i kam vënë katër plus për guximin” – tha profesori. Mua më shkriu gjaku dhe u ula në bankë, qull nga djersa.

 

Se ç’ishte metrika dhe teoria e letërsisë, do ta mësoja shumë vite më vonë. Në vitin e fundit të shkollës, në maj të vitit 1955, shpura në sallën e mësuesve një fletore, ku, mësuesit të shënonin porositë e tyre për detyrën që më priste. Pas dy javësh shkova mora fletoren. Kishin shkruar vetëm tre: Petro Marko, Lirak Dodbiba dhe Mahmudie Alimehmeti.

 

“Porositë e Petro Markos ishin këto: Formo një bibliotekë personale. Bashkëpuno me shtypin. Mbaj ditar për punën në shkollë dhe gjërat e ndryshme. Lexo letërsinë e rilindjes, lexoje gjithnjë. Të uroj të jesh korrekt, se korrektësia dallon njerëzit e vërtetë nga të tjerët. Petro Marko”

 

***

Rrallë e shkurt tregonte barsoleta dhe anekdota, sidomos për Ahmet Zogun dhe Frankon, të cilët i urrente pa masë. Po, ndërsa ne ishim kureshtarë për krijimtarinë e tij dhe sidomos për Luftën e Spanjës, ai nuk fliste për vete. Edhe disa fjalë dhe shprehje spanjisht, si “Viva Vita” (Rroftë Jeta), “Adelante kamaradas” (Përpara shokë), “Hasta la vista” (Mirupafshim) etj. i mësuam dy-tre vite më vonë se të botohej romani “Hasta la vista”.

 

Sa e sa herë jam takuar me profesorin tim, edhe pse isha kureshtar, isha fort i kursyer për t’i bërë pyetje. Mbase dikush nuk mund të besojë që kurrë s’e pyeta për autorin e poemës “Adelante Kamarades”, edhe pse ajo qe botuar që në korrik-gusht të vitit 1959 me librin e tij antologjik “Lufta e Spanjës”. Që autori i poemës ishte legjendari Mehmet Shehu, unë e mësova shumë vonë nga Safoja. Kjo poemë e bukur me 30 strofa, me vargje 16-rrokësh, është ligjërimi vajtimtar për epopenë spanjolle.

Afro gjashtë vite pas maturës, në festën çlirimit të Skraparit, më 5 Shtator 1961, jemi takuar në Çorovodë. Por çdo vit kemi këmbyer kartolina urimi, dhe unë mezi prisja të vinte dhjetori. Petro Markoja më kishte rrëmbyer si ndonjë magjistar dhe më kishte bërë për vete. Dhe unë ndjehesha i lumtura, i gëzuar dhe i privilegjuar.

Por mësuesin tonë të paharruar e donin të gjithë bashkënxënësit e mi, ashtu siç i donte ai. Unë isha dhe mbeta vetëm njëri prej tyre.

 

***

E ndjej të nevojshme të vë në dukje, se Petro Markoja me kolegë në pedagogjiken “Ndrec Ndue Gjoka”, na mësuan, na edukuan, na kalitën për jetën duke punuar me pasion dhe dashuri sikur të ishim engjëj e fëmijët e tyre. Ishin të jashtëzakonshëm.

 

Nderim e respekt të thellë, pa anë e pa fund për ata mësues të papërsëritshëm, të gjallë e të vdekur! Nderim e respekt për Petro Markon, Bedri Dedjan, Gjergj Zhein, Iljaz Bejok Sevranin, Nos Topallin, Shefik Osmanin, Lirak Dodbibën, Kolë Xhumarin, Lumnie Shehtilën, Agapi Shuteriqin, Aneta Kristidhin, Aglli Hariton, Urti Çanin, Sotir Manin, Sabri Tuçin, Vasil Dhimitrukën, Hamit Mnerin, Pëllumb Gjebrenë, Dilaver Carën etj. etj.

 

Ishin këta me shokë e shoqe që punuan me ndërgjegje, me pasion e dashuri dhe përgatitën kontingjente të tëra nxënësish dhe furnizuan me mësues të rinj me qindra shkolla të Shqipërisë. Kanë qënë nxënës të tyre gjithë ata që u bënë kuadro me emër.

 

Disa prej tyre ishin, Mësuesi i Popullit, shoku im i klasës, Ndue Jak Pjetri nga Puka; akademiku nga Oroshi i Mirditës, profesori Mark Tirtja; Hekuran Zaimi nga Gramshi; Mexhit Prençi, Qazim Xhelili, Myslim Koka e Sali Ajazi nga Dibra, Tom Lleshi nga Mirdita; Hasan Dalti nga Mati; Haki Zllami nga Tropoja; Pëllumb Bejko nga Skrapari; Dehar Çela nga Pogradeci; Trifon Dafa nga Përmeti; Preng Cub Lleshi nga Rrësheni etj.

Petro Marko, mësues dhe shkrimtar i dashur, ishte mburrja dhe krenaria e kësaj shkolle.

 

Intimitete dhe sekrete

 

Erdhi në Çorovodë në tetor-nëntor 1970. Ishte i lodhur dhe i shqetësuar. Udhëtoi në disa fshatra. Shkoi në Gjerbës dhe u ngjit në Qafën e Kulmakut, ku u xhirua edhe një dokumentar i Endri Kekos. Në Potom erdhi natën, pa njoftim. E gjeta në krevat në hotel. Qe ftohur, ishte veshur hollë. Të nesërmen zhvesha pardesynë time dhe ia dhashë. E veshi dhe i rrinte për bukuri.

 

Një ditë vajtëm në Backë, bëri një bisedë me nxënësit dhe mësuesit, ku drejtor ishte Miti Stoja nga Vithkuqi. Teki Bibollari, kryetar i kooperativës, shtroi një drekë. E mbytën me pyetje.

Në Skrapar dhe nga Skrapari ai kishte shumë miq, shokë e të njohur, si Riza Cerovën, Zylyftar Veleshnjen, Mane Nishovën, Kahreman Yllin, Hysen e Mojsi Zaloshnjen, Tajar Grepckën e Teki Malindin, Novruz Grevën, Xhevahir Spahiun etj.

Nga bisedat me të në Potom, kur e mora në shtëpi për drekë, mbaj mend të më thoshte: “Ik që këtej, sa më parë, je tepër i izoluar. Këtu s’ka ç’bën as perëndia, jo më partia. Do t’i theme dhe Teki Malindit, se ju, skraparllinjtë, e ndërtoni socializmin vetëm”…

 

“Profesor, ju të dy me Safon jeni si një çift pëllumbash”, i thashë. Qeshi, pastaj më tha: Që fëmijët të bëhen të mirë, duhet të jenë më tepër se dy të konkurrojnë”…

 

Në një mbledhje në bibliotekën e Çorovodës më dha dekoratën “Naim Frashëri”, akorduar me propozim të kryeredaktorit të revistës “Hosteni”, fisnikut, Andrea Grashi.

E kam ndjekur hapa pas hapi krijimtarinë e tij letrare. Baskë me të jam gëzuar e shqetësuar dhe unë. I kam shkruar letra dhe kartolina plot dashuri.

 

Pas botimit të romanit “Nata e Ustikës” i dërgova letrën që Xhevahir Spahiu e botoi tek “Drita”.

Ja një pjesë e saj:

 

“I dashur profesor!

Qofsh i lumtur e plot shëndet për të realizuar punët e mira që ke përpara. Sa mbarova së lexuari “Nata e Ustikës” – një prozë e përsosur poetike, kulmi i tërë krijimtarisë suaj artistike. Këngë dhe monument për njerëz të pamposhtur…Një roman që duhej shkruar 30 e ca vite më parë…

Çuditem si e ka mbajtur gjoksi juaj të kyçur brenda shpirtit një tragjedi të tillë për gjysmë shekulli me radhë!…

Të lumtë dora dhe të këndoftë zemra pa pushim! Rrofsh sa të kesh dëshirë!

U përqafoj me mall!

Luman Caka

 

 

Ja tani edhe kartolina e fundit që më ka dërguar para se të shkonte e të binte në gjumin e përjetshëm në Dhërmi:

I dashur Luman, bashkë me Elin dhe fëmijët.

Ju kujtoj me shumë mall. Je i pari që po të shkruaj pas katër muajsh sëmundje. Tani jam pakëz më mirë.

Të falënderoj ty dhe Enverin që më kujtoni. 

Nipi im, Stavri Marko, ju falënderon shumë.

Safua dhe fëmijët e mi ju përqafojnë bashkë me mua.

Me dashuri

Yti

Petro Marko

P.M. Bulevardi “Stalin” P. 61, Tel: 24 395