Pika turistike e Kapinovës së Beratit, jo vetëm si kujtim i së kaluarës, por tashmë edhe si një realitet i bukur   

 Pika turistike e Kapinovës së Beratit, jo vetëm si kujtim i së kaluarës, por tashmë edhe si një realitet i bukur   

Pika turistike e Kapinovës ka qenë një nga pikat turistike në kohën e socializmit   më të frekuentuara nga fëmijë dhe të rritur të zonës së Beratit dhe më tej, të të gjithë vendit.

 

 

Kishte mjedise të mrekullueshme akomoduese me kapacitet prej 80 -100 personash në ditë.

 

 

Pika turistike në ato vite gjallëroi jetën e të gjithë fshatit. Dimër verë nuk kishte ditë të mos vinin ekskursionistë, aq sa shumë prej tyre, me qenë se s’kishte vende në godinat e ngritura posaçërisht, ngrinin kampingje me çadra në lëndinën përreth.

 

Të gjithë ata që vinin aty mrekulloheshin nga natyra e bukur e malit të Tomorrit, kur ngjiteshin nga Zëndani, Rripa e Kuqe, Vitalemi, Kulmaku, apo Shtegu i Jaupit drejt Çukës Partizan 2417 m mbi nivelin e detit.

 

 

Kishte kuzhinë, por kur kishte shumë njerëz vihej në veprim mensa e kooperativës dhe bujaria e banorëve të këtij fshati që nuk mendonin për fitim, por vetëm donin të nderoheshin.

 

 

Kush ka vajtur në Kapinovë në ato vite ka ndjerë miqësinë, respektin dhe dashurinë e sinqertë të banorëve të këtij fshati, por edhe të të gjithë Nahijes së Tomorrit.

 

Ekipet sportive apo ekskursionistët, krahas aktiviteteve të planifikuara, bënin takime me kooperativistë, bënin mbrëmje, jepnin shfaqe teatrale, bënin vizita në muze, ndërmerrnin aksione në ndihmë të bujqësisë të pastërtisë të fshatit etj.

 

 

Tani sporti i alpinizmit është venitur fare, por në atë kohë bënin 5-6 ngjitje në vit ekipe të organizuara, ku bënin pjesë alpinistë të shquar si Petraq Kule, Vangjel Melengu, Aleksandër Bojaxhi, Koço Balloma, Vangjel Ristani, Kostandin Samsuri, Taxhedin Shehu, Koçi Makina, Vullnet Zylyftari e shumë e shumë të tjerë.

 

 

 

Sa qe aktive kjo pikë, mund të kenë ardhur mbi 70 ekipe sportive, 120 ndërmarrje e shkolla, janë zhvilluar me dhjetëra zbore dhe veprimtari artistike nga e gjithë Shqipëria, rrethet e afërta po e po, por edhe nga Peshkopia, Kukësi, Shkodra, Tirana, Durrësi, Gjirokastra, Korça etj.

 

 

Fatkeqësisht, si dhe shumë gjërave të tjera, pas vitit 1990, edhe pikës turistike të Kapinovës i erdhi një fund i keq. Ajo u prish dhe u shkatërrua.

 

Por këto ditë nga deputeti i zonës, Fadil Nasufi erdhi lajmi vëtet i bukur, se kjo zonë po rizgjohet. Është në përfundim ndërtimi i një kompleksi rezidencial turistik.

 

Së shpejti fillon edhe akomodimi i turistëve në të.

 

 

Do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm që gjatë verës shijon freskinë, aromën e pishave dhe ushqimin bio të këtij fshati mikpritës, ndërsa në dimër bardhësia e borës do ta bëjë shumë të lakmuar frekuentimin e këtij kompleksi

 

 

Kapinova, Ballkoni i Tomorrit, do të jet ëdestinacioni i parë që do të frekuentohet intensivisht dhe sinjali se këto modele shtëpish alpine dhe kompleksesh turistike do të jenë e ardhmja e investimeve në Kapinovë, Lybeshë, Tomorr, Dardhë etj. (Orakulli i Tomorrit)