Piktura e Sulejman Përrenjasit, një pikturë që “rri mirë” kudo
Zylyftar Hoxha
Ai gëzon shëndetin dhe energjinë e një djaloshi, megjithëse mbi supe mban peshën e mbi 85 viteve.
Sekreti: puna, pasioni dhe, mbi të gjitha, ngutja për të plotësuar diçka nga vitet që i kanë shkuar dëm. Kjo është në pak fjalë jeta e piktorit Sulejman Prenjasit, një jetë intensive krijuese.
Ai gëzon shëndetin dhe energjinë e një djaloshi, megjithëse mbi supe mban peshën e 80 vjetëve. Sekreti: puna, pasioni dhe, mbi të gjitha, ngutja për të plotësuar diçka nga vitet që i kanë shkuar dëm. Kjo është në pak fjalë jeta e piktorit Sulejman Përrenjasit, një jetë intensive krijuese.
U lind në Përrenjas të Skraparit më 4 janar 1935. S’kaloi shumë, kur ishte vetëm tre vjeç prindërit e hipën në samarin e një kali mes plaçkave të shtëpisë dhe morën rrugën drejt Qafës së Martës, për t’u vendosur familjarisht në Lubonjë të Korçës.
Ka qenë një fëmijë i jashtëzakonshëm dhe interesant. Që 5 vjeç, duke marrë kontaktin e parë vizual me bukuritë e natyrës së këtyre viseve, prindërit zbuluan te ai shkëndija talenti dhe një dëshirë për pikturën dhe artin në përgjithësi. Këtu, në Lubonjë ai lidhi jetën me imazhet e relieveve dhe ngjyrave të fshatit. Këtu për herë të parë ai pa reflekset rrezëllitëse të diellit, të luleve dhe të qiellit, që nuk do t’i harrojë kurrë.
Botën e pikturës e pa dhe zbuloi në kishën e fshatit, që u bë shkolla e parë e pikturës së tij Këtë pjesë të hershme të jetës së tij ai e ka përjetësuar me një pikturë të bukur, ku ai kundron me vëmendje pikturat dhe ikonat e kishës.
Në rininë e hershme arrin jo vetëm të pikturojë, por edhe të japë mësime vizatimi në klasat e ulëta të shkollës unike të Qafëzezit të Kolonjës. Krahas pikturës, Sulejmani në atë kohë shkruan poezi, merret edhe me teatër si amator. Gjatë viteve në atë mjedis fshati ai krijon një bibliotekë të larmishme me libra arti dhe letrare të vendit dhe të huaja nga më të ndryshmet, që i shërbyen për të mësuar sekretet e pikturimit.
Krahas shkollës nuk shkëputet nga punët në bujqësi, në gjeologji e një sërë specialitetesh, që e lidhën fort me natyrën dhe me jetën në tërësi, duke i shërbyer edhe në rritjen si piktor. Por në vitin, kur punonte në hidrocentralin e Gjançit si elektricist, për një defekt të rëndë jo për faj të tij, dënohet me burg, por për shkak të moshës së vogël i shpëton dënimit.
Më pas shkon ushtar dhe pas mbarimit të ushtrisë nuk kthehet më në Lubonjë. Më 1957 vjen familjarisht në Tiranë. Krahas punëve në ndërtim si elektricist ai bën shumë miq në rrethe artistësh.
Mbasi mbaron shkollën e mesme natën, frekuenton studio të mjeshtërve të penelit, duke menduar se një ditë do të ngrejë edhe të vetën në lartësitë e tyre. Në këto rrethe artistësh ai kujton me dashamirësi profesor Sali Shijakun, N. Zaimin, Sekretarin e atëhershëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Foto Stamon, piktorin Kujtim Buza etj.
I inkurajuar nga këta miq, disa herë provoi konkursin për në Institutin e Lartë të Artit, por s’u bë për mbarë. Nuk mbaroi as liceun dhe as Akademinë e Arteve. Fati nuk deshi, por kjo nuk e pengoi ne rrugën e tij të pasionit, vazhdon pranë Pallatit të Kulturës dy vjet specializim me profesor piktorin Myzafer Dikën. Nuk e lëshoi penelin nga dora.
Falë karakterit dhe vullnetit të tij të fortë zotëroi profesionalizëm dhe pasuri didaktike që nuk do t’ia jepte shkolla e Lartë e Arteve. Pasioni e ka bërë ka bërë tashmë punën e vet. Vetëm në pikturë zemra e tij gjen prehje dhe qetësi.
Dhe ja, pas kaq dekadash, ëndrra vjen e bëhet realitet. Pas më shumë se 40 vjetësh pune të heshtur dhe të panjohur, njerëzit artdashës shikojnë forcën dhe vrullin e talentit të këtij artisti që ka ndjekur intuitën e tij në një pikturë post kubiste naive, ku fantazia dhe gjetjet origjinale shfaqen të freskëta dhe befasuese. Me punën e akumuluar, skicat e vizatimet e dikurshme tashmë të kthyera në tablo, ai u bë pjesëmarrës i rregullt i ekspozitave kolektive në shkallë kombëtare duke filluar nga viti 1970 e këtej.
Ikja e fëmijëve në emigracion, bëri që edhe ai të lëvizë, të shkojë te ata. Madje aty ai “guxon” dhe hap një ekspozitë me temë të ditës, që ishin shpresat dhe brengat e shqiptarëve për një jetë më të mirë. Është galeria e arteve “Bratsor” në Milano ajo që i bën ftesën e parë. Mbresat e derdhura në disa nga pikturat e tij lënë pa mend vizitorët që shikojnë një lloj pikture të çuditshme, të cilën nuk dije ku ta klasifikoje.
Fati e bëri të vetin. Piktori takon në Milano të madhin e famshëm, Ibrahim Kodra. Kodra entuziazmohet nga puna e tij, duke shpërthyer në një bravo të madhe për piktorin e sapozbuluar nga Shqipëria, duke thirrur: “Ja ku e kemi Shqipërinë”!…
Duket sikur rruga e suksesit është hapur dhe Sulejman Përrenjasi i vijnë ftesa për të hapur ekspozita të tjera me punët e tij në Itali. Tashmë ai ka një galeri të tërë veprash që shquhen për mesazhin që mbartin, dhe temën që kapin. Me individualitetin e vetë të papërsëritshëm në pikturën shqiptare, Përrenjasi pranohet me të drejta të plota anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Milanos.
Pas një ekspozite të paradokohëve në Itali, ekspozitat më të fundit të Përrenjasit janë në Korçë, në Shtyllë të Vakëfeve, ku dhe ka kaluar rininë e tij, një ekspozitë në Skrapar, me tema të marra nga kjo trevë etj. Ndërsa sadisfaksioni i më i fundit, që, natyrisht, e ka gëzuar piktorin, është pranimi i tij në anëtarit të Akademisë Evropiane të Artit, seksioni shqip.
Një pikturë që “rri mirë” kudo
Tashmë ai ka një galeri të tërë veprash që shquhen për mesazhin që mbartin, dhe temën që kapin. Me individualitetin e vetë të papërsëritshëm në pikturën shqiptare, Përrenjasi pranohet me të drejta të plota anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Milanos.
Mbresat e derdhura në disa nga pikturat e tij lënë pa mend vizitorët që shikojnë një lloj pikture të çuditshme, të cilën nuk dije ku ta klasifikoje. Të gjithë janë të emocionuar me këtë pikturë naiviste, plot gjetje dhe ngjyra.
Një pikturë që rri me dinjitet në çdo muze të botës, do të thoshte një kolegu i tij italian.
Kolegë italianë dhe shqiptarë për piktorin:
“Është një pikturë që na prezanton një mbireale poetike dhe do të tregojë gjurmët e një populli që ka kaluar gjithë historinë e vetë për fitimin e lirisë së tij. Shqipërinë e këtyre viteve e kemi këtu, në ekspozitë”.
Ibrahim Kodra
“Lumturohem kur shoh telajot shqiptare të shkëlqyera në Brakson. Shumë interesante, ekspresive, ngjyra të theksuara dhe origjinalitet i habitshëm në komunikim me jetën dhe natyrën shqiptare”.
Madeleine, piktor laureat Italian
“Shoh një Mesen Gustozë që përjeton Guston e Ronssen + Chagall + Margaritte, me pak Esder dhe dy fletë të Jeronimus Boxhi. E gjithë kjo kënaq në mënyrë të mrekullueshme urinë e shpirtit”.
Miro Kapitano, Poet
“Sulejman Përrenjasi nuk vjen nga akademitë e artit, rryma e tij është vetvetja e pastër dhe e papërlyer.
Skënder Kamberi, piktor
“Piktura e tij hedh me ngjyra të vërtetën e dhimbshme të popullit të vet. Jam i lumtur që shoh te ju punimet me ngjyra fantastike dhe drite të fuqishme, që tregon me shpirt të ardhmen e Shqipërisë”.
Loeluka Orlando, Profesor
“Ju uroj zoti mjeshtër, jeni shpërthyes në ngjyra. Kini pikturuar me ngjyrë dhe dritë aq bukur sa na befasuat. Paç fat!”
Daniel Juri, Poet
“Një mesazh i pa përsëritshëm i jetës së gjallë, të shkruar me penel. Na jep një lumturi oksidentale”.
Fisella Kasini
“Përrenjasi ndjen dhimbje për popullin e vetë, kuadrot pikturore japin gjithë dramën e popullit shqiptar”.
Gazeta “Corriere del Mezzogiorno”
“Përrenjasi bie pikturën e bukur e të veçantë shqiptare nga një penel që jetën e merr nga jeta e sotme atje. Punimet kanë forcë të madhe ekspresive, janë mbushur me alegori dhe poezi”.
Gazeta siciliane “Palermo”
“Sulejman Prrenjësi është një nga ata piktorë naiv që ka kapur vërtet suksesin. Të tillë piktorë japin pjesën e tyre të paprishur, të vërtetë, të sinqertë. Këta lloj piktorësh kanë bërë emër në historinë botërore të artit”.
Gazmend Leka, Piktor
Veprat
260 punime në teknikën e vajit, 45 prej të cilave ndodhen në pronësi të koleksionistëve të artit në Shqipëri, shumica në Itali, Suedi, Zvicër etj. Punimet e Sulejmanit janë paraqitur në 24 ekspozita, 6 në Shqipëri dhe të tjerat jashtë, në Itali. 17 nga këto ekspozita janë personale dhe janë prezantuar nga personalitete të shquara të artit italian si, Ibrahim Kodra, Eti, Magdalena, Miro Kalari, Ana Oxa etj. Rrethet artistike dhe shtypi i huaj kanë qenë të ndjeshme duke shprehur konsiderata të veçanta për krijimtarinë e piktorit tonë.
Dokumentari “Një jetë me dashuri për pikturën”
Ky është titulli i një filmi dokumentar i realizuar këto kohët e fundit, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së anëtarit të Akademisë Evropiane të Pikturës, piktorit Sulejman Përrenjasi. Filmi është realizuar nga regjisori Kristaq Janushi, me zë të Agim Xhekës dhe skenar e tekst të Petrit Rukës.
Në film evokohet jeta e piktorit që nga fëmijëria e deri më sot që ai është 80 vjeç, një rrugëtim interesant me pikturën që ai e mbajti të fshehtë për mëse 40 vjet, por që kur e nxori, e nxori si një shpërthim vullkanik.
Në film Sulejmani, si gjatë gjithë jetës së tij, u kthehet jo vetëm mbresave të fëmijërisë, por ngre edhe një fole verimi, një shtëpi në Shtyllë të Korçës, në trojet e dajave të tij me emër. Filmi sjell emocione të takimit të artistit me shumë shokë të fëmijërisë në rrënjët e fshatit Lubonjë në rrethin e Korçës.
Shënim:
Ky shkrim është botuar edhe në gazetën DITA