Pishat e hotel “Dajtit” janë mbjellë disa ditë pas Çlirimit dhe Parku “Rinia është bërë brenda një dite!?…
Enveriste, marksiste, leniniste apo staliniste, ne s’na duhet gjë, sidoqoftë, pishat për të cilat shkruan Shefqet Musaraj, janë atje, para Hotel Dajtit, tashmë të plota, të mbushura, të larta, madje…edhe krenare!…
Kanë kaluar shumë vite, aq shumë sa dhe pak vetë e dinë se pishat përpara hotel “Dajtit” numërojnë pak a shumë vitet e Çlirimit.
U mbollën disa kohë pas 29 Nëntorit 1944 me fidanë të vegjël, sipas një plani të studiuar mirë nga pikëpamja e simetrisë dhe e agroteknikës. Dhe kjo punë me specialistë e punëtorë, kushtoi plot 6000 franga, që janë baraz me 30 000 lekë të sotme.

Ishte vërtet paradoksale të shpenzoje kaq të holla për “një luks të tillë, në një kohë kur Tirana, si gjithë Shqipëria, kishte një mijë halle: hallin e shtëpive të djegura, të rrugëve që ishin zënë nga gërmadhat ose të shtyllave të rrëzuara e telefonit e të elektrikut, pa përmendur hallin e bukës e e veshmbathjes, të druve të zjarrit dhe të mjeteve të komunikacionit, që mungonin fare.
Po kush e sjell këtë lajm?!
E sjell shkrimtari i njohur, Shefqet Musaraj, i cili në gazetën “Mësuesi”, të datës 24. 11. 1961, shkruan se veç pishave në atë kohë është bërë edhe Parku Rinia.
Ja si shkruan Musaraj:
Tamam në atë vit, qe ishte edhe viti i pestë i Çlirimit, ndodhi një gjë e papritur: Më 29 Nëntor 1949, në mëngjes, u dëgjua aty, kundruall hotel «Dajtit», një shushurimë e madhe gjethesh e drurësh, që i përngjante shushurimës së pyjeve. Pas shushurimës, ja edhe jehona e thirrjeve dhe e brohoritjeve të gëzuara të mijëra njerëzve, që kalonin grumbuj-grumbuj asaj ane.
Njerëzit qëndronin nga pak, thërrisnin, qeshnin dhe shfaqnin habinë e tyre për diçka që zinte syri për herë të parë, për diçka që nuk ua merrte mendja të realizohej, ashtu siç po e shikonin me sytë e tyre, të realizuar brenda një nate me punë vullnetare.

Pishat e hotel «Dajtit», si të zgjuara para kohe nga një gjumë i këndshëm, ngritën kryet, si zakonisht, krenare, e shikuan se si mbi sheshin dikur të zhveshur të Shallvares, për çudi, bleronte tani një pyll madhështor eukaliptesh, plepash e akacjesh që, aty-këtu, ua kalonin në lartësi pishave pesëvjeçare!
Unë shikoja, gjithashtu i mahnitur, herë parkun e porsalindur me drurë aq të rritur, herë pishat e dikurshme dhe me dukej sikur këto nuk e kishin më atë krenarinë e zakonshme, sikur afronin kokën me njëra-tjetrën e bisedonin të shqetësuara.
– Ç’është kështu, moj motrani? Ndofta është ëndërr.
– Ëndërr, patjetër. Si mund të jetë e vërtetë?!…
Po u ngrys e u gdhi, shkuan ditë e javë dhe prapë karshi pishave bleronte pylli i madh me eukalipte, plepa e akacje.
Po jo vetëm këtu para hotel “Dajtit, por kudo në Tiranë sheshet e zhveshura e arat djerrë të Tiranës u rrethuan në kopshte me lule e godina moderne, me rrugë të asfaltuara e drita neon; lugina të tëra të Shqipërisë u kthyen në liqene dhe shume liqene e këneta, në fusha me grurë dhe pambuk; fshatrat dhe qytetet e reja industriale ndoqën çakallin e bretkosën nga foletë shekullore dhe ujku i trembur mezi gjen limer tani në pyjet malore, ku kalojnë rrugët e reja automobilistike dhe shtyllat e tensionit të lartë.
Ne mburremi për shpejtësinë rrufe, dikur të pandërrueshme, me të cilën u arrit ky zhvillim që shohim, pas kaq vjetëve të Çlirimit. Mburremi, po nuk na rritet mendja, sepse e dimë që ky është ligji i zhvillimit pa ndërprerje!… ”, përfundon shkrimin shkrimtari Shefqet Musaraj.
***
Enveriste, marksiste, leniniste apo staliniste, ne s’na duhet gjë, sidoqoftë, pishat për të cilat shkruan Shefqet Musaraj, janë atje, para Hotel Dajtit, tashmë të plota, të mbushura, të larta, madje…edhe krenare!…
##”Orakujt…”#
