Plaga e një kohe

Plaga e një kohe

 

 Belul Kryemadhi 

 

Qaniu ishte një burrë shtat madh, paksa dukej si tepër i vrazhdë në biseda me të, me një sy të aksidentuar, ku ai mbi të i kishte vendosur një llastik me rrip të lidhur rreth kokës, aq sa në pamjen e parë të jepte përshtypjen e një njeriu të frikshëm, ai kishte ditë që punonte në brigadën e ndërtimit, por unë asnjëherë nuk kisha pyetur se nga ishte, e si ishte historia e jetës së tij.

 

Ishte viti i ri, të gjithë punëtorët ishin larguar nëpër shtëpitë e veta e për t’u rikthyer pas festës në datën tre pasi të kishte kaluar festa tradicionale që festohej çdo vit në çdo familje shqiptare.

 

 

Në datën 2 janar unë mbërrita i pari në sektor, asnjë njeri nuk pashë përveç rojes së sektorit. Roja më tha se ende s’kishte ardhur asnjë nga punëtorët. Në dhomë ke Xha Qaniun, nëse do të kalosh kohën shko e bëji shoqëri Xha Qaniut.

 

Kur shkova te dhoma ku ishte Qaniu vura re se ai ishte vetëm, shtrirë mbi krevat. Si je, Xha Qani, e përshëndeta unë, mirë se vjen o djalë, u përgjigj ai. Hajde ulu, tha ai.

 

 

Meqë në dhomën time nuk kisha asnjë nga shokët e mi, unë vendosa të kaloja disa çaste duke biseduar me Xha Qaniun.

 

Kështu, për shkak të moshës së madhe në krahasim me ne të gjithë të rinjtë, e thërrisnim Xha Qani. Edhe gjatë punës të gjithë e përkrahnin dhe e ndihmonim duke mos i dhënë punët më të rënda.

 

Xha Qani, pse nuk ke shkuar në shtëpi? e pyeta unë. Ai më pa në sy e tha: Po unë s’kam shtëpi. S’ke shtëpi? e pyeta unë duke qeshur. Çfarë thua, ku ka njeri të mos ketë shtëpi, sidomos ju që keni dhe një moshë madhore, vazhdova t’i thosha unë.

 

Pse, çudi të duket? tha pak i ngrysur në fytyrë ai. Nuk e besoj, Xha Qani, i thashë përsëri unë.

 

Ai psherëtiu thellë dhe pasi drodhi një cigare duhani nga kutia, të cilën e nxori nga palltoja e leshit e vjetëruar, tha:

 

Nuk kam shtëpi o djalë, jo. Ndoshta të duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Pasi e thithi dy-tri herë rresht cigaren, e cila lëshonte tym, era e fortë e duhanit u përhap në dhomë, më pas ai e fiku pas hekurit të krevatit ku flinte dhe u shtri mbi batanie.

 

 

Unë desha ta pyesja më rreth jetës së tij, por përsëri druhesha se mos e lëndoja. Kush e di se çfarë drame do të ketë i gjori, mendoja në heshtje unë.

 

Ashtu i shtrirë mbi batanie, Xha Qaniu po më pyeste se ç’njerëz kisha në familjen time. Pasi i rrëfeva, ai psherëtiu përsëri thellë e tha: Lum si ti o djalë. Disa çaste kaluan në heshtje pa folur fare.

 

 

Më pas unë, duke marrë shkas nga ato pyetje që më bëri ai, mendova e i thashë:

Xha Qani, po mua do më lejosh të pyes, ashtu si më pyete edhe ti për familjen tuaj?

 

Po ç’të duhet jeta ime o djalë, tha ai. Jo, ashtu sa për t’u njohur, Xha Qani. Jetën time mos e pastë as qeni, tha ai. Mua m’u mor fryma nga që ndjeva keqardhje për të. Xha Qani, a ke grua e fëmijë ti?

 

Edhe kam, edhe s’kam, tha ai.

Si ta kuptoj këtë, edhe kam edhe s’kam? e pyeta unë.

 

Dy gjëra janë, o ke o nuk ke. Po të kisha, nuk do të rrija këtu në sektor, të gjithë festojnë e gëzojnë, kurse unë jo.

 

Ahaa, bëri dhe goditi faqen e dërrasës së barakës me grusht. Aty unë ndjeva se brenda shpirtit të tij vlonte një urrejtje e madhe, por se përse nuk munda ta kuptoja dot.

 

 

— Unë kam bërë burg, tha Xha Qaniu. Uaaa, e përse, ç’ke bërë o derzi?
Përse je dënuar, Xha Qani? e pyeta unë.

 

 

Për 250 lekë, tha ai! Pse, ia vodhe dikujt? – e pyeta unë. Jo, sepse nuk bleva një kyç, tha ai. E ç’e doje kyçin more? Të kisha kyçur gojën dhe sot edhe unë do të isha si ju, ndoshta edhe më mirë, tha ai.

 

Unë përsëri s’po e kuptoja se ku do të dilte me ato që po thoshte ai. Të kisha kyçur gojën e të mos flisja se ç’kishte parë syri im, tha Xha Qaniu.

 

Unë fola për të vërtetën, ata më spiunuan, unë bëra burg e sot ja ku jam, kurse ata jetojnë në luks. Cilët? e pyeta unë. Ata pra që më futën në burg. Përse u akuzove, Xha Qani? Për agjitacion e propagandë ndaj partisë, tha ai.

 

Dhe bëre burg? e pyeta pak si i habitur unë. Eh, se vetëm unë? Kush e di sa e sa të tjerë kanë bërë burg si unë, tha ai.

 

 

A ke qenë i martuar, Xha Qani? e pyeta unë. Po, tha ai, kam edhe djem. Po ku jetojnë ata tani? Në Kuçovë, tha ai. Po pse s’jetoni bashkë o Xha Qani? Kur më futën në burg, gruaja ime bëri ndarje nga frika se i prishej biografia nga që isha unë në burg.

 

 

Sa keq, më fal Xha Qani që po të lëndoj kaq shumë për jetën tuaj fatkeqe. Je djalë i zgjuar dhe vetëm ty po ta rrëfej jetën time, shtoi ai.

 

Faleminderit, Xha Qani. Nuk ke shkuar për t’i takuar djemtë fare?

 

 

Shkova një ditë, por s’më pranuan, tha ai.

 

Kisha dalë prej burgu, një mik më tha se djali im ishte fejuar e do bënte dasëm. Bleva një këmishë 500 lekë të vjetra nga kursimet e mia dhe shkova pranë shtëpisë ku jetonin ata. Dasma bëhej në ambientet e shtëpisë. Te rruga ndalova e pyeta një kalimtar se ku jetonte l…a. Ai ma tregoi shtëpinë.

 

 

Unë u afrova te porta. Dikush nga të ftuarit i tha gruas e djemve se një burrë po rrinte jashtë porte. Ata hapën portën dhe kur më panë mua shtangën. Një copë herë ndenjëm pa folur fare.

 

Më pas ish-gruaja tha: Jashtë! Ç’do këtu? Dasmorët, të ulur nëpër tavolina në oborrin e shtëpisë, shtangën.

 

Asnjëri s’po kuptonte se ç’po ndodhte. Ti nuk e meriton të jesh këtu, tha ish-gruaja. Unë i zgjata këmishën: Mere, është dhuratë për djalin që po martohet. Ai s’ka faj, edhe ti s’ke faj. Faji i gjithë është imi.

 

 

Ajo ktheu shpinën e tha: S’kemi nevojë për dhurata nga ju. Naa, dëgjo këtu moj, unë do largohem, por para se të iki të lutem vetëm për disa çaste kujto hijen e mënit, më pas bëj si të duash!…

 

Ajo ndaloi hapat, u kthye sërish nga unë, ndenji për një çast, vuri duart në kokë dhe bëri ooooiiii. Muzika kishte ndaluar, të gjithë dasmorët na shikonin ne. Djali shtangu në këmbë, nusja po prapë ashtu. Disa gra e morën ish-gruan, pasi i hodhën pak ujë në fytyrë, e futën brenda në dhomë.

 

 

Unë iu afrova djalit, e putha në ballë:

 

Të trashëgohesh, biri im, i thashë. Lashë këmishën mbi një tavolinë dhe u ktheva nga kisha ardhur.

 

 

— Uaaaa, sa tragjike, po dhe e dhimbshme!… Xha Qani.

Unë e dëgjoja me keqardhje rrëfimin e trishtë të tij.

 

Ja, kjo ishte deri këtu historia e jetës time, përfundoi Xha Qaniu.

 

 

Disa çaste ndenjëm në heshtje, por mua po më gërryente nga brenda se ç’ishin ato kujtime nën hijen e mënit. Megjithëse ato ishin çështje personale, unë mora guximin dhe e pyeta:

 

Xha Qani, ç’ishin ato kujtime aq të bukura, apo të dhimbshme aq sa e bëre ish-gruan tuaj të ulërinte me oiiiii?

 

 

Xha Qaniu heshti pak, më pas vuri buzën në gaz e tha:

 

Hë shejtan, shejtan, po pyet edhe për gjëra që nuk rrëfehen. Unë heshta duke menduar se me atë pyetje e kisha tepruar.

 

 

Ishte viti i parë i martesës me të. E donim shumë njëri-tjetrin. Bënte vapë, ne pushuam pak për t’u çlodhur nën hijen e mënisë. Ishim vetëm ne të dy. Pasi psherëtiu thellë tha:

 

Eh, kujtime e mbresa që nuk harrohen kurrë o djalë. E kuptova tani. Më pas unë nuk e ngacmova më me pyetje të tilla.

 

 

Faleminderit, Xha Qani, që më rrëfeve jetën tuaj shumë të dhimbshme. Ai nuk foli, ishte shumë i trishtuar.

 

 

Nga ajo ditë unë sa herë që e shihja Xha Qaniun e përshëndesja dhe e respektoja, se më dhimbshej jeta e tij. Pavarësisht se ç’kishte bërë, mbi të gjitha ishte njeri dhe të paktën duhej të jetonte si gjithë të tjerët. Disa të tjerë e shihnin me sy të shtrembër e me përbuzje se pse ai kishte bërë burg.

 

 

Kaluan disa muaj. Ishte mesi i qershorit. Xha Qaniu punonte me brigadën për gërmimin me krahë te depoja e ujit të pijshëm, lart në kodër, pikërisht atje ku rruga ngjitej lart për në fshatin Vërzhezhë.

 

 

Në sektor kishte ardhur një xhip 69, nga ata që përdorte dega e punëve të brendshme. Xha Qaniu doli jashtë nga gropa që po gërmohej për depo uji dhe ndezi një cigare. Pasi e vuri re Gazin në sektor, pak i trembur tha:

Përse të ketë ardhur ai vallë aty?

 

 

Më pas erdhi një djalë nga sektori ku ishin barakat e punëtorëve e tha:

 

Xha Qaniu, të kërkojnë në sektor. Ai la lopatën përtokë, i nxirë në fytyrë, pasi vuri re të gjithë shokët me keqardhje, si për t’u thënë lamtumirë, zbriti poshtë pranë barakave.

 

 

Ishte mesditë, ora 12. Të gjithë punëtorët linin punën për pushimin e drekës dhe shkonin pranë mensës për të ngrënë drekën.

 

 

Përgjegjësi i sektorit urdhëroi asnjë punëtor të mos shkonte në mensë për të ngrënë drekë. Kemi një takim pune, më pas do pushojmë.

 

Të gjithë u grumbulluan jashtë në shesh. Në çast dy punonjës të Degës së Punëve të Brendshme sollën Xha Qaniun të lidhur duar me byzylykët e hekurta të burgut.

 

Të gjithë punëtorët u shtangën, por asnjë nuk guxonte të pyeste.

 

 

E shihni këtë burrë, tha një nga tre sigurimsat. Ky është kundërshtari i partisë në pushtet. Ky gjithmonë shpreh pakënaqësi ndaj pushtetit dhe ja ku përfundoi. Partia e ka syrin pishë, ajo është vigjilente në çdo kohë. Edhe ju si punëtorë duhet të jeni më vigjilentë dhe t’i zbuloni para se t’i zbulojmë ne këta tipa kundërshtarë të partisë sonë të lavdishme.

 

 

Heshtje. Asnjë s’foli. Shpërndahuni tani, kaq kishim me ju, tha ai.

 

 

Ne shkuam të hanim drekën. Të gjithë pyesnin njëri-tjetrin, vallë ç’kishte bërë Xha Qaniu që e arrestuan!?…

 

 

Vite më vonë dikush më tha se Qani Mulita u dënua edhe disa vite të tjera me burg për agjitacion e propagandë dhe ai nuk arriti të dilte i gjallë, por vdiq në burg(!)…