![](https://orakujtetomorrit.al/wp-content/uploads/2025/01/343488242_620682966618339_4030945304146687014_n.jpg)
Poeti Rushan Dosti, ligjërimi i shpirtit në 6000 vjershat e tij
Nga Evdal Nuri
Nuk kisha dëgjuar, apo lexuar, që një poet të arshivoj në arkivën e tij poetike mbi 6000 poezi me tematika nga më të ndryshmet. E pabesueshme, por e vertetë. Në rastin e poetit që po prezantojmë, nuk ka nevojë për “inventar”. Në bibliotekën etij, përveç librave të shumtë, mbi 1500 tituj, qëndrojnë edhe 5000 poezi të printuara në mbi 20 kilogram letër formati….
Copëza nga jeta e tij
U lind më 15 Mars të vitit 1958 në fshatin Koprënckë të Skraparit, në vendlindjen e patriotëve të mëdhenj të Pavarësisë Kombëtare, kushurinjëve Ali e Xhelal Koprëncka. Në mes të 11 fëmijëve , ai është fëmija i katërt sipas radhës, mes tetë motrave dhe dy vëllezërve.
Arsimin fillor e atë 8 vjeçar e kreu në vendlindje në vitet 1965 – 1973. Duke patur mësues të përkushtuar që nga klasa e parë (kujton mësuesin e parë, korçarin Ymer Nameti) dhe deri në klasën e tetë kur shumica ishin vendas, gjirokastritë dhe vlonjatë, pasioni për dije dhe kulturë jo vetëm u motivua, por edhe u kultivua.
Kur ishte nxënës në klasën e VIII, në vitin 1973, povoi talentin e tij me një vjershë humoristike, të cilën e recitoi në një mbrëmje në vatrën e kulturës së asaj kohe. Vjersha titullohej “Hallet e fshatit tim” dhe fshikëllonte problematikat e shumta të fshatit në atë kohë. Duke menduar se vuri vetullat, për pak desh nxorri sytë, pasi u alamua partia në fshat dhe rrezikoi seriozisht vijimin e studimeve në shkollën e mesme. Falë notes mesatare 10 dhe këmbënguljes së drejtorit të shkollës, të paharruarit Neshat Dyrmishi.
Mundi të siguronte një të drejtë studimi në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, në shkollën e ëndrrave të tij, siç e quan edhe sot e kësaj dite. Është pikërisht kjo shkollë, të cilës ai i dedikon gjithçka në formimin e tij të përgjithshëm dhe kulturor.
Arsimin e mesëm e filloi në vitin 1973 në Shkollën Pedagogjike në Elbasan, ku për fatin e mirë ishte bashkë me shokun e tij të fëmijërisë dhe të pandarë gjatë gjithë jetës së tij, Myrteza Dostin.
Për katër vite këtu ka qënë një nga aktivistët më të mire dhe bashkëpunëtor me shtypin lokal siç ishte Gazeta “Shkumbini”, që në atë kohë drejtohej nga euriditi Astrit Bishqemi.
Shkollën e mesme e përfundoi me rezultate shumë të mira në vitin 1977. Për shtatë muaj shërbeu si mësues letërsie në Malind, në vendlindjen e poetit të madh Xhevahir Spahiu. Ëndrra e jetës së tij ka qënë dhe të vijoj të jetë edhe sot e kësaj dite, letërsia, të cilën e kërkoi me çdo lloj sakrifice, por për kushte që nuk vareshin nga ai dhe për shkak të ekonomisë së dobët familjare, përfundoi student në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, gjë që as e kishte menduar ndonjëherë. Gjithsesi këtu gjeti një terren të mire, përsa i takonte aktivizimit në rrethin letrar të shkollës, krahas poetëve të njohur, Arben Duka, Misto Anastasi, Kujtim Boriçi e shumë emra të tjerë që nuk i kujtohen.
Gjatë viteve të shkollës me përkrahjen e mësueses së gjuhës Flutura Xoxe dhe me mbështetjen e të madhit Dritëro Agolli, mundi të botonte cikël me poezi në gazetën “Drita” dhe “Zëri i Rinisë”.
Pas emërimit në Berat, fillimisht si stazhier e më pas si ushtarak i diplomuar, bashkëpunon me gazetën “Kushtrimi” ku ka botuar kryesisht fejtone e artikuj tematikë.
Nga viti 1998 deri më 2002 drejtoi si Kryeredaktor Gazetën e pavarur “Orakulli iTomorrit” që botohej në Berat. Gazeta shpërndahej në gjithë Qarkun Berat dhe u vlerësua si një risi për kohën. Këtu punoi me njerëz të afirmuar dhe me përvojë të gazetarisë siç ishte publicisti Zylyftar Hoxha, gazetari dhe shkrimtari Enver Caka, si dhe bashkëpunëtorët e gazetës në Berat, Kuçovë e Skrapar si Hajri Nuhu, Arben Turhani, Agron Guri, Kastriot Caka, Arjola Azizolli, Sulo Gozhina, Shkëlqim Ago, Estref Matarangasi, Dilaver Xhelili etj. Gjithçka për këtë investim informimi për atë kohë, ai ia dedikon botuesit të gazetës, biznesmenit Zylyftar Plaku.
Ka botuar librat: “Burrat e shtetit, shteti pa burra”, vëllimin poetik “Ujëvarat e shpirtit”, monografitë “Vala Frashëri, luftëtare e orëve të para”, “Xhevit Zaçe, greshicioti”, “Rehovica, djepi ynë”, “E mira nënë Mirije” (bashkëautor me të pavdekshmin Arben Duka), vëllimin poetik “Letër Nënës”, monografitë “Rrugëtimi i një inxhinieri”, “Hoxhajt, sofra e madhe e mikpritjes” si dhe është redaktor i mbi 50 librave monografikë dhe artistikë.
Aktualisht është duke përgatitur për botim librin “Dostllarët, gjaku i fisit tim” si dhe disa vëllime me poezi të hershme dhe të kohës.
Aktualisht në arkivën personale gjenden mbi 5000 poezi me tematikë të ndryshme, ose e kthyer në letër 20 kg letër ku janë fotokopjuar poezitë. Janë aq shumë, saqë vështirë të botohen.
Çdo ditë publikon në faqen e fb deri dy poezi të pablikuara. Postulati i jetës i jetës së tij, të cilin e përsërit shpesh është: Sa të kem frymë, çdo grimcë jete do ta shndërroj në vargje! Nuk e di, por pa bukë mund të jetoj, pa poezi e kam të vështirë.
Ka botuar jo vetëm poezi, por edhe publicistikë. Janë me me dhjetra shkrime problematike të botuara në “Telegraf” .
I lindur për të shkruar poezi
Rushanin ndoshta është njeriu i parë që u thot “mirëmëngjes” e që “zgjon” ndjekësit e faqes feksbok. Në vlerësimin tim është një poet i lindur se, sa lind dielli, “lind” dhe frymëzimi i Rushanit. Me mikeshën e tij të dashur, siç është një teke raki, si të gjithe poetët, thur vargje të forta 19 gradëshe si rakia e Skraparit.
Shkruan për Beratin, por ca më shumë për Skraparin, për vendlindjen, për pjergullat, për rakinë, për rehaninë, pekmezin, për ujin e ftohtë, për dërrasat e shtëpisë së vjetër, për….!
Janë poezi me mesazhe dhe metafora artistike të forta për kohën, për realietin ku jetojmë, për të kaluarën e dhimbshme, por edhe për të ardhmen, për njerëzit që na ikin, por edhe “mysafirët e rinj” që na vijnë, lindjet, që, fatkeqësisht janë të rralla, por që një shpirt të ndjeshëm poeti e gëzojnë shumë. Rushan Dostin do ta shohësh ngahera të shoqëruar me miq të vërtetë, veçanërisht me ish shokët e tij të Pedagogjikes me të cilët takohet çdo vit, me kolegët e tij, ushtarakë në lirim dhe në pension.
Të tillë janë: Bardhyl Qato, Vladimir Mema, Hajdar Bilimani, Ismet Xhemollari, Fadil Hasanago, Neshat Shyti, Mehmet Rrapo, Asqeri Toska, Dilaver Ymeri, Xhevair Baxhija, etj. Ai mban lidhje me miqtë e tij krijues si Xhevahir Spahiu, Viktor Bakillari, Zylyftar Hoxha, Ëngjëll Musai, Hajri Nuhu, Enver Caka, Tomorr Laze, Evdal Nuri, këngëtarët skraparas Dule Malindi e Hamit Spahiu e shumë të tjerë. Kurrë nuk i harron, shkruan për ta ashtu siç i njeh dhe siç ua di jetën. Për gjallje, por edhe kur ata ndahen nga jeta. Aktiv shumë në f.b. Një ditë të mungojë, “alarmohen” miqtë e tij realë dhe virtualë dhe nuk pushojnë komentet.
Ai çdo ditë përshëndet “Mirëmëngjes” me mënyrën e tij, me poezi, dhe në mbrëmje natën e mirë.
Një fjalë e urtë, e mençme, e bukur e popullit thotë: “Nata mbars dhe dita pjell”. Ka dy konotacione kjo fjalë: një negativ, për të mbrapshtit, që thurin plane natën dhe veprojnë ditën, por edhe konotacionin tjetër, pozitiv, që janë ata që thurin ëndrra të bukura natën dhe i realizojnë ditën.
I tillë është poeti Rushan Dosti, i cili ka gjetur një mënyrë të vetën, origjinale për të “përshëndetur” që në pikë të mëngjesit miqtë e tij të shumtë në rrjetet sociale, me poezi.
Janë poezi që janë ngjizur jo vetëm nga shqetësimet dhe pagjumësitë e natës, por edhe nga ëndrrat e natës, ndaj janë aq të thjeshta, aq të bukura, aq melodioze, sa iu ngjanë këngëve.
Janë mbi 6 000 poezi të tilla, që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, por që presin dritën e botimit në libër. Duhen lekë, duhen sponsor, por ku të gjesh? Janë të rrallë ato bisnese që investojnë për artin dhe kulturën!
“Më duhet një redaktor i mirë, i mirë fare, si ata të viteve 60 – 70 të shekullit të kaluar, që të të m’i seleksionojë, të nxjerr një vëllim me poezitë më të mira, gjë që unë nuk e bëj dot, më dhembin të tëra. Por, besoj se do ta gjej” – thotë ai.
Me shpresën se një ditë ato poezi do të dalin në dritë, poeti ngushëllohet me një shprehje të vjetër:
“Jo e gjithë buka që gatuhet konsumohet,m jafton që njerëzit të mos vuajnë për bukë….”
Shënim:
Shkrimi është botuar në gazetën “Telegraf” dhe është marrë nga statusi i Facebook i Rushan Dostit