Poeti Sadik Bejko
Edison Ypi
Poeti Sadik Bejko nuk është thjesht ai që njohim; poeti drithërues, studjuesi rigoroz, pedagogu perfeksionist, bashkëbiseduesi i këndshëm.
Poeti Sadik Bejko është një vuajtës i paepur, një martir i pamposhtur që ka kaluar për së gjalli mespërmes zjarrit të Ferrit.
Poeti Sadik Bejko nuk bëri poezi për garat socialiste, traktorat që çanin ugaret, rrethimin kapitalistato-revizionist, për armiqtë që Shqipërinë e zheleve dhe bunkerave e kishin halë në sy.
Ndërkohë që ushtria e poetëve grushtbashkuar rreth Partisë dhe Sigurimit, ditët më të lumtura, ekstazën e jetës, nuk ja kushtonin asnjë femre, por vetëm Diktatorit, Poeti Sadik Bejko bëri të kundërtën. Poeti Sadik Bejko, shkroi poezi për ndjenjat, për Natyrën, për Femrat, poezi prej të dashuruari që nuk i drejtohet njërit e tjetrit por gjithë njerzimit.
Pra Poeti Sadik Bejko ra në prehërin e armikut. Brodhi pas fustaneve të zuskave. Harroi kauzën. Fjeti mbi dafina. Dhe me këto kujtoi se na e hodhi. E ç’e gjeti Shqipërinë sypatrembur nga rebelimi i një Poeti ? E ç’rëndësi ka poezia, femrat, fustanet e tyre të shkurtëra, breçkat e tyre të mëndafshta ? Rëndësi ka partia, proletariati, revolucioni. Vigjilencën e proletarëve, syçelësinë e spiunave, cmirën e inatçinjve, zilinë e intrigantëve, Poeti Sadik Bejko kujtoi se e mposhti. Por në fakt i tha belasë bujrum.
Për të tilla dhe të tjera, Poetin Sadik Bejko e detyruan të punojë nëpër kantiere dhe miniera ku spiunat dhe vigjilentat nuk ju ndanë asnjë çast.
Nuk punoi Migjeni nëpër miniera dhe kantiere sovjetike apo kineze. Migjeni vajti në Pukë për ajër të pastër. Iku në Itali me u shëru. Lula t’Vocërr dhe femra që shiten duke thirrur rrugëve “A do qymyr Zotni?” ka kudo. Ferrit kryq e tërthor e rrethepërqark nuk i ra Migjeni. Ferrit pash më pash i ra Poeti Sadik Bejko.
Prej atëhere hordhia e haxhiqamilëve të Poezisë i është qepur dhe nuk i shkepet Poetit Sadik Bejko.
Në këtë vend të bukur, të pasur dhe të mallkuar, jeta e Poetit Sadik Bejko mund të rrëfehet vetëm me sy të lagur që nuk mund të thahen ndryshe veçse me kurrizin e dorës.
Tetor 2023