Faqekuqi, një mrekulli mes malesh. Rikthim biblik në folezën e vjetër!…

About This Project

Kush ka ka qenë më parë në këtë vend dhe kush ka patur informacion për këtë vend, nuk do të më besojë kurrë. Është lagja Koromanë në Faqekuq, një lagje e shkëputur nga qendra e fshatit, afër luginës së famshme kullosore mes Ostrovicës dhe Çukës së Frëngut, 1000 e ca metra mbi nivelin e detit.

 

Faqekuqi, Krasta dhe Bërsaka kanë qenë fshatrat me historinë më të re në Skrapar. Historia e tyre e vjetër është në Backë prej dhe nga kanë ardhur, në fillim në stane dhe më pas ndërtuan shtëpitë e tyre, themelet e të cilave janë edhe sot.

 

Në vitet 1990 të shekullit të kaluar, si të gjithë fshatrat e Skraparit, edhe këta, ca më tepër për kushtet e vështira, lëvizën drejt qyteteve Tiranë, Durrës dhe Çorovodë, ku kishin njerëzit e tyre.

 

Në fshat nuk ngeli asnjë familje. Shtëpitë po ktheheshin në gërmadha dhe po i mbulonte ferra, hithra dhe shpendra. Ish-banorët e tyre, tashmë të sistemuar me punë e shtëpi nëpër qytete, as u shkonte në mend se çfarë kishin lënë prapa. Si mall u vinte keq, por që të ktheheshin, kurrë!…

 

Po ç’ndodhi? Veprimtaritë e reja ekonomike, në fillim shfrytëzimi i lumit dhe i gurit dhe më pas ndërtimi i një centrali elektik çuan rrugën automobilistike. Dalëngadalë zona u bë atraktive. Filluan të vijnë banorët e dikurshëm dhe të rregullojnë shtëpitë. Fillojnë të mbjellin selishtat dhe kopshtet për t’i patur zahire për dimër. Fillojnë të shfrytëzojnë malin, që është “minierë floriri” me bimët medicinale.

 

Janë mbi 10 familje që vijnë çdo verë. Veiz Koromani, 81 vjen aty për qejf; Abaz Guri merret me bujqësi, bimët medicinale, bletari, punon edhe në HEC-in aty afër; Ylli Koromani ka një kope me 300 dele; Vendim Koromani ka një park bletësh dhe merret me mbledhjen e bimëve medicinal; me bimeë dhe bletë merret edhe Bujar Koromani dhe Lorand Koromani.

 

Dhe ja siç e shikoni tani në foton që më ka derguar miku im Petrit Guri lagjja ka marrë formë, është rigjallëruar si dikur. Një pamje që të impresionon e të ngazëllon.

 

Nuk do të jetë e largët dita kur në shpatet e Ostrovicës dhe të Çukës së Frëngut do të shikojmë bujtinat e para malore. (Z.H)