Një takim mbresëlënës i mësuesve skraparllinj që punojnë dhe banonjnë në rajonet Durrës – Tiranë

About This Project

 

Në kuadër të 7 Marsit, mësuesit me origjinë nga Skrapari si dhe mësuesit e rretheve të tjerë që kanë qenë në Skrapar, por që aktualisht punojnë e banojnë në rajonet e Tiranës dhe të Durrësit, u mblodhën sot, mes një atmosfere  të gëzueshme, në një nga lokalet në periferi të Tiranës, në Pezë-Helmës.

 

 

Ishte vërtet një takim mbresëlënës, me një pjesëmarrje befasuese dhe të paparashikur, siç na tha, organizatori i tij kryesor, një nga mësuesët veteranë të Skraparit, Hajri Kapllani.

 

 

Grupe- grupe mësuesit takoheshin e përqafoheshin me njëri – tjetrin. Kishte nga ata që nuk ishin parë prej vitesh, megjithëse dikur kishin qenë bashkë në të njëjtën shkollë apo këshill pedagogjik.

 

 

Disa prej tyre, para se t’i jepnin dorën njëri – tjetrit, i zinin në gojë një shprehje humori, një anekdotë apo një nofkë që e përdornin dikur kur ishin bashkë.

 

 

Përmendnin emra kolegësh, të gjallë po e po, por sidomos të atyre që fati i kishte ndarë nga jeta.

Për një çast heshtnin dhe nga thellësia e shpirtit dilte një “Eh…”.

 

 

Megjithëse një ditë e hareshme, por, pa e prishur aspak atmosferën, përkundrazi, duke i  shtuar asaj emocione, ishte dita më e duhur dhe më e përshtatshme për t’i përmendur, kujtuar dhe nderuar ata.

 

 

Për të kujtuar Asqeri Turhanin, Teki Bregun, Flamur Spahiun, Xhaferr Ibron,  çiftin Faik dhe Adelina Guri,  e shumë të tjerë që, për arsye vendi, nuk po ua përmendim emrin.

 

 

 

Më pas dreka kaloi në një atmosferë kulmuese festive me këngë, valle e dolli.

 

 

Kjo drekë ishte një drekë e veçantë, nga ato drekat tradicionale dhe spektakulare  që dinë t’i bëjnë vetëm skraparllinjtë, vetëm muhabetçinjtë!…